TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Dhjetor 2024, 22:38

Pse rënia e Assadit mund të sjellë krijimin e një Shteti Islamik të ri?!

Shkruar nga Matt Dathan

Pse rënia e Assadit mund të sjellë krijimin e një Shteti

Atje gjenden edhe dhjetëra xhihadistë britanikë që udhëtuan në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in nga viti 2013 e tutje....

Përmbysja e regjimit të Bashar Al Assadit në Siri, rrezikon që të krijojë një strehë për terroristët, e cila mund të çojë në një formë të re të Shtetit Islamik. Ky është paralajmërimi që bën eksperti i terrorizmit në Britaninë e Madhe, Jonathan Hall. Ai druhet se pushtimi i Damaskut nga grupi rebel Hayat Tahrir Al-Sham (HTS), mund të sjellë lirimin e luftëtarëve xhihadistë nga burgjet dhe kampet e paraburgimit në Sirinë Verilindore.

Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se Londra e mirëpret rrëzimin e “regjimit barbar” të Bashar Al-Asaadit, por theksoi se është ende shumë herët për të konfirmuar nëse qeveria e tij do të bashkëpunojë me udhëheqjen e re në Siri. HTS është më i fuqishmi ndër grupimet që po luftojnë të marrin nën kontroll gjithë Sirinë.

Ai ka qenë një grup terrorist i ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2017 për shkak të lidhjeve të tij historike me Al-Kaedën. Kjo do të thotë, se çdo lidhje apo mbështetje ndaj saj përbën një vepër penale në Britani. Qeveria britanike nuk pritet të ndryshojë qasje shumë shpejt ndaj HTS.

Pasi pret të shohë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të grupit. Gjithsesi Ministria e Brendshme, sinjalizon se sjellja ndaj saj mund të ndryshojë në një periudhë më afatgjatë, nëse grupi tregon me vepra se është shkëputur tërësisht nga Al-Kaeda.

Mijëra ish-luftëtarë të ISIS-it por edhe xhihadistë të tjerë, janë burgosur në rajonin autonom në Sirinë Verilindore të kontrolluar nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), një grupim i udhëhequr nga kurdët të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Atje gjenden edhe dhjetëra xhihadistë britanikë që udhëtuan në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in nga viti 2013 e tutje.

Hall thotë: ”Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Sirinë Verilindore që menaxhohen nga SDF. Mund të ndodhë që të ruhet autonomia kurde në këtë pjesë të Sirisë. Në çdo rast, do të ekzistojë frika se nëse SDF humbet kontrollin, atëherë luftëtarët e ish Shtetit Islamik, të cilët janë aktualisht në paraburgim, mund të formojnë bërthamën e një Shteti Islamik të ri, ose të nxitojnë të bashkuar me HTS dhe përforcojnë objektivat e tyre ekstremiste.

Unë jam sot po aq i shqetësuar për Sirinë sa kam qenë dje për Libinë, Irakun dhe Afganistanin. Të gjithë kemi folur për Talibanët 2.0, por ata dolën të jenë po aq ekstremistë sa në qeverisjen e parë. Mjafton të shihni mënyrën se si po i trajtojnë gratë. Duhet të jemi shumë të shqetësuar për cilindo që ka rrënjë xhihadiste”.

Richard Dearlove, që ka drejtuar shërbimin sekret britanik MI6 gjatë viteve 1999-2004, beson se rreziku më i madh vjen nga terroristët që sillen si “ujqër të vetmuar”, të cilët ka të ngjarë të lirohen dhe të ndihen të inkurajuar nga rënia e regjimit të Assadit.

“Të gjithë janë shumë entuziastë për çlirimin e Sirisë nga Assadi, por po të gjithë e kemi parë se çfarë ndodhi në Irak pas rrëzimit të statujës së Sadamit. Po ashtu, e pamë se çfarë ndodhi pas euforisë së ngjashme në Libi. Dhe situata në Siri është vërtetë komplekse.

Shumë gjëra do të varen nga zhvillimet e muajve të ardhshëm. Ekzistojnë disa rrethana që mund të nxisin terrorizmin, por për momentin njerëzit po shohin politikën e brendshme shumë konfuze të Sirisë dhe morinë e grupeve që do të rivalizojnë midis tyre për të formuar një qeveri, dhe shpresojnë që ajo të jetë vërtet pluraliste.

