TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Janar 2025, 15:10

Pse askush nuk po i respekton më ligjet ndërkombëtare?

Shkruar nga Eric Posner
Pse askush nuk po i respekton më ligjet ndërkombëtare?
Donald Trump

Në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale të 2024-ës, pavarësisht ose ndoshta për shkak të përbuzjes së tij për të drejtën ndërkombëtare.

Gjatë 2 javëve të fundit, Izraeli ka sulmuar në mënyrë të përsëritur Sirinë, duke shkatërruar objektet ushtarake dhe pushtuar territorin, në një shkelje të qartë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila ndalon përdorimin e forcës ushtarake kundër shteteve të huaja, përveç rastit të vetëmbrojtjes ose me autorizimin e Këshillit të  Sigurimit.

Ndërsa disa vende e kanë dënuar Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe shumë të tjerë po ngurrojnë ta kritikojnë. Ndoshta kanë frikë se nëse nuk shkatërrohen, armët siriane mund të bien në duart e organizatave terroriste. S’ka gjë se ligji ndërkombëtar nuk i lejon përjashtime të tilla.

Në fakt, ai është bërë një tjetër viktimë e ngjarjeve. Sulmet e Izraelit në Siri, nuk janë një shembull i izoluar. Rrënojat e së drejtës ndërkombëtare janë gjithandej rreth nesh. Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2014 dhe sërish në 2022-shin, aneksoi ilegalisht territorin ukrainas, kreu mizori kundër ushtarëve dhe civilëve ukrainas dhe tani përballet me akuza për gjenocid.

Kina e ka përdorur dhunën për të zgjeruar kontrollin e saj mbi Detin e Kinës Jugore, dhe tani duket e gatshme që të pushtojë Tajvanin, një skenar që askush nuk beson se do të parandalohet  nga ligji ndërkombëtar. Për më tepër, ndërhyrjet ushtarake të SHBA-së në Afganistan, Irak, Libi, Siri dhe gjetkë gjatë dekadave të fundit, ishin të gjitha të bazuara në teori ligjore të dyshimta.

Krimet ndërkombëtare po ndodhin në mbarë botën, në vende të përfshira nga konflikte si Izraeli dhe Gaza, Mianmari, Etiopia dhe Sudani, por edhe brenda vendeve autoritare që janë në paqe.

Mjerisht, luftërat dhe dhuna nuk janë treguesit e vetëm të rënies së ligjit ndërkombëtar. E njëjta prirje po prek edhe ekonominë globale.

Me organin e saj të apelit të paaftë për të funksionuar, Organizatën Botërore të Tregtisë, bota po i kthehet me shpejtësi proteksionizmit. Po kështu, rezultatet e dobëta të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, janë qesharake në raport me ambiciet e themeluesve të tyre.

GJND-ja duhej të parandalonte luftën, ndërsa GJNP-ja të siguronte drejtësi për viktimat e krimeve të luftës. Por asnjëra nga gjykatat nuk po bën ndonjë gjë të madhe. Një zhvillim më pak i dukshëm, por po aq i rëndësishëm, është se ligji ndërkombëtar i investimeve ka provokuar një reagim nga përfituesit e synuar.

Traktatet dypalëshe të investimeve, duhej të nxisnin si rregull zhvillimin ekonomik në vendet më të varfra, por duke mbrojtur nga shpronësimi investitorët e huaj. Megjithatë ka pak prova, që ligji i ka ndihmuar këto vende ta bëjnë këtë. Përkundrazi, korporatat shumëkombëshe e kanë përdorur atë për të bllokuar zbatimin e reformave ekonomike dhe rregulloreve mjedisore që mund të shkurtojnë kufijtë e tyre në vendet në zhvillim.

Ndërkohë, ligji ndërkombëtar që mbron emigrantët, ka nxitur një reagim nacionalist në shumë vende destinacion për ta, sidomos ato ku ka shumë azilkërkues. Ndërsa demokracia po reduktohet në mbarë botën, po dobësohen vazhdimisht edhe ligjet për të drejtat e njeriut.

Shumë qeveri po i zhveshin qytetarët nga mbrojtja ligjore bazë, dhe është në rritje represioni politik në vendet që dikur mendohej se ishin në rrugën e lirisë politike. Edhe Bashkimi Evropian, organizata më e suksesshme ndërkombëtare, e humbi Britaninë e Madhe, dhe është detyruar të përballet me qeveritë jo liberale në Hungari dhe deri vonë edhe në Poloni.

Po ashtu, po ndeshet me sfida të reja, ndërsa partitë euroskeptike të ekstremit të djathtë po fitojnë pushtet në shtetet e saj anëtare. Në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale të 2024-ës, pavarësisht ose ndoshta për shkak të përbuzjes së tij për të drejtën ndërkombëtare.

