TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Shkurt 2025, 19:31

Jo dhurata gjeopolitike, zgjerimi i BE-së në Ballkan do të bazohet vetëm në merita!

Shkruar nga Malik Haddou

Jo dhurata gjeopolitike, zgjerimi i BE-së në Ballkan do të

Por ajo që nevojitet është largpamësia dhe qëndrueshmëria e vendeve kandidate.

Deri në vitin 2029, Bashkimi Evropian mund të mirëpresë 2 ose 3 vende të reja anëtare. Ky do të ishte një përshpejtim i zgjerimit që nuk është parë prej një dekade. Një synim ambicioz, i konfirmuar më 15 janar nga Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e Komisionit të ri Evropian të drejtuar sërish nga Ursula von der Leyen. Ndërsa rikujtoi se ky zgjerim i ri u nxit kryesisht nga pushtimi rus i Ukrainës, Kos përsëriti se “nuk do të ketë dhurata” ndaj disa vendeve në krahasim me të tjerët, pasi “procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në merita”.

Po ashtu, theksoi se deri në fund të presidencës polake të Këshillit Evropian më 30 qershor “në negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë, mund të hapen një ose dy grupime kapitujsh të anëtarësimit që mbulojnë fusha specifike, si ekonomia apo drejtësia”

Përveç kësaj, synohet të arrihet progres në disa kapituj të tjerë në Ballkanin Perëndimor. “Zgjerimi i Bashkimit është instrumenti kryesor gjeostrategjik i Bashkimit Evropian”- thotë për Linkiesta Alice Krutilová, zëdhënëse e Përfaqësisë së Përhershme të Republikës Çeke në Bruksel.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky këmbënguli në hapjen e të gjithë kapitujve, duke marrë një përgjigje të dykuptimtë: “Problemi nuk është hapja por mbyllja e tyre!”, që e vë theksin tek rëndësia e reformave të qëndrueshme dhe rolin e vetë vendeve në kryerjen e tyre.

Referenca është e qartë: hapat prapa të Gjeorgjisë vitet e fundit në lidhje me demokracinë dhe bllokada pasuese e Bashkimit Evropian në procesin e tij të integrimit, kufizojnë për momentin çdo lloj deklarate mbi të ardhmen e afërt.

Një aspekt tjetër thelbësor i procesit të anëtarësimit, mbetet përafrimi me qëndrimet e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, siç është për shembull miratimi i sanksioneve kundër Rusisë dhe respektimi i vlerave evropiane të parashikuara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian (i konsideruar si “guri themeltar i zgjerimit”).

Këtu përfshihet respektimi i dinjitetit njerëzor, të drejtat themelore (përfshirë ato të pakicave) dhe mbrojtja e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës. Siç theksoi Kos “nëse do të kishim ndjekur vetëm kriterin gjeopolitik, do t’i kishim anëtarësuar tashmë të gjitha vendet kandidate”.

Por ajo që nevojitet është largpamësia dhe qëndrueshmëria e vendeve kandidate. Krutilová thekson se është thelbësore “ruajtja e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit”, duke shtuar se “ritmi i procesit varet nga kandidatët”.

Nëse një vend kandidat bën pjesën e tij, edhe Bashkimi Evropian duhet të bëjë pjesën e tij”-thekson ajo. Komisioni Evropian vazhdon të mbështesë zgjerimin përmes ndihmës humanitare dhe financiare, që synon t’i nxisë vendet kandidate të përshpejtojnë reformat e nevojshme, dhe njëherazi t’i afrojnë ato me sferën evropiane të ndikimit.

Më 13 janar, u njoftua dhënia e një fondi të ri prej 148 milionë eurosh, duke synuar zonat që konsiderohen thelbësore në Ukrainë, si “ndihma urgjente, duke përfshirë ushqimin, strehimin, ujin e pijshëm, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen gjatë dimrit”, duke e çuar në mbi 1.1 miliardë euro totalin e fondeve të dhëna nga Komisioni.

Fonde shtesë u miratuan më 10 dhjetor të vitit të kaluar edhe për Moldavinë, kur Komisioni vendosi të jepte 50 milionë euro (45 në kredi dhe 5 në grante). Ky është kësti i pestë dhe i fundit i ndihmës së nisur që në korrik 2022. Totali i ndihmës së marrë nga Kishinau arrin pothuajse 300 milionë euro.

Këto fonde u përcaktuan në mënyrë specifike për konsolidimin e vlerave demokratike dhe ekonomike të vendosura nga kriteret e Kopenhagës, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës, përfundimin e reformës në gjyqësor dhe qartësimin e kompetencave të institucioneve kundër korrupsionit.

Ky transformim social, ekonomik dhe politik nuk është vetëm një domosdoshmëri sigurie për zgjerimin e bllokut, por edhe një mundësi që kandidatët të marrin lloje të ndryshme ndihme që të përparojnë reformat në fusha të ndryshme. I tillë është rasti i Armenisë, e cila tani po përgatitet të hyjë në rrugën e anëtarësimit.

Komisionerja e Zgjerimit tha se kërkesa për anëtarësim do të pranohet nëse dorëzohet, duke komentuar njoftimin e kryeministrit armen Nikol Pashinyan më 10 janar se do të paraqiste një projektligj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Jerevani, ashtu si Kishinau, është ende shumë i varur nga Moska, si ekonomikisht, ashtu edhe në tregti dhe energji. Por gjatë vitit të kaluar, u rritën eksportet armene në 14 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Por lajmi i parë i madh pritet nga Ballkani.

Në fakt, janë Tirana dhe Podgorica janë më afër se të tjerët me anëtarësimit në BE, ku Mali i Zi pritet të “përfundojë negociatat deri në vitin 2026, ndërsa Shqipëria synon t’i përfundojë deri në fund të 2027-ës”. Në mars të vitit të kaluar, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e pranimit me Bosnje Hercegovinën.

Vetëm Serbia duket se po distancohet, për shkak të lidhjeve të ngushta mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe Moskës. Prandaj, ne po përballemi me një zgjerim me përmasa historike, të krahasueshme me periudhën 2004-2007, kur bllokut iu bashkuan 12 vende të reja.

Megjithatë, nëse nga jashtë gjithçka duket se po shkon mirë, nga brenda ekziston nevoja e fortë për t’u ribashkuar dhe për të mos u dorëzuar para lëvizjeve populiste dhe pro-ruse. Instituti kërkimor Bruegel, rikujton se 15 vitet e fundit sistemi i qeverisjes së Bashkimit Evropian, është vënë në provë nga qeveria e Viktor Orbán në Hungari - që sapo është takuar me Aleksandar Vuçiç për të “forcuar bashkëpunimin dypalësh” - si dhe nga dobësimi progresiv i mekanizmave të kontrollit ndaj pushtetit ekzekutiv në Poloni dhe Sllovaki.

Në rast se kjo tendencë do të zgjerohej më tej, ekziston rreziku i paralizimit të procesit të vendimmarrjes së BE-së. Për shkak të evolucionit të tij historik strukturor, unioni bazohet tek “bashkëpunimi i sinqertë”, dhe në respektimin vullnetar të marrëveshjeve nga shtetet anëtare.

Pra ka mekanizma zbatues relativisht të dobët. Prandaj, zgjerimi mund të jetë vërtet i sigurt dhe t’i tërheqë këto vende kandidate, vetëm nëse dëshmon se është në gjendje të garantojë fillimisht vlerat e tij themeluese, duke filluar nga brenda, dhe më pas t’i projektojë ato drejt tyre./Përshtati "Pamfleti" nga “Linkesta”

Lini një Përgjigje