TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Dhjetor 2024, 19:13

Putin i hap dyert mikut të vjetër, Bashar al-Assad dhe familja e tij mbërrijnë në Moskë; u jepet azil!

Shkruar nga Pamfleti

Putin i hap dyert mikut të vjetër, Bashar al-Assad dhe familja e tij

Sipas asaj që raportojnë mediat ruse, Asadit dhe familjes së tij u është dhënë azil nga autoritetet ruse.

Pas disa orësh paqartësi, më në fund është bërë e ditur vendndodhja e presidentit të arratisur të Sirisë, Bashar al-Assad. Siç dyshohej, Assad dhe familja e tij kanë mbërritur dhe janë strehuar në Moskë.

Sipas asaj që raportojnë mediat ruse, Asadit dhe familjes së tij u është dhënë azil nga autoritetet ruse.

“Presidenti i Sirisë Assad ka mbërritur në Moskë. Rusia u ka dhënë atyre (atij dhe familjes së tij) azil për arsye humanitare”, raporton agjencia e lajmeve Interfax

"Rusia ka folur gjithmonë në favor të një zgjidhjeje politike të krizës siriane. Ne këmbëngulim që bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB të rifillojnë. Zyrtarët rusë janë në kontakt me përfaqësuesit e opozitës së armatosur siriane, udhëheqësit e të cilëve kanë garantuar sigurinë e bazave ushtarake ruse dhe misioneve diplomatike në territorin sirian", tha burimi nga Kremlini.

Pasi qeveria e diktatorit u rrëzua nga rebelët që pushtuan kryeqytetin në një goditje rrufe dhe shpallën fitoren të shtunën, avioni privat i Assad u zhduk nga radarët.

Në përpjekje për të mos pasur fatin e Gaddafit i cili u ekzekutua nga forcat rebele, Assad u largua shpejt nga Siria së bashku me familjen e tij.

Një avion i Siria Air u ngrit nga aeroporti i Damaskut dhe fluturoi drejt rajonit bregdetar të Sirisë, një bastion i sektit alavit të Asadit.

Fluturimi bëri një kthesë të papritur mbi Homs dhe fluturoi në drejtim të kundërt për disa minuta përpara se të zhdukej nga radarët. Shkaku i zhdukjes së tij nuk është konfirmuar, por me shumë gjasa, është fikur transponderi për të mos gjurmuar lëvizjet e Assad.

Reuters nuk mundi të zbulonte menjëherë se kush ishte në bordin e Ilyushin Il-76T - një lloj avioni i përdorur nga ushtria ruse. Fluturimi u zhduk  nga radari në orën 5:29 të mëngjesit - 40 minuta pas ngritjes - me të dhënat e lartësisë që tregojnë se ai bëri një zbritje.

Raporti pretendonte se Assad fluturoi në bazën ajrore Khmeimim të drejtuar nga Rusia në një pjesë të Sirisë ende besnike ndaj regjimit.

Të tjerë spekuluan se Assad mund të kishte arritur të fluturonte në Emiratet e Bashkuara Arabe ose të kalonte kufirin në Irak. Por në fund doli se Assad kishte përfunduar te miku i tij besnik, Vladimir Putin.

Rusia tani po tërheq anijet e saj nga baza e saj detare në Tartus dhe po transferon armët në vend me avion, sipas Ukrainës.

Rënia e Asadit është një goditje poshtëruese për Vladimir Putin, i cili kishte mbështetur tiranin gjatë luftës civile. Në këmbim, Kremlini u lejua të operonte dy baza ushtarake brenda Sirisë. Njëra prej tyre ishte një bazë detare - duke i dhënë Rusisë një port në Mesdhe./Pamfleti 

Lini një Përgjigje