Struktura organizative e ISIS-it është dobësuar ndjeshëm. Pyetja është nëse ajo ka mundësi të nxisë veprimin e ‘ujqërve të vetmuar’ apo një komplot të organizuar… Ajo që po ndodh në Siri, ashtu si ajo që po ndodh në Gaza me Hamasin, do të bëjë që individët të radikalizohen në një masë të tillë sa të kryejnë sulme individuale”.

Robert Jenrick, Ministër në hije i Drejtësisë nga konservatorët dhe ish-Ministër i Migracionit, paralajmëron: “Ne duhet të jemi veçanërisht të shqetësuar për dhjetëra mijëra të burgosur të ISIS-it dhe shtetas të huaj aktualisht të ndaluar në Siri. Nuk ka asgjë më të keqe për rajonin - dhe Britaninë e Madhe - sesa t’i kthejmë ata në fushën e betejës apo të zbarkojnë në brigjet tona”.

Ndërkohë Dearlove parashikon që agjencitë e inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të heqin ndalimin e HTS, derisa të kenë prova të forta për qasjen ndaj qeverisjes së Sirisë. Ai shprehet: “Kjo do të varet shumë nga mënyra se si do të zhvillohet politika e brendshme. Deklarata e HTS për mossulmimin e objektivave institucionale në Damask është inkurajuese. Ndoshta do të bëjë diçka ndryshe në qeverisje, por të shohim se çfarë do të ndodhë”. Hall shton: “Do të ketë shumë kujdes në shqyrtimin e heqjes së HTS nga lista e organizatave e terroriste. Në përgjithësi vendime të tilla janë shumë të rralla. Unë mendoj se nuk ka gjasa që qeveria britanike të nxitojë të heqë ndalimin ndaj HTS”.

Në fakt që nga viti 2000, kjo ka ndodhur vetëm në pak raste. Gjithsesi Ministria e Brendshme, e cila zakonisht ndjek një politikë shumë strikte për të mos komentuar vendimet e ndalimit, ka sinjalizuar se është e hapur ndaj perspektivës të anulimit të kësaj mase në një periudhë me afatgjatë, duke vënë në dukje se grupi është distancuar nga Al-Kaeda.

Një zëdhënës i Home Office tha: ”Që nga viti 2017, marrëdhënia e HTS me Al-Kaedën ka ndryshuar. Ka një ndarje të qartë midis dy organizatave. Situata në terren në Siri, është shumë dinamike. Prioritet duhet të ketë siguria e civilëve sirianë dhe një zgjidhje politike.

Zakonisht qeveria britanike, nuk bën komente nëse për një grup po merret në konsideratë nxjerrja nga lista e zezë e organizatave terroriste”. Kryeministri Starmer, që të dielën vizitoi Au Dabin për bisedime me liderët në Lindjen e Mesme mbi investimet dhe sigurinë, tha se është “shumë herët” për të diskutuar nëse do të ndryshojë qasja e Londrës ndaj HTS.

“Ne kemi nevojë të shohim një zgjidhje politike të krizës, dhe për këtë po diskutojmë me aleatët rajonalë. Rënia e Assad është një zhvillim pozitiv për popullin sirian. Por duhet të garantohet refuzimi i terrorizmit dhe dhunës, mbrojtja e civilëve, pakicave, dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes një procesi politik”.

I pyetur nëse pret të komunikojë me regjimin e ri, ai tha: ”Ne duhet ta shohim këtë si një mundësi për të ardhmen e Sirisë, si një e ardhme që i është mohuar prej kaq shumë kohësh sirianëve”. John Sawers, një tjetër ish-drejtues i MI6, tha se do të ishte “më tepër qesharake” nëse Londra do të refuzonte të bashkëpunonte me HTS.

Ai dhe parashikon që Ministri i Brendshëm t’u kërkojë agjencive të inteligjencës të rishikojnë statusin e saj. Ai deklaroi për Sky News: “Kur isha shef i MI6 10 apo 12 vjet më parë, i analizuam dhe klasifikuam grupimet e opozitës siriane, në ato që ne mund të mbështesnim dhe në ato që ishin shumë afër Al-Kaedës. Tahrir Al-Sham ishte padyshim në kategorinë e fundit.

Por unë mendoj se lideri i saj Abu Mohammed Al-Jolani, ka bërë përpjekje të mëdha gjatë 10 viteve të fundit për t'u distancuar nga ato grupe terroriste, përfshirë Al-Kaedën. Dhe këtë e kemi parë gjatë 2 javëve të fundit. HTS është sjellë si një lëvizje çlirimtare, dhe jo si një organizate terroriste”. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Times”

Lini një Përgjigje