Pra çdo shtet anëtar, ka në dispozicion 1500 veto për të bllokuar procesin, që aktualisht përfshin 7 vende në fazën e negociatave, 2 vende kandidate edhe një kandidat aspirant.
2025-a premton të jetë një vit potencialisht historik për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. “Në rast se vendet kandidate do të jenë serioze në përpjekjet e tyre për reforma,
mund të shohim më shumë përparim gjatë presidencës polake se sa në 10 vitet e fundit”.
Ky është premtimi i Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, bërë në Komisionin
për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Objektivi është që të mbahen “10 konferenca ndërqeveritare” me vendet kandidate për anëtarësim, për t’i vendosur ato përfundimisht në rrugën e tyre drejt hyrjes në bllok”.
Por mbetet një premtim që “nuk parashikon favorizime gjeopolitike, pasi procesi mbetet i
bazuar në merita”, e bëri të qartë komisionerja sllovene, edhe pse është shumë i dukshëm angazhimi i Komisionit për eliminimin e paparashikueshmërisë nga tryeza e negociatave.
Gjithsesi, jo gjithçka varet nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Gjatë gjithë procesit të vendimmarrjes, Këshilli i BE-së - institucioni që bën bashkë 27 qeveritë - ka fjalën e fundit për çdo vendim, i cili mund të përmblidhet me një të dhënë domethënëse të ofruar nga komisionerja:”Për të nisur dhe mbyllur negociatat, duhen rreth 150 vendime unanime për çdo vend kandidat”.
Pra çdo shtet anëtar, ka në dispozicion 1500 veto për të bllokuar procesin, që aktualisht përfshin 7 vende në fazën e negociatave, 2 vende kandidate edhe një kandidat aspirant.
Shqipëria dhe Mali i Zi
Shqipëria dhe Mali i Zi, janë aktualisht në krye të procesit të anëtarësimit. Me të 33 kapitujt e hapur dhe 6 të mbyllur përkohësisht, Mali i Zi është kandidati më i avancuar. Vitin e kaluar mbylli 3 kapituj, Ligji i Pronësisë Intelektuale, Transformimi Dixhital dhe Media, Politika e Biznesit dhe ajo Industriale.
Institucionet malazeze, kanë vendosur objektivin e përfundimit të negociatave deri në vitin 2026, për t’u bërë shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028. “Unë do të inkurajoj përparimin e mëtejshëm gjatë presidencës polake”- deklaroi Kos. Ndërkohë, Shqipëria synon të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027.
“Do të jetë një punë e vështirë, por ne do t’i mbështesim!”- premtoi sërish kreu i Zgjerimit në Kolegjin e Komisionerëve. Në konferencën ndërqeveritare të datës 15 tetor 2024, Tirana hapi 2 kapituj: Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Jashtme, dhe ato të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia
Pas fillimit të negociatave me Kievin dhe Kishinievin më 25 qershor 2024, dy raportet e progresit të Komisionit janë gati për t’iu dërguar Këshillit. Nëse 27 vendet anëtare, japin njëzëri dritën, atëherë mund të çelen bisedimet për kapitullin e 31-të (Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe Mbrojtjes).
Sipas raportit të Këshillit, Ukraina ka bërë përparim në fushat e sundimit të ligjit dhe reformës së gjyqësorit dhe administratës publike, ndërsa kërkohet punë e mëtejshme për të forcuar lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e medias dhe përmirësimin e kornizës së institucionit kundër korrupsionit.
Edhe Moldavia ka shënuar përparim në reformën në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit dhe në zbatimin e planit të veprimit kundër oligarkisë, ndërsa rekomandohet forcimi në të gjitha nivelet i kapaciteteve administrative dhe institucionale.
Në përgjigje të vendimit të drejtuesve të partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane për të pezulluar procesin e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2028, Brukseli ka mbajtur anën e aspiratave
të qytetarëve që po protestojnë prej 50 ditësh. Shtypja e shoqërisë civile pas zgjedhjeve të 26 tetorit 2024, e shtyu Brukselin të pezullonte më shumë se 100 milionë euro fonde të destinuara për autoritetet gjeorgjiane.
Serbia dhe Kosova
Serbia ka hapur 22 nga 35 kapitujt e negociatave në procesin e saj të pranimit, dhe 2 janë mbyllur vetëm përkohësisht. Vitin e kaluar, ajo u ftua të prezantojë dy pozicionet e mbetura negociuese nën seksionin III (Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse): Tatimet (Kapitulli XVI) dhe Politika Sociale dhe Punësimi (Kapitulli XIX).
Mungesa e harmonizimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së është pengesa më e madhe, pasi “asnjë vend që nuk është 100 për qind në një linjë, nuk do të mund
të anëtarësohet” sqaroi komisionerja Kos. Standardet për Kapitullin 35 janë rishikuar, për të pasqyruar detyrimet e Serbisë sipas Marrëveshjes së Rrugës së Normalizimit të raporteve me Kosovën.
Kosova e dorëzoi kërkesën e saj për anëtarësim në fund të vitit 2022. Por 5 shtete anëtare të BE-së Qiproja, Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia - nuk e njohin ende sovranitetin e saj dhe po e bllokojnë kandidaturën e saj në Këshill. Sa i përket masave të vendosura në verën e vitit 2023 kundër Kosovës, në përgjigje të përshkallëzimit të dhunës në veri të vendit, Kos tha se shpreson që gjërat të ndryshojnë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Turqia
Më 21 mars të vitit të kaluar, Këshill Evropian vendosi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën. Brukseli e mbështet perspektivën evropiane të Bosnje Hercegovinës, vetëm si një vend i vetëm, i bashkuar dhe sovran”, duke kritikuar nismat separatiste të Republikës Srpska.
Edhe pse Bosnja është përafruar plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, nuk ka zbatuar ende masat kufizuese kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ndërkohë
mbeten të bllokuara negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se qeveria e re nacionaliste e ka shpallur integrimin në BE si një objektiv strategjik.
Shkupi nuk i ka përfunduar ende ndryshimet kushtetuese që është zotuar, veçanërisht në lidhje me të drejtat e pakicave. Negociatat e anëtarësimit të Turqisë, janë bllokuar që nga viti 2018
dhe “nuk është e mundur që të konsiderohet hapja ose mbyllja e kapitujve të tjerë”, thuhet në dokumentin e Këshillit Evropian.
Marrëdhëniet e këqija me Greqinë dhe tensionet në Mesdheun Lindor peshojnë shumë, duke shtuar këtu edhe mungesën e angazhimit të Turqisë për zgjidhjen paqësore të konfliktit të ngrirë në ishullin e Qipros. Po ashtu, ka shqetësime “serioze në lidhje me demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe për “shkallën shumë të ulët të përafrimit” me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Balcani Caucaso”
Lini një Përgjigje