Gjatë mandatit të tij të parë, SHBA-ja u tërhoq nga më shumë se një duzinë marrëveshjesh dhe organizatash ndërkombëtare që lidhen me sigurinë, të drejtat e njeriut, ndryshimet klimatike dhe migracionin. Tani, Trump planifikon ta tërheqë SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, një institucion ndërkombëtar me të mirat dhe të këqijat e veta, që në ditën e parë të mandatit të tij të ardhshëm.

Por edhe Barack Obama dhe Joe Biden, bënë pak për të promovuar ligjin ndërkombëtar gjatë mandateve të tyre përkatëse. Mospërfillja e SHBA-së ka qenë dypartiake. Por përse ka ndodhur kjo? Shpjegimi më i thjeshtë, është se e drejta ndërkombëtare është viktimë e reagimit kundër globalizimit.

Dikur, globalizimi ishte rruga e premtuar drejt lirisë dhe pasurisë, por sot njerëzit e lidhin atë me migrimin e pakontrolluar, humbjen e vendeve të punës, pandemitë, krizat financiare dhe konfliktet. Përfitimet që solli për rritjen ekonomike globale, nuk ishin aq shumë të mëdha, të përhapura ose të dukshme, sa për të kompensuar dëmet reale ose të perceptuara.

Por ligji ndërkombëtar, supozohej të çimentonte rendin global liberal. Në vitet 1990, zyrtarët dhe analistët argumentonin se ligji ndërkombëtar zbaton vetveten: ndërsa përhapet, ai brendësohet nga shtetet nëpërmjet burokracive të tyre dhe rrënjoset më tej nga opinioni publik.

Në fakt, e drejta ndërkombëtare ekziston vetëm në masën që shtetet - pra liderët, elitat dhe publiku i tyre - janë të gatshëm dhe në gjendje ta zbatojnë atë. Zbatimi i ligjit ndërkombëtar është i kushtueshëm për zbatuesin, i cili duhet të vendosë sanksione, të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike ose të përfshihet në veprime të tjera që mund ta dëmtojnë atë po aq sa, ose edhe më shumë se shkelësi.

Ndërsa qeveritë e kuptuan gjithnjë e më shumë, se ligji ishte një pengesë në rrugën drejt objektivave të tyre, të cilat ndryshojnë në përgjigje të ndryshimeve në nevojat e brendshme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, u dobësua nxitja për ta mbajtur atë në këmbë.

Dhe nuk ndihmoi aspak fakti që në vitet 1990, ishte e zakonshme të pretendohej se e drejta ndërkombëtare ndërhynte thellë në juridiksionet tradicionale të shteteve, me dispozita që rregullonin marrëdhëniet familjare, normat fetare, vlerat kulturore dhe organizimin e ekonomisë.

Mbështetësit e së drejtës ndërkombëtare, besonin se kjo do t’i nxiste vendet që të adoptonin vlera të përbashkëta morale dhe politike. Nuk ka dyshim që kjo s’ka ndodhur.

Po ashtu, ata besonin se vendet do të gjunjëzoheshin para Konsensusit të Uashingtonit - tregtia e lirë dhe investimet, të drejtat e pronës, tregjet e fuqishme, taksat e ulëta - pasi në vitet 1990, të gjitha këto gjëra dukej se kishin kuptim në SHBA dhe në Perëndim.

Por doli se politika të tilla, ishin të vështira për t’u imponuar ndaj vendeve të tjera dhe - ne tani e dimë - të vështira për t’u mbajtur në fuqi. Zhvillimi kombëtar varet nga stabiliteti, dhe ky i fundit kërkon shpërndarjen e gjerë të përfitimeve ekonomike, respektimin e kulturave dhe normave lokale dhe ndjenjën mes qytetarëve, se udhëheqësit e tyre politikë japin llogari para atyre, jo ndaj OJQ-ve të huaja dhe burokracive ndërkombëtare që janë shndërruar në sheshe lojërash politike.

Dikur, e drejta ndërkombëtare përqendrohej në mbrojtjen e sovranitetit, vendosjen e formave bazë të koordinimit (si kufijtë, zonat kohore, rregullat detare dhe protokollet e komunikimit) dhe me një sukses më të kufizuar, në kufizimin e formave më ekstreme të dhunës, veçanërisht në luftë.

Shumë shtete, dhe jo vetëm Kina dhe Rusia, i kanë kërkuar prej kohësh botës, që t’i kthehet kësaj qasjeje modeste por të qëndrueshme. Duke mbrojtur ndërkombëtarizmin liberal, SHBA-të i qëndruan këtij kursi. Nën presidencën e re të Trump, ajo mund t’u bashkohet atyre./Përshtati "Pamfleti", nga “Project Syndicate”

Shënim: Eric Posner, profesor në Shkollën Juridike të Universitetit të Çikagos, SHBA.

Lini një Përgjigje