Nga 1 janari 2026, Bullgaria u bë anëtarja e 21-të e eurozonës, duke kaluar në euro me kurs fiks 1 euro = 1,95583 leva.
Në të vërtetë, përgjigjja është më e qartë nga sa duket. Bullgaria nuk e “refuzoi” për 20 vite euron në kuptimin strikt të fjalës. Që nga momenti kur u anëtarësua në Bashkimin Europian në vitin 2007, ajo kishte detyrimin ligjor ta miratonte monedhën europiane në një fazë të caktuar. Ajo që bëri për shumë vite ishte ta shtynte praktikisht afatin, sepse kostoja politike e ndryshimit dukej e lartë, ndërsa përfitimi ekonomik perceptohej si “pothuajse i arritur”.
Arsyeja kryesore quhet… leva. Që prej vitit 1997, Bullgaria funksionon me regjim currency board dhe e ka lidhur monedhën e saj fillimisht me markën gjermane e më pas me euron, për të stabilizuar ekonominë pas një krize të rëndë financiare. Kjo do të thoshte se, në praktikë, vendi jetonte prej vitesh me kurs këmbimi fiks dhe pa një politikë monetare realisht të pavarur. Për rrjedhojë, për një pjesë të madhe të shoqërisë dhe tregut, euroja nuk shihej si domosdoshmëri, por më tepër si “rrezik i rritjes së çmimeve” ose si humbje e një simboli kombëtar.
Pengesa e dytë, vendimtare, ishin kriteret e konvergjencës, veçanërisht inflacioni. Në periudha trazirash energjetike dhe shtrenjtimi të jetesës, Bullgaria e pati të vështirë të kalonte testet në momentin e duhur, duke e shtyrë vazhdimisht objektivin. Paralelisht, paqëndrueshmëria politike dhe besimi i ulët te institucionet ushqyen mosbesimin publik: shumë qytetarë kishin frikë se çmimet do të rrumbullakoseshin nga poshtë lart, se përditshmëria do të bëhej më e shtrenjtë ose se tregu do të manipulohej. Kësaj iu shtuan edhe valë dezinformimi, që e shndërruan një proces teknik në një betejë kulturore dhe politike.
Ekzistonte edhe një arsye e tretë, më cinike, por reale: kur tashmë ke një kurs fiks, bizneset që përfitojnë nga konvertimet, paqartësitë, tarifat “gri” apo lojërat kontabël, nuk kanë interes që sistemi të ndryshojë. Euroja sjell transparencë në çmime dhe krahasim të menjëhershëm. Kjo është pozitive për konsumatorin dhe konkurrencën e ndershme, por jo gjithmonë e leverdishme për ata që përfitojnë nga mungesa e qartësisë.
Nga sot, më 1 janar 2026, Bullgaria kaloi zyrtarisht në euro si anëtarja e 21-të e eurozonës, me kurs fiks konvertimi 1 euro = 1,95583 leva. Për të shmangur tronditjet, parashikohet një periudhë kalimtare gjatë së cilës do të qarkullojnë të dyja monedhat, por kusuri do të jepet në euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje