
Duke e shtuar më tej presionin, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të tërheqë garancitë e sigurisë që kanë qenë vendimtare për Evropën dhe Japoninë, se do largohet nga shumë organizata ndërkombëtare apo do të vendosë tarifa tregtare për miqtë dhe armiqtë.
“Bota e vjetër po vdes, dhe bota e re po përpiqet që të lindë: tani është koha e përbindëshave!”. Ky citim i famshëm, që shpesh i atribuohet Antonio Gramscit, duket sot shumë i rëndësishëm, pasi rendi ndërkombëtar që e ka përcaktuar shekullin e kaluar, po pëson një ndryshim të madh.
Ky rend është formuar nga dy momente kryesore historike. I pari erdhi pas vitit 1945, kur sistemi aktual ndërkombëtar u krijua përmes krijimit të Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të Bretton Woods. Ndërsa i dyti ndodhi në vitin 1989, me rënien e Murit të Berlinit, që shënoi fitoren e Perëndimit në Luftën e Ftohtë.
Që atëherë, kemi jetuar në një botë unipolare, të karakterizuar nga një shkallë e lartë e integrimit global. Rregullat dhe normat që formësuan marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare u mbështetën nga garancitë e sigurisë së SHBA-së dhe u rrënjosën në besimin se ndërvarësia ekonomike, do të kapërcente rivalitetet gjeopolitike dhe do të nxiste zhvillimin.
Sot bota është shumë ndryshe. Është një botë shumëpolare, me Kinën, Rusinë, Indinë, Turqinë, Brazilin, Afrikën e Jugut dhe shtetet e Gjirit Persik që po e sfidojnë rendin e vjetër, së bashku me fuqitë e tjera në zhvillim, të cilat po kërkojnë më shumë zë në formësimin e rregullave të sistemit ndërkombëtar.
Ndërkohë, është zbehur besimi tek “vlerat universale” dhe ideja e një “komuniteti ndërkombëtar”, pasi shumë njerëz denoncuan hipokrizinë e vendeve të pasura që prodhuan vaksina për të gjithë gjatë pandemisë së Covid -19 dhe reaguar me solidaritet të madh ndaj luftës në Ukrainë, në krahasim me dështimet për të vepruar në përgjigje të krizave humanitare në Gaza, Sudan dhe shumë vende të tjera.
Ndërkohë duke e shtuar më tej presionin, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të tërheqë garancitë e sigurisë që kanë qenë vendimtare për Evropën dhe Japoninë, se do largohet nga shumë organizata ndërkombëtare apo do të vendosë tarifa tregtare për miqtë dhe armiqtë.
Po çfarë ndodh më pas, kur garantuesi i sistemit largohet prej tij? Ne mund të shkojmë drejt një bote pa rend, në të cilën rregullat zëvendësohen nga forca, një mjedis ky shumë i vështirë për vendet më të vogla. Ose mund të jetë një botë e blloqeve të mëdha rajonale, me Shtetet e Bashkuara që dominojnë hemisferën e saj, Kinën që mbizotëron mbi Azinë Lindore dhe Rusia që e rikonfirmon kontrollin e saj mbi vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Ne mund ta gjejmë rrugën drejt një rendi të ri të bazuar në rregulla, që e pasqyron më saktë botën tonë shumëpolare. Por që të arrijmë atje, duhet të kuptojmë më mirë arsyet pse dështoi rendi i vjetër. Për vendet në zhvillim, sistemi ndërkombëtar nuk arriti të përshtatej për t’u dhënë zërin e duhur.
Ndërsa tek ekonomitë e zhvilluara, një faktor i anashkaluar është dështimi i kontratave sociale në nivel kombëtar për t’iu përshtatur zhvillimeve në ekonominë botërore. Kontratat sociale - rregullat, normat, të drejtat dhe detyrimet që mbështesin kohezionin kombëtar dhe stabilitetin politik - ndikojnë në gjithçka, nga mënyra se si familjet janë të organizuara, deri tek ajo se si adresohen sfidat si papunësia, sëmundjet dhe plakja.
Dështimi i tyre për të ofruar zhvillim, siguri dhe identitet të përbashkët ishte veçanërisht i madh tek ekonomitë e përparuara, që dikur shërbenin si arkitektë dhe gardianë të rendit të vjetër. Shembulli më i qartë i sfidave tona aktuale, mund të gjendet tek sondazhet që pyesin prindërit nëse mendojnë se fëmijët e tyre do të jenë më mirë apo më keq se ata.
Gati në çdo ekonomi të përparuar - sidomos në Evropë, SHBA dhe Japoni - prindërit besojnë në masë të madhe se fëmijët e tyre do të jenë më keq. Ndërkohë, gati në çdo vend në zhvillim, e vërtetë është e kundërta. Njerëzit që rriten gjatë periudhave të rritjes ekonomike së ngadaltë dhe të lëvizshmërisë sociale së kufizuar, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një mentalitet me shumën zero.
