Prania e Marinës në Karaibe nuk është zvogëluar pavarësisht luftës me Iranin.
Pentagoni ka kaluar muaj duke pozicionuar trupat dhe armatimet e nevojshme për një sulm të mundshëm ushtarak amerikan ndaj Kubës dhe sipas raportimeve, mungon vetëm miratimi përfundimtar nga Donald Trump.
Presidenti amerikan ka përmendur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake pasi presioni ekonomik dhe politik nuk arriti të rrëzonte qeverinë komuniste të Havanës. Prania e shtuar detare amerikane në rajon, më e madhja në botë jashtë Lindjes së Mesme, do t’i lejonte SHBA-ve të vepronin menjëherë.
Këto forca të vendosura në mënyrë strategjike krijojnë bazën për një veprim ushtarak, që mund të variojë nga kapja e udhëheqjes në Havanë në një skenar të ngjashëm me arrestimin e ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro deri te një seri goditjesh precize ndaj objektivave të zgjedhur. Një zhvillim i tillë do ta përfshinte SHBA-në në konfliktin e tretë ndërkombëtar gjatë administratës Trump.
“Kuba është në telashe të mëdha. Të kesh një shtet të dështuar vetëm 90 milje larg brigjeve tona përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.”, deklaroi të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një mbledhjeje të plotë të kabinetit qeveritar.
Flota amerikane në rajon është disi më e vogël se në janar, kur SHBA arrestoi Maduron. Megjithatë, grupi goditës i aeroplanmbajtëses USS Nimitz hyri në Karaibe në muajin maj, i shoqëruar nga disa destrojerë dhe kryqëzorë me raketa të drejtuara, të aftë për të lëshuar goditje precize ndaj objektivave tokësore.
Njëkohësisht, dronë të avancuar amerikanë dhe avionë mbikëqyrës kanë fluturuar prej muajsh mbi dhe rreth Kubës, sipas të dhënave të faqeve që monitorojnë trafikun ajror. Ndërkohë, anijet amfibe USS Kearsarge dhe eskortat e saj, që transportojnë rreth 2.500 marinsa, ndodhen pranë brigjeve të Virxhinias duke u përgatitur për një dislokim të ri dhe mund të zëvendësojnë disa nga anijet që pritet të rikthehen në SHBA.
Ky përforcim ushtarak i jep Pentagonit një gamë të gjerë opsionesh operacionale, edhe pse një pushtim masiv tokësor do të kërkonte trupa shtesë.
USS Nimitz mbërriti në rajon në të njëjtën ditë kur SHBA ngriti akuza ndaj ish-presidentit Raul Castro, në atë që u interpretua si një demonstrim publik force.
“Nimitz ka shumë gjasa të jetë aty kryesisht për intimidim, megjithëse mund të përdoret edhe në një operacion ushtarak nëse lind nevoja”, deklaroi Mark Cancian, ish-zyrtar i Pentagonit dhe aktualisht analist i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Sipas tij, aeroplanmbajtësja, së bashku me avionët luftarakë të bazuar në Florida dhe Porto Riko, do të kishin rol kyç në çdo veprim ushtarak ndaj Kubës.
“Sulmimet ajrore janë të mundshme për të neutralizuar mbrojtjen ajrore kubane dhe për të mundësuar operacione më të gjera nga ajri ose ndoshta për të eliminuar udhëheqjen politike, me idenë e krijimit të një marrëdhënieje si ajo që kemi me Venezuelën. Raul Castro do të ishte objektivi i parë”, tha Cancian.
Megjithatë, administrata amerikane përballet me kufizime kohore. Shumë prej anijeve më të mëdha luftarake të dislokuara gjatë verës po afrohen drejt 10 muajve në det shumë më tepër sesa periudha normale prej gjashtë apo shtatë muajsh.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime mes zyrtarëve të mbrojtjes për mbingarkesën e ekuipazheve dhe shton presionin mbi flotën detare amerikane, e cila njëkohësisht po merr pjesë edhe në bllokadën ndaj anijeve iraniane në Gjirin Arabik.
Shtëpia e Bardhë ia referoi pyetjet Pentagonit, ndërsa Marina amerikane refuzoi të komentonte mbi dislokimet aktuale. Komanda Detare e Forcave Jugore nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
“Këto dislokime të gjata njëra pas tjetrës do të kenë pasoja me kalimin e kohës. Mbajtja e anijeve për kaq gjatë në terren krijon probleme afatgjata kur ato të rikthehen në vend, sidomos për sa i përket riparimeve dhe rikonstruksionit.”, tha një zyrtar i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së operacioneve ushtarake.
Misionet e zgjatura vijnë pas dislokimit rekord prej 11 muajsh të aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, i cili përfundoi këtë muaj pasi anija lundroi nga Evropa drejt Karaibeve për operacionin ndaj Maduros dhe më pas drejt Lindjes së Mesme për luftën me Iranin.
Edhe USS Nimitz po vazhdon një dislokim të zgjatur, që fillimisht pritej të ishte i fundit në karrierën 50-vjeçare të anijes. Fillimisht ishte planifikuar të kthehej në Norfolk të Virxhinias për heqjen e reaktorëve bërthamorë, por Marina amerikane vendosi ta mbajë në shërbim deri në vitin 2027.
Gjithashtu, anijet amfibe USS Iwo Jima dhe USS Fort Lauderdale kanë qëndruar në operacione që prej verës, megjithëse Korpusi i Marinsave njoftoi të mërkurën se ato do të rikthehen në Norfolk javën e ardhshme.
Por këto misione të gjata po ndikojnë ndjeshëm tek ekuipazhet dhe marinsat, të cilët kishin planifikuar rotacione normale dhe tashmë ndodhen me muaj të tërë përtej afatit fillestar të kthimit në shtëpi.
“Nuk regjistrohesh në ushtri duke menduar se do të jetë e lehtë; çdo dislokim është i pasigurt. Por kur dislokimet zgjaten në këtë mënyrë dhe duken pa fund të qartë, kjo fillon të ndikojë edhe te motivimi për të vazhduar karrierën ushtarake. Sa më shumë mund ta bind familjen time të pranojë një tjetër kontratë dhe të vazhdojë me këtë ritëm?”, tha Joe Plenzler, ish-oficer i Korpusit të Marinsave./Përshtati "Pamfleti", nga "Politico"
Lini një Përgjigje