
Ai luan një rol të rëndësishëm në politikën e sanksioneve. Dhe nëse ekipi i Musk ka qasje, dhe mund të rishkruajë kodin që drejton pagesat e qeverisë amerikane, rreziqet për sigurinë kibernetike dhe të privatësisë do të ishin shumë të mëdha.
Vetëm pak javë më parë, kërcënimi më i madh për sistemet kompjuterike të qeverisë amerikane, dukej se ishte depërtimi në to i fuqive të huaja armiqësore dhe vjedhja e të dhënave. Në fund të dhjetorit 2024, zyrtarët e Departamentit të Thesarit u dërguan një letër anëtarëve të Kongresit.
Ata raportuar se një grup kinez, kishte hakeruar sistemet e tyre dhe vjedhur dokumente të paklasifikuara. Departamenti tha se po punonte me Agjencinë Amerikane të Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës si dhe me FBI-në për të vlerësuar dëmin e shkaktuar.
Por ditët e fundit, është shfaqur një kërcënim shumë më urgjent. Një kërcënim që e ka origjinën në shtëpi: sipërmarrësi miliarder Elon Musk dhe ekipi i tij i inxhinierëve nga i ashtuquajturi Departamenti i Efiçencës Qeveritare, pretendojnë të kenë qasje të gjerë në sistemet jetike që trajtojnë informacione të ndjeshme dhe të klasifikuara në disa agjenci qeveritare.
Në një seancë dëgjimore përpara një gjykatësi federal këtë javë, avokatët e administratës Trump, thanë se Musk nuk kishte qasje personale në të dhënat e ndjeshme të Departamentit të Thesarit. Ata e pranuan se “punonjësit e posaçëm të qeverisë” të lidhur me DOGE do të kenë qasje “vetëm për lexim” të informacioneve, dhe nuk do ta shpërndajnë atë me njerëzit e tjerë që punojnë me këtë strukturë.
Por edhe duke lënë mënjanë ligjshmërinë e lëvizjeve të DOGE, disa prej të cilave duken të paligjshme dhe antikushtetuese, por edhe rreziqet e dukshme të cënimit të privatësisë së amerikanëve nga shkelja e të dhënave të ndjeshme, ekziston një arsye tjetër për t’u alarmuar: aktivitetet e Musk, përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Mendoni pak se çfarë mund të mendojnë shërbimet sekrete të vendeve aleatëve por edhe kundërshtarëve të SHBA-së, kur presidenti amerikan i jep një qasje gjithë-përfshirëse në sistemet bazë një ekipi të rinjsh që nuk ka përvojë qeveritare, të cilët mund të mos i jenë nënshtruar proceseve standarde të verifikimit të figurës, dhe që punojnë për një figurë publike me peshë, të pazgjedhur me votë, dhe që ka interesa të mëdha personale në shpenzimet e sigurisë kombëtare.
Kundërshtarët e Amerikës me siguri që shohin një mundësi të artë për spiunazh dhe shantazh. Aleatët e SHBA-së, të mësuar të bëjnë biznes dhe të ndajnë përditë informacione me Shtetet e Bashkuara, ka të ngjarë të nisin të kenë shumë kujdes tani e në vazhdim.
Edhe nëse Musk nuk ka arritur ende të depërtojë në sistemet e agjencive kryesore të sigurisë kombëtare, tani ekziston një mundësi shumë reale që ai ta bëjë këtë. Ndaj është e sigurt që qeveritë e huaja, mike dhe armike të Uashingtonit, po i kushtojnë zhvillimeve një vëmendje të madhe.
Qëllimi zyrtar i DOGE është të identifikojë dhe eliminojë shpenzimet federale të kota. Sigurisht, elementë të burokracisë do të përfitonin nga kjo reformë. Askush nuk e mohon se në pushtetin ekzekutiv ka shpërdorime, mashtrime dhe abuzime.
Dhe është normale që shumica e punonjësve federalë, të cilët tradicionalisht kanë qasje në këto sisteme, të jenë të panjohur për publikun. Por nuk është normale që një qasje e tillë t’u jepet njerëzve që janë të panjohur për agjencitë e sigurisë, që verifikojnë punonjësit e qeverisë, të pa trajnuar në sistemet qeveritare, dhe që marrin urdhra nga një person si Musk, i cili nuk ka autoritet ligjor për të marrë vendime në lidhje me buxhetin federal dhe personelin federal, dhe që për më tepër ka potencialisht konflikte të mëdha interesi.