Ndërsa ekonomitë e përparuara, ku rritja ka ngecur dhe lëvizshmëria sociale ka rënë, mbështetja për politikën me shumën zero, është rritur si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, duke nxitur ngjitjen në pushtet të udhëheqësve që zotohen të mbrojnë zgjedhësit e tyre nga kërcënimet e perceptuara që vijnë nga jashtë.
Ne nuk mund të ndërtojmë një rend të ri global, të qëndrueshëm dhe bashkëpunues, dhe nga i cili të përfitojnë të gjithë, pa riparuar më parë kontratat sociale kombëtare. Kur njerëzve u mungon siguria dhe mundësitë në shtëpi, ata izolohen nga frika e konkurrencës dhe migrimit.
Shoqëritë e përçara dhe plot shqetësime bëhen një terren pjellor për populizmin, nacionalizmin dhe politikën e egoizmit. Anasjelltas, kur ka rritje të madhe ekonomike, është shumë më e lehtë të jesh bujar ndaj më të pafavorizuarve brenda shoqërive tona, por edhe në pjesën tjetër të botës.
Një kontratë më e mirë sociale, do të mundësonte një zgjerim të asaj që Adam Smith i quajti “qarqet e ndjeshmërisë”, dhe do të nxiste një mendim më pozitiv. Por si do të dukej një rend i tillë? Po ndalem shkurtimisht në 3 çështje kryesore:zhvillimi ekonomik, siguria dhe identiteti.
Që të funksionojë kontrata sociale, është thelbësore që të gjithë të kenë mundësinë të përmirësojnë gjendjen e tyre. Sot në shumë vende, më të talentuarit humbasin kot, sepse mundësitë nuk janë të arritshme për të gjithë. Po si mund ta shfrytëzojmë më mirë talentin brenda shoqërive tona?
Përveç investimit në vitet e para të jetës, ne duhet të sigurojmë që të gjithë të rinjtë të kenë qasje të barabartë në arsim. Kjo mund të përfshijë krijimin e një fondi të përhershëm për të financuar studimet universitare ose trajnime profesionale, përgatitjen e individëve për karriera shumë më të gjata sesa sot.
Për më tepër në çdo shoqëri, është e mundur të vendoset një nivel minimal i të ardhurave, nën të cilin nuk duhet të bjerë askush. Kjo mund të arrihet përmes programeve të transferimit të parave në vendet në zhvillim apo subvencionimit të taksave për punëtorët me paga të ulëta në ekonomitë e përparuara.
Përfitimet minimale duhet të përfshijnë qasjen në kujdesin shëndetësor bazë, dhe një pension shtetëror të mjaftueshëm për të parandaluar varfërinë në pleqëri. Teksa ekonomistët nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme të menduarit me shumën zero dhe çështjeve të shpërndarjes së të mirave materiale, ata priren të nënvlerësojnë dhe rëndësinë e identitetit.
Në fund të fundit, identiteti është “ngjitësi” që mban të bashkuar kontratën shoqërore.
Sigurisht, ai nuk është një monolit, dhe as ka të bëjë vetëm me etninë apo fenë. Secili prej nesh ka identitete të shumta të formuara nga faktorë të tillë si arsimi, profesioni, orientimi seksual dhe interesat personale.
Në këtë aspekt, migracioni mbetet çështja më e spikatur e ngritur nga politikanët populistë në Evropë dhe SHBA. Retorika kundër migracionit, përqendrohet shpesh në qasjen e emigrantëve ose refugjatëve në shërbimet publike si strehimi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor, të cilat shihen si përfitime të fituara nga kontributet e disa brezave.
Sot jemi në mesin e një riorganizimi themelor të sistemit global, rezultati i të cilit mbetet i paqartë. Unë jam i bindur se ndërtimi i një rendi ndërkombëtar me shumë pozitiv, do të kërkojë kontrata sociale më të forta në nivel vendi që ofrojnë përparim, siguri dhe një ndjenjë identiteti të përbashkët.
Ne s’mund të lejojmë që ta dominojnë narrativën globale, ata që e përcaktojnë identitetin në terma me shumën zero, përjashtuese dhe egoiste. Duke punuar mbi këto çështje kombëtare, ne mund të rrisim gjasat për të krijuar një sistem ndërkombëtar më të drejtë, i cili jep rezultate më të mira për të gjithë./Përshtati "Pamfleti", nga “Project Syndicate”
Shënim: Minouche Shafik, ish-drejtuese e Universitetit të Kolumbias dhe e Shkollës Ekonomike të Londrës, aktualisht anëtare e Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe.
Lini një Përgjigje