
Udhëheqësit izraelitë, e kuptojnë se vrasjet e gati njëkohshme të Shukr dhe Haniyeh - dhe fakti që metodat e eliminimit të tyre e poshtëruan Iranin - ka të ngjarë ta nxisin Teheranin, dhe ndoshta grupet e tjera të armatosura që ai mbështet, të hakmerren në një shkallë të gjerë.
Lufta 10-mujore midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, e zgjeroi me shpejtësi ndikimin e saj, duke shkaktuar përshkallëzime të rrezikshme ushtarake në të gjithë Lindjen e Mesme. Kështu, kemi parë përleshje vdekjeprurëse në kufirin izraelito-libanez, sulme të rebelëve Huthi në Detin e Kuq dhe Tel Aviv, sulme nga milicitë e tjera të mbështetura nga Irani kundër forcave amerikane në Irak dhe Siri, madje edhe përleshje të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Iranit.
Ndërkohë, javën e kaluar Izraeli mori përgjegjësinë për vrasjen në Bejrut të Fuad Shukr, një komandant i lartë i Hezbollahut, në shenjë hakmarrjeje për një sulm me raketa në Lartësitë Golan. Por edhe të Ismail Haniyeh, udhëheqësit politik të Hamasit, në Teheran.
Kjo goditje e dyfishtë, bëri që shumë vëzhgues t’i frikësohen shpërthimit të një lufte rajonale me pasoja edhe më katastrofike. Po përse Izraeli po i përshkallëzon tani veprimet e tij në një mënyrë kaq të rrezikshme? Sigurisht, sulmet e saj të fundit nuk janë në vetvete të paprecedenta.
Ky vend, ka një histori të gjatë të vrasjeve të liderëve palestinezë, teksa ka vrarë qindra luftëtarë të Hezbollahut në Liban dhe Siri. Po ashtu, Izraeli ka treguar prej kohësh aftësitë e mëdha të shërbimeve sekrete, të cilat i japin mundësi të depërtojë thellë brenda Iranit.
Raundet e mëparshme të përshkallëzimit gjatë 10 muajve të fundit, nuk çuan në një luftë të gjithanshme rajonale. Por asgjë nuk është e garantuar, sepse përllogaritjet racionale të çdo shteti që parashikojnë vetëpërmbajtjen e palës së goditur, mund të kapërcehen papritur nga ngjarjet në terren, duke çuar në llogaritje të gabuara apo edhe në vendime të qëllimshme strategjike për të provokuar një konflikt më të gjerë.
Udhëheqësit izraelitë, e kuptojnë se vrasjet e gati njëkohshme të Shukr dhe Haniyeh - dhe fakti që metodat e eliminimit të tyre e poshtëruan Iranin - ka të ngjarë ta nxisin Teheranin, dhe ndoshta grupet e tjera të armatosura që ai mbështet, të hakmerren në një shkallë të gjerë.
Për të kuptuar llogaritjet aktuale të Izraelit, është e rëndësishme të vlerësojmë se si ka ndryshuar gjendja psikologjike e vendit që nga 7 tetori 2023. Përpara sulmit të Hamasit, besimi i Izraelit tek vetja kishte arritur kulmin. Ai kishte arritur të besonte se shtetet arabe do ta pranonin më në fund si shtet, edhe nëse s’do ta zgjidhte konfliktin e tij me palestinezët.
Po ashtu, besonte se mund të godiste Iranin dhe aleatët e tij praktikisht pa pasur pasoja, ose duke rrezikuar mbështetjen që gëzon nga Shtetet e Bashkuara. Më pas, thuajse brenda natës, ky besim u shndërrua në një ndjenjë dobësie të madhe. Gjatë një vizite që zhvillova në fund të qershorit në Tel Aviv, ekspertët e sigurisë dhe ish-zyrtarët e mbrojtjes dhe të inteligjencës, më thanë vazhdimisht se 7 tetori kishte përmbysur shumë nga besimet e mëparshme të Izraelit mbi fuqinë e tij.
Sulmi i Hamasit, rrëzoi supozimet kryesore të izraelitëve:se epërsia e tyre ushtarake dhe teknologjike mund t’i frenojë kundërshtarët, se ata mund të jetojnë të sigurt pas mureve dhe kufijve të fortifikuar, dhe se mund të përparojnë ekonomikisht pa bërë përparime të mëdha në procesin e paqes me palestinezët.
Tani, shumë njerëz institucionet e sigurisë po e pranojnë se “Izraeli nuk është aq i fortë sa mendonte”, siç më tha troç një ish-zyrtar i sigurisë kombëtare. Shumë izraelitë që studiojnë ose punojnë në organet e sigurisë kombëtare, janë zemëruar me qeverinë e tyre për dështimet e mëdha gjatë dhe pas 7 tetorit.
