Parashikimet më të fundit nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se viti 2026 pritet të jetë ndër katër vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, me një temperaturë mesatare globale prej 1.46°C mbi nivelet para-industriale. Gama e parashikuar shkon nga 1.34°C deri në 1.58°C, shumë pranë kufirit kritik të Marrëveshjes së Parisit, që synon të frenojë ngrohjen nën 1.5°C.
Ky është viti i katërt radhazi ku temperatura globale kalon 1.4°C. Sipas ekspertëve të Zyrës Meteorologjike, kjo tregon një përshpejtim të rrezikshëm të ndryshimeve klimatike. Meteorologu Nick Dunstone paralajmëron se: “Viti 2024 pa shkeljen e parë të përkohshme prej 1.5°C, dhe nëse 2026 e përsërit, rreziku për ngjarje ekstreme dhe dëme të pakthyeshme do të rritet ndjeshëm.”
Shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara e lidhin rritjen e temperaturave me aktivitetet njerëzore, kryesisht djegien e karburanteve fosile dhe përdorimin e qymyrit. Dioksidi i karbonit dhe metani, sipas tyre, janë gazrat kryesorë përgjegjës për ngrohjen.
Ky trend vë në pikëpyetje angazhimet e vendeve ndaj Marrëveshjes së Parisit, e cila kërkon që rritja e temperaturës të frenohet nën 2°C, me përpjekje për ta mbajtur nën 1.5°C. Marrëveshja është firmosur nga 194 shtete dhe kërkon rishikimin periodik të politikave për uljen e emetimeve. Por, sipas “inventarit global” të vitit 2023, progresi është i ngadaltë dhe jo në përputhje me objektivat.
Zyra Meteorologjike dhe Organizata Botërore Meteorologjike paralajmërojnë se kalimi i pragut 1.5°C, qoftë edhe përkohësisht, përkeqëson mundësinë për përshtatje dhe rrit rreziqet për thatësira ekstreme, përmbytje, shkrirje akujsh dhe kriza ushqimore.
Në këtë kontekst, 2026 mund të kthehet në një pikë kritike, jo vetëm për klimën, por edhe për përgjegjshmërinë politike ndërkombëtare. Pa veprim të koordinuar dhe të menjëhershëm, objektivat klimatike rrezikojnë të mbeten vetëm në letër.
Lini një Përgjigje