TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Dhjetor 2024, 21:51

Macron po qeveris si monark, ka ardhur koha të largohet!

Shkruar nga Federico Ferraù

Macron po qeveris si monark, ka ardhur koha të largohet!

Është paradoksale që Macron i cilëson si “anti-republikane” të gjitha partitë që kanë më shumë vota. Dhe këtu qëndron problemi. Kemi një president që shpërfill vetë themelin e Republikës së Pestë: të drejtën universale të votës.

Një operacion i pamatur dhe antikushtetues që e përshpejton fundin e Republikës së Pestë.

Me fiksimin e tij për të penguar vullnetin popullor vetëm sepse nuk është ai i dëshiruari prej tij, Macron po mishëron një formë monarkie “post-republikane”.

Presidenti francez duhet të japë dorëheqjen mendon Mario Esposito, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Salentos dhe profesor në Universitetin Luiss në Romë. Sipas tij, ai po synon të çojë përpara idenë se i takon një pakice “të urtësh” të zgjedhin më të mirën, dhe jo shumicës numerike. Një operacion i rrezikshëm, ndoshta jo në Bukuresht, por me siguri në Paris.

Pas fjalimit të tij drejtuar kombit francez të enjten e shkuar dhjetor, Macron po përpiqet të shpërbëjë Frontin e ri Popullor duke i ndarë socialistët nga Mélenchon. A do t’ia dalë?

Sipas një sondazhi të gazetës franceze Le Figaro, pas miratimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Barnier, 6 në 10 francezë besojnë se Macron duhet të japë dorëheqjen. Ky opinion, pasqyron shumë mirë dinamikën që qëndron në themel të kësaj krize institucionale shumë të rëndë.

Është e vërtetë që sipas Kushtetutës së vitit 1958, presidenti nuk mban përgjegjësi për veprimet e kryera në ushtrimin e funksioneve të tij, me përjashtim të rasteve të shkeljeve të rënda, që janë të papajtueshme me ushtrimin e mandatit. Por përtej çdo hipoteze mbi mundësinë e një nisme për shkarkimin e tij, edhe Macron është bartës i një “mandati” popullor.

Çfarë nënkupton kjo?

Që edhe ai i nënshtrohet një forme të përgjegjësisë politike. Është e vërtetë që Macron u zgjodh si një kundërvënie ndaj Marine Le Pen, dhe më në përgjithësi ndaj ekstremeve të spektrit politik. Por në zgjedhjet e fundit parlamentare, shumica e votuesve u shprehën në favor të ekstremit të majtë dhe të djathtës ekstreme. Macron duhet ta ketë parasysh këtë.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, Macron akuzoi “frontin anti-republikan” që rrëzoi qeverinë Barnier. Ai premtoi të qëndrojë në detyrë, duke thënë se do të punojë për një “qeveri të interesit të përgjithshëm”...

Është paradoksale që Macron i cilëson si “anti-republikane” të gjitha partitë që kanë më shumë vota. Dhe këtu qëndron problemi. Kemi një president që shpërfill vetë themelin e Republikës së Pestë: të drejtën universale të votës. Të enjten, Macron deklaroi se dekreti i shpërbërjes së parlamentit në qershor nuk u kuptua, megjithëse ishte e nevojshme t’u jepej sërish fjala votuesve. Por votuesit u përgjigjën edhe një herë kundër Macron. Dhe mungesa e besimit tek qeveria Barnier, është thjesht pasojë e vendimit presidencial për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare.

Si mund ta thotë këtë?

Shpërbërja e parlamentit, përbënte një kthesë në kuptimin plebishitar. Në zgjedhjet evropiane, partia e Macron u kalua nga Tubimi Kombëtar. Por në vend se të jepte dorëheqjen, ai zgjodhi

të luante një kartë shumë të rrezikshme, në kufi me legjitimitetin kushtetues: të shmangte përkohësisht efektet e votës të mosbesimit në Asamblenë Kombëtare, duke shpresuar se do të ishte në gjendje të “korrigjonte” vullnetin e shprehur nga votuesit në zgjedhjet evropiane.

Por rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit nuk ishin ashtu siç priste...

Po. Pas një raundi të parë në favor të së ashtuquajturës e djathtë ekstreme, pasoi një raund i dytë, i cili e redukton suksesin e saj përmes një loje të zgjuar midis forcave politike heterogjene, pa ndonjë përputhshmëri programore midis tyre. Dhe blloku më i madh, ai i Frontit të Ri Popullor, është bartës i një kursi politik shumë të ndryshëm nga ai makronist.

Disa analistë thonë se objektivi i partive që kanë refuzuar qeverinë, është krijimi i kushteve për të fituar postin e Presidentit të Republikës....

Po dhe s’duhet të habitemi, sepse vetë Macron, me pandjeshmërinë e tij të deklaruar ndaj vullnetit të votuesve - e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga Elizeja deri në fund të mandatit të tij - po tregon se presidenti mund të kufizojë shumë, në mos edhe të shfuqizojë regjimin parlamentar.

Si?

Duke përfituar nga dispozita kushtetuese që imponon një interval prej të paktën 10 muajsh midis dy shpërndarjeve të parlamentit, Macron ka hapësirë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll deputetët dhe bashkë me ta edhe francezët.

Më herët folët për “regjimin e lashtë”, ku e shihni këtë qasje?

Në fjalën” e tij drejtuar francezëve, Macron foli për palët dhe mosmarrëveshjet e tyre, sikur ata të ishin përfaqësuesit që u ulën në Shtetet e Përgjithshme: pra mbreti “bisedon” me ta, por fuqia e tij vendimmarrëse mbetet e paprekur. Ajo që ka rëndësi nuk është aq shumë shumica numerike, por parimi kryesor: në fund u takon njerëzve të mençur që të zgjedhin cila është më e mira e vendit. Megjithatë, ekziston një element që do të ishte shumë i rrezikshëm të nënvlerësohej.

Nga Elizeja apo Brukseli?

Nga të dyja.

Cila?

Janë vetë francezët dhe historia e sovranitetit të tyre.

/ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”

Lini një Përgjigje