Por ata janë të zemëruar edhe nga mosndëshkimi i liderëve, që nuk arritën ta mbanin vendin të sigurt. Mosbesimi ndaj qeverisë është shumë i përhapur. Kryeministri Benjamin Netanyahu mund të ketë marrë duartrokitje të vazhdueshme gjatë fjalimit në Kongresin e SHBA-së në fund të korrikut, por këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Tzachi Hanegbi, mezi mund të thoshte dy fjalë gjatë konferencës izraelite të sigurisë në Herzliya disa javë më parë.
Të pranishmit e kritikuan atë dhe akuzuan qeverinë për neglizhencë të sigurisë së Izraelit, dhe për dështimin e lirimit të pengjeve që ende lëngojnë në Gaza. Edhe brenda Izraelit, ekziston një perceptim i përhapur se Netanyahu mund të jetë duke e zgjatur luftën vetëm për mbijetesën e tij politike.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë të angazhua në shumë fronte, nga Gaza në Bregun Perëndimor në veri të Izraelit dhe më gjerë. Përpjekja e Netanyahut për ta reformuar gjyqësorin e vendit në gjysmën e parë të vitit 2023, kishte krijuar përçarje serioze midis liderëve civilë dhe drejtuesve të lartë të ushtrisë.
Mijëra rezervistë kërcënuan se nuk do të paraqiteshin në detyrë. Nga ana tjetër, ushtria përballet ende me kërcënime të paprecedenta nga ekstremistët vendas, përfshirë nga brenda radhëve të saj dhe të qeverisë. Vetëm javën e kaluar, aktivistë dhe politikanë të krahut të djathtë, sulmuan një nga bazat e ushtrisë izraelite për të protestuar kundër ndalimit të rezervistëve të akuzuar për abuzime me të burgosurit palestinezë.
Izraeli po humb ndjeshëm mbështetjen ndërkombëtare, për shkak të numrit të madh të të vrarëve dhe shkatërrimeve në Gaza. Efekti që pati sulmi i Iranit mbi Izrael në prill me qindra raketa, tregoi se Tel Avivi bëri një llogaritje të gabuar kur shënjestroi personelin e Gardës Revolucionare Islamike në një ndërtesë në Damask, të cilën iranianët e shihnin si një seli diplomatike.
Izraelitët nuk e parashikuan një përgjigje kaq të paprecedentë, masive dhe të drejtpërdrejtë, që përfshiu me qindra dronë dhe raketa të lëshuara nga territori iranian. Shumë analistë izraelitë të sigurisë, janë të shqetësuar për dobësimin e pozitës rajonale të Izraelit.
Ata shqetësohen se Irani dhe aleatët e tij po fitojnë fuqi, dhe se mund të nxitet më tej për të forcuar aftësitë e tij edhe me armë bërthamore, nëse beson se nuk është mjaftueshëm në gjendje ta pengojë Izraelin përmes mjeteve konvencionale. E megjithatë lidershipi politik i Izraelit, vazhdon t’i thotë popullit të tij se vendi i tyre po fiton.
Analistët e kujdesshëm izraelitë, flasin për një ndjenjë kërcënimi ekzistencial, që ata e përshkruajnë si të ndryshëm nga ajo që kanë ndier që nga pavarësia e vendit në vitin 1948. Pra në dallim nga viti 1948, vuri në dukje një ish-zyrtar i lartë, Izraeli nuk po merr parasysh mësimet e kryeministrit të tij, themelues të Izraelit, David Ben-Gurion.
Mënyrat më të mira për të kompensuar dobësinë, këshillonte Ben-Gurion, ishin forcimi i kohezionit social, thellimi i marrëdhënieve diplomatike dhe ndjekja e paqes. Mjerisht, Izraeli po lëviz në drejtimin e kundërt në të gjitha frontet. Në vizitën time të fundit, njës ish-zyrtar i qeverisë më tha se “populli po ndryshon”.
Por duke pasur parasysh perceptimin dhe realitetin e cenueshmërisë në rritje - dhe besimin e izraelitëve se do ta ruajnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara - Izraeli ka të ngjarë të mbajë një qëndrim agresiv në rajon, edhe nëse kjo rrit rrezikun e një lufte më të gjerë rajonale.
Përfundimi i luftës në Gaza, do të ndihmonte në reduktimin e kërcënimeve të frikshme me të cilat përballet tani Izraeli, edhe pse raundi aktual i përshkallëzimit nuk ka gjasa ta sjellë më afër një marrëveshje armëpushimi apo lirimin e pengjeve të mbetura izraelitë. Operacionet ushtarake mbresëlënëse, mund të japin iluzionin e fitores, por vetëm një paqe e qëndrueshme me palestinezët mund të sjellë një siguri të vërtetë./Përshtati "Pamfleti" nga “Foreign Affairs”
*Shënim:Dalia Dassa Kaye, anëtare e Qendrës Burkle për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë.
Lini një Përgjigje