TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Dhjetor 2025, 21:58

Protestat e fermerëve francezë, qeveria dhe sindikatat kërkojnë “armëpushim” për Krishtlindje

Shkruar nga Pamfleti
Protestat e fermerëve francezë, qeveria dhe sindikatat
Fermerët francezë me traktorët e tyre protestojnë para Parlamentit Evropian kundër masave qeveritare

Protestat e fermerëve në Francë kanë vijuar edhe sot, me bllokime të shumta rrugore në pjesë të ndryshme të vendit. Megjithatë, udhëheqësit e sindikatave kanë bërë thirrje për një armëpushim për Krishtlindje, me qëllim që të shmangen vështirësitë për qytetarët gjatë festave.

Bllokadat janë përqendruar kryesisht në jugperëndim të Francës, ku janë ndërprerë rrugë dhe autostrada kryesore, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Protesta janë regjistruar gjithashtu në veri dhe lindje të vendit, ku fermerët kanë bllokuar akse të rëndësishme rrugore.

Sipas sindikatave, bllokadat do të pezullohen në ditët në vijim, për të shmangur kaosin gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

“Dëshira ime është për një armëpushim për Krishtlindje. Ne nuk jemi këtu për të shqetësuar popullin francez”, deklaroi presidenti i sindikatës FNSEA, Arnaud Rousseau.

Edhe qeveria franceze ka reaguar, duke theksuar se prioritet është liria e lëvizjes për qytetarët.

“Francezët duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë për të parë familjet e tyre në paqe”, tha zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, duke paralajmëruar se autoritetet nuk do të tolerojnë bllokada të reja dhe se policia është autorizuar t’i heqë ato.

Protestat nisën fillimisht pas urdhrave për asgjësimin e tufave të lopëve të prekura nga sëmundja e lëkurës me gunga, por më pas u zgjeruan për të përfshirë pakënaqësi më të gjera në sektorin bujqësor. Një tjetër shqetësim i madh i fermerëve është marrëveshja tregtare Mercosur midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Amerikës së Jugut.

Ndikimi i protestave është ndjerë edhe në nivel evropian. Bashkimi Evropian ka njoftuar se votimi përfundimtar për marrëveshjen Mercosur, i parashikuar fillimisht për këto ditë, është shtyrë për në janar 2026.

protesta francë krishtlindje

Lini një Përgjigje