Më shumë se 1,000 emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pasi kaluan Kanalin Anglez gjatë periudhës rekord të motit të nxehtë. Kalimet u regjistruan për 6 ditë radhazi duke nisur nga e premtja e kaluar, ndërsa temperaturat u rritën ndjeshëm gjatë fundjavës festive të majit.
Sipas shifrave të Home Office, rreth 1,128 persona mbërritën në brigjet britanike nga e premtja deri të martën. Të dhënat më të fundit tregojnë se 139 persona kryen udhëtimin e rrezikshëm me dy gomone vetëm të martën, duke e çuar numrin total të mbërritjeve për këtë vit në 8,704.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së fundit, kjo shifër përfaqëson një ulje prej 36 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, është regjistruar edhe një rënie prej 17 për qind krahasuar me numrin e mbërritjeve në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Kalimet përkuan me motin rekord, ndërsa Met Office konfirmoi se e marta ishte dita më e nxehtë e majit e regjistruar ndonjëherë në Angli dhe Uells. Temperaturat arritën në 35.1 gradë Celsius në Kew Gardens, ndërsa 32.9 gradë u regjistruan edhe në Cardiff Bute Park.
Met Office parashikon edhe disa ditë me mot me diell përpara se temperaturat të bien pas valës së të nxehtit që përfshiu Anglinë dhe Uellsin. Kushtet e ngrohta pritet të vazhdojnë deri në fundjavë në shumë zona të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa javën e ardhshme parashikohet rikthimi i motit më të freskët, kur vala e të nxehtit të marrë fund.
Ndërkohë, disa emigrantë që kaluan Kanalin gjatë fundjavës festive janë akuzuar tashmë për shkelje të ligjeve të emigracionit, ndërsa disa prej tyre kanë marrë menjëherë dënime me burg.

Crown Prosecution Service konfirmoi se tre burra, nga Turqia, Algjeria dhe Shqipëria, u ndoqën penalisht për hyrje në Mbretërinë e Bashkuar pa leje hyrjeje. Osman Yesil, 47 vjeç, Tawfiq Boubazine, 33 vjeç, dhe Elidjon Cota, 29 vjeç, pranuan fajësinë në Gjykatën e Magjistraturës në Folkestone dhe u dënuan me tetë muaj burg secili.
Tre persona të tjerë, dy nga Sudani dhe një nga Irani, janë akuzuar për rrezikim të jetës në det. Jiechlat Buom, 25 vjeç, Kueth Gatkuoth, 31 vjeç, dhe Mehdi Najafi, 42 vjeç, janë lënë në paraburgim. Të tre pritet të paraqiten në Gjykatën e Kurorës në Canterbury për seancën paraprake në muajin qershor.
Sipas CPS, akuzat u autorizuan “brenda pak orësh” pasi prokurorët morën provat nga agjencitë ligjzbatuese. Sarah Dineley, përgjegjëse e CPS për krimet e emigracionit, tha:
“Shumë prej këtyre rasteve u ngritën brenda pak orësh gjatë kësaj fundjave festive, çka bëri të mundur që të pandehurit të dilnin para gjykatës vetëm disa ditë pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar.
CPS vazhdon të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për të penguar dhe shkatërruar grupet e organizuara kriminale, të cilat janë përgjegjëse për kalimet me gomone të vogla.
Ne do të përdorim ligjet që kemi në dispozicion për të ndjekur penalisht rastet kur ka prova të mjaftueshme dhe kur kjo është në interesin public”, thuhet në reagimin zyrtar.
Lini një Përgjigje