
A do të jenë në gjendje të rregullojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit ushtarak, për t’iu përgjigjur sfidave që vijnë ende nga Lindja dhe jo nga Perëndimi?
Kjo u theksua nga zyrtarët e BE-së në takimin e kësaj jave të organizuar nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa mbi çështjen e mbrojtjes evropiane. Aktualisht Evropa po vë në pikëpyetje të ardhmen e aleancës transatlantike, pavarësisht vërejtjeve të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili mori pjesë në këtë takim.
Kjo qasje, ka qenë një fiksim i liderëve evropianë ndaj Donald Trump si kandidat dhe tani si president. Takimi dhe deklaratat që u bënë atje, na rikujtojnë fjalët e presidentit Gamal Abdel Nasser pas disfatës së rëndë të Egjiptit në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967.
Kur dha dorëheqjen pas disfatës, ai deklaroi: ”Armiku, të cilin ne e prisnim nga Lindja dhe Veriu, na sulmoi nga Perëndimi!”. Shumë njerëz menduan se deklarata e tij lidhej me fushën e betejës, por në fakt kishte të bënte me mbrojtjen politike dhe atë ushtarake.
Nasser priste që kurthi të vinte nga SHBA-ja, kur në fakt tradhtia erdhi nga Bashkimi Sovjetik. Pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo, sot vëmë re se janë rreziqet që vijnë nga Lindja, ato që duhet ta kishin shtyrë Evropën të investonte më shumë në mbrojtje, veçanërisht që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Megjithatë, një president i ri në moshë në Perëndim, është bërë shkas për rikthimin e vëmendjes në këtë sektor. Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi këtë javë se Franca do të dyfishojë buxhetin e saj të mbrojtjes.
Ai tha se rritja do të bëhet pas hartimit të dy projekligjeve të reja, dhe do të shoqërohet me nisma të reja të mëdha në këtë sektor. “Unë u bëj thirrje të gjithë partnerëve tanë që të bëjnë të njëjtën gjë”- tha Macron, duke theksuar nevojën për veprim kolektiv.
Ai theksoi se sigurimi i kufijve të Francës mbetet prioriteti ynë kryesor. Është interesant fakti që ai zgjodhi të përmendë në të njëjtën kohë tensionet e vazhdueshme tregtare me SHBA-në. Macron paralajmëroi se nëse SHBA-ja e sfidon Evropën për çështjet tregtare, ajo duhet të kundërpërgjigjet me masat e duhura për të siguruar respektin e Uashingtonit.
Pra duket se është Perëndimi ai që i shqetëson francezët dhe jo Lindja. Pyetja që mbetet është: A duhet të jetë Perëndimi burim shqetësimi? Tensionet tregtare nuk janë të reja. Unë do të përmend si shembull vetëm një rast, pasi lidhet me sektorin e mbrojtjes: konkurrenca historike midis kompanive Boeing dhe Airbus.
Ajo është një mosmarrëveshje e vjetër tregtare midis SHBA-së dhe Evropës, me akuza reciproke për subvencione të padrejta, dhe madje edhe me ankesa në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ndërkaq ka pasur një ndryshim në pikëpamjet në lidhje me tregtinë me Kinën, ku Evropa ishte më e hapur, edhe gjatë presidencës së Joe Biden.
Realiteti është se Trump e nxiti Evropën të shpenzonte më shumë për mbrojtjen e saj që gjatë presidencës së tij të parë, pra përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Muajin e kaluar, ai i shtyu vendet anëtare të NATO-s të rrisin objektivin e tyre të shpenzimeve në mbrojtje nga 2 në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Megjithatë, ajo që mund t’i frikësojë më shumë evropianët, është se Trump shtoi se ata duhet të japin të njëjtën mbështetje si Uashingtoni për Ukrainën. Për momentin ky duket si një mision i pamundur.
Pavarësisht kësaj, në telefonatën e parë të javës së kaluar midis Rutte dhe Sekretarit të ri të Mbrojtjes të SHBA, Pete Hegseth “të dy liderët theksuan rëndësinë e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes aleate”, duke qenë në të njëjtën linjë me nxitjen e Trump për kontribute më të larta të vendeve të NATO-s.
Dhe kjo është veçanërisht problematike, sepse ashtu si SHBA-ja, shumë vende evropiane janë të zhytura në borxhe. Por ndryshimet mund të vijnë edhe më befas sesa pritej, veçanërisht të hyjë në veprim Departamenti Amerikan i Efikasitetit të Qeverisë.
Është e drejtë që të marrë fund bujaria e verbër. Duam apo nuk duam ne, në piramidën e nevojave të sotme mbrojtja është e para. A do të munden evropianët të shkojnë përtej deklaratave të tyre dhe të kompensojnë vitet e humbura?
A do të jenë në gjendje të rregullojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit ushtarak, për t’iu përgjigjur sfidave që vijnë ende nga Lindja dhe jo nga Perëndimi? A do të bien dakord se çfarë duhet bërë në nivel kombëtar dhe çfarë në nivelin e BE-së për të përmirësuar proceset, për të rritur efikasitetin dhe për të ulur kostot?
Këto debate kanë vazhduar për një kohë të gjatë, pa u pasuar nga ndonjë veprim real. Edhe këtu një tjetër pikë i përçan evropianët. Macron është i fokusuar në nxitjen e përmirësimit të sistemeve ushtarake të projektuara dhe prodhuara brenda Evropës.
Ndërkohë, liderë të tjerë evropianë kanë shprehur shqetësime se përjashtimi i prodhuesve amerikanë të armëve nga subvencionet e BE-së, mund të provokojë Trumpin. Unë besoj se vizioni i Macron është shumë i cekët, dhe shmang edhe një herë rezultatet reale strategjike për t’u fokusuar tek çështja e gabuar.
Kjo është edhe arsyeja pse një zgjidhje gjithë-evropiane, nuk është realisht opsioni i duhur. Reflektimi i vërtetë, duhet të jetë se si sistemet ushtarake amerikane mund të rrisin fuqinë e ushtrive evropiane dhe anasjelltas. Pra, evropianët duhet të shmangin debatet shterpë dhe të kota dhe të fokusohen tek interesat e tyre reale strategjike dhe në vullnetin për t’i arritur ato.
Kjo do të nxiste respekt dhe do të forconte aleancën me SHBA-në. Fakti që evropianët gjenden sot të bllokuar midis Lindjes dhe Perëndimit më kujton fabulën e Ezopit “Milingona dhe karkaleci” e ritreguar nga Jean de la Fontaine.
Historia e shkurtër thotë se milingona punoi shumë gjatë gjithë verës, ndërsa karkaleci kërcente dhe këndonte. Me ardhjen e dimrit, ky i fundit i kërkoi ndihmën e të parës, e cila iu përgjigj: “Po çfarë bëtë ju gjatë gjithë verës? Po këndonit? Epo atëherë, vallëzoni tani”. Evropa po përballet me dimrin, ndaj është koha për t’i përveshur mëngët dhe filluar nga puna.
Shënim:Khaled Abou Zahr, drejtues i EurabiaMedia dhe redaktor i Al-Watan Al-Arabi./ Përshtati "Pamfleti" nga “Arab News”
Lini një Përgjigje