Ndonëse sindikatat që përfaqësojnë punëtorët federalë e kanë paditur në gjykatë autoritetin vendimmarrës të Musk dhe qasjen e tij në këto sisteme, dhe 13 prokurorë të përgjithshëm të shtetit kanë njoftuar synimin e tyre për të bërë padi të reja mbi këto çështje, çështjet gjyqësore do të kërkojnë kohë për t’u përfunduar.
Deri atëherë dëmi mbi sigurinë e vendit do të jetë bërë. Besimi institucional, dhe qartësia se kush ka qasje në informacione të ndjeshme dhe autoritet brenda institucioneve, janë jetike për sigurinë e SHBA-së. Duke i dëmtuar sistemet që synojnë të mbrojnë publikun, administrata Trump jo vetëm që e ka reduktuar në mënyrë dramatike mundësinë për reforma të vërteta, por e ka vënë në rrezik SHBA-në.
Musk dhe ekipi i tij, kanë sot qasje në sisteme që përmbajnë informacione shumë të ndjeshme, përfshirë të dhënat personale të çdo amerikani që merr pagesa nga qeveria amerikane, si sigurimet shoqërore, rimbursimet e taksave dhe përfitimet e veteranëve. Përveç anëtarëve të ekipit të Musk, një inxhinier që ka punuar për Musk dhe ka pasur shumë privilegje në nivel administratori, kishte aftësinë jo vetëm të lexonte por edhe të shkruante kodin e hyrjes në sistemin e Byrosë së Shërbimit Fiskal.
Ai dha dorëheqjen më 6 shkurt, pasi Wall Street Journal e lidhi atë me një llogari në X tashmë të fshirë që përmbante postime raciste. Por dëmtimi i sistemeve të sigurta. dhe dëmtimi i besimit në to mund të ketë ndodhur tashmë. Departamenti i Thesarit është një aktor i rëndësishëm i politikës së jashtme në vetvete.
Ai luan një rol të rëndësishëm në politikën e sanksioneve. Dhe nëse ekipi i Musk ka qasje, dhe mund të rishkruajë kodin që drejton pagesat e qeverisë amerikane, rreziqet për sigurinë kibernetike dhe të privatësisë do të ishin shumë të mëdha.
Shërbimet sekrete të vendeve armike, ka të ngjarë të jenë duke punuar për të vlerësuar se cilët anëtarë të ekipit të Musk mund të jenë të ngathët me pajisjet e tyre dixhitale ose të cenueshëm ndaj kurthit apo shantazhit. Dhe zyrtarët e Departamentit të Thesarit, ka të ngjarë të jenë të shqetësuar se një kodi i pa testuar i përdorur nga njerëzit e Musk, mund të sjellë kolapsin e sistemit të pagesave.
Madje punonjësit e DOGE kërkuan qasje në sistemet e klasifikuara, për të cilat nuk kishin autorizim. Ata u paraqitën më 27 janar në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilën administrata Trump duket se synon ta çmontojë si një agjenci e pavarur qeveritare, pa u konsultuar me Kongresin.
Pastaj ekziston rreziku i korrupsionit dhe konflikteve të interesit, që cenojnë sigurinë kombëtare. Sociologia Elizabeth Popp Berman, ka shpjeguar se dhënia e kontrollit të drejtpërdrejtë të shtyllës së financimit federal për presidentin dhe agjentët e tij, është jodemokratike, pasi ju jep atyre mundësinë për të privuar nga fondet e caktuar me ligj nga Kongresi cilindo që shihet si kundërshtar politik, ndërkohë që shpenzon para për të shpërblyer aleatët politikë, dhe që të gjitha këto pa miratimin e Kongresit./Përshtati "Pamfleti" nga "Foreign Affairs”
*Shënim:James Goldgeier, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Amerikan dhe bashkëpunëtor me Universitetin Stanford. Elizabeth N.Saunders, profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin e Kolumbias, Nju Jork.
Lini një Përgjigje