TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Dhjetor 2025, 19:31

Gjermania po rikthehet në krye të Evropës, por a do mjaftojë kjo kundër Rusisë?

Shkruar nga John Kampfner

Gjermania po rikthehet në krye të Evropës, por a do mjaftojë

Shpërthimi emocional i Merz ishte domethënës, por i la shumë gjermanë të ftohtë...

Tre lojtarët kryesorë të kontinentit janë bërë bashkë për të mbështetur Ukrainën. Por a do të jetë e mjaftueshme kjo me ekonomitë e tyre në vështirësi, elektoratet e pakënaqura dhe ekstremistët pro-Kremlinit dhe pro-Trumpit që synojnë të ngjiten në pushtet?

Nganjëherë kur zgjohem në mëngjes pyes veten: A mos kjo është thjesht një ëndërr e keqe? Jo, është një makth. Dhe kjo ka ndodhur çdo natë për 4 vitet e fundit. Jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë ne!”. Deklarata është e Friedrih Merc, që mezi po mbante lotët ndërsa qëndronte përkrah Volodimir Zelenskit në Berlin disa ditë më parë. 

Kancelari gjerman kishte mbledhur udhëheqësit e vendeve dhe institucioneve kryesore të Evropës - koalicionin e të gatshmëve dhe të dëshpëruarve - ndërsa ata po përpiqeshin sërish të forconin pozicionin e Ukrainës përballë aleancës së Donald Trumpit me Vladimir Putinin.

Shpërthimi emocional i Merz ishte domethënës, por i la shumë gjermanë të ftohtë. Edhe para se ai të merrte detyrën, shumë votues kishin vendosur të mos i jepnin një shans. Gjatë një karriere të gjatë në politikë, plus disa angazhimeve në biznes, ai ka bërë një sërë armiqsh.

Merc trajtohet rrallë me pozitivitet nga media. Ai bën herë pas here deklarata të ashpra. Premton shumë dhe deri më tani në politikën e brendshme nuk i ka përmbushur premtimet.

Megjithatë, kritika ndaj tij është, dhe këtë guxoj ta them si një gjermanofil i flaktë, ajo e një gjermanI tipik që vetëm ankohet. Merc është gjëja më e mirë që Evropa ka për momentin në përpjekjen e saj të fundit për ta shpëtuar demokracinë liberale.

Alarmi duhej të kishte rënë që në shkurt, kur zëvendës/presidenti amerikan J.D. Vans kreu ​​një sulm të ashpër ndaj vlerave evropiane në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ai e bëri të qartë mbështetjen e administratës Trump për Alternativën për Gjermaninë (AfD) , e cila po sulmonte qarqet konservatore në Uashington.

AfD nuk është edhe aq larg marrjes së pushtetit brenda pak vitesh, gjë që është pikërisht ajo që dëshiron Trump, së bashku me partitë e tjera të ekstremit të djathtë të Evropës, përfshirë Reform UK të Najxhëll Farazh.

Gjatë gjithë vitit 2025, shumë njerëz në Gjermani dhe në Evropë kanë shpresuar që disi gjërat do të ktheheshin në “normalitet”. Publikimi javën e kaluar i Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ka zhdukur çdo lloj mendimi të dëshiruar.

Fillimisht Merc reagoi me kujdes, por sa më shumë që bëhej e qartë se Uashingtoni tani e sheh tashmë Moskën si një partnere biznesi të besueshme, aleate dhe madje mike, kancelari pranoi: “Pax Americana ka mbaruar!”. Tetë dekada supozimesh rreth mbështetjes amerikane për stabilitetin dhe demokracinë evropiane, janë hedhur poshtë.

“Ajo nuk ekziston më siç e njihnim dikur!”- shtoi ai. Po ashtu, Merc sugjeroi se një tërheqje e SHBA-së nga NATO, tani mund të jetë vetëm çështje kohe. Në kryeqytetin gjerman po zhvillohen aktualisht dy lloje bisedash. Ajo private midis zyrtarëve të sigurisë dhe mbrojtjes, për të cilat kam qenë në dijeni herë pas here, dhe që i pranon dhe flet hapur rreth rreziqeve të shumta.

Zyrtarët janë më se të qartë se Rusia po zhvillon tashmë një luftë hibride ndaj Evropës - përmes spiunazhit, sabotimit (rasti i avionit të DHL me një pajisje shpërthyese në bord, është vetëm fillimi, thonë ata), dezinformimit dhe sulmeve kibernetike. Dhe ata po përgatiten për një luftë të vërtetë.

Prodhimi i municioneve, tankeve dhe dronëve është shumë më i madh tani në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s të marra së bashku. Rreth 1.5 milion ushtarë po përgatiten për tu hedhur në fushën e betejës. E gjitha kjo po ndodh ndërsa SHBA-ja e bën të qartë se nuk do ta mbrojë Evropën.

Edhe ombrella bërthamore amerikane nuk konsiderohet më e besueshme. Dilema është se sa informacion duhet zbuluar për publikun. Dhe nuk janë vetëm shqetësimet për sigurinë kombëtare, por edhe gjetja e ekuilibrit të duhur midis ndërgjegjësimit dhe panikut.

Siç u shpreh një zyrtar gjerman, kur u pyet nëse mund të flinte natën: “Shqetësimi im më i madh është vetëkënaqësia. Shumë njerëz, nuk po e kuptojnë dinamikën e re. Problemi nuk është vetëm Rusia apo Kina, por edhe Trump. Nëse do të ndalesha dhe mendoja shumë, nuk do të flija dot. Prandaj thjesht përpiqem të vazhdoj punën time...”.

Për momentin, publikisht mbetet në fuqi Plani A: përqafojini amerikanët nga afër. Sigurisht shprehni shqetësime për sjelljen e tyre, por mos paralajmëroni se ndarja me ta është në prag. Mbajeni mllefin përbrenda dhe mbulojeni Trumpin me lëvdata.

Kjo, siç e pranoi një zyrtar, prodhon një problem legjitimiteti, “sepse ne nuk po sillemi me ndershmëri me popullin tonë, dhe përpjekjet tona për të qëndruar në anën e duhur të Trumpit duken si servilizëm ndaj tij”. Megjithatë, ata nuk kanë zgjidhje tjetër, sepse do të na duhen vite për t’u bërë ushtarakisht të vetëmjaftueshëm, gjithnjë nëse kjo do të arrihet ndonjëherë. “Askush nuk dëshiron të flasë për Planin B, sepse ne nuk kemi një të tillë. Të gjithë e dinë se sa të varur jemi ende nga SHBA-ja dhe do të mbetemi të tillë për vite me radhë”- thekson ai. Gjithsesi, Gjermania po riarmatoset me shpejtësi.

Deri në vitin 2029, shpenzimet në mbrojtje do të jenë të barazvlefshme me shpenzimet e Francës dhe Britanisë së Madhe të marra së bashku (zhgënjimi në Berlin me ritmin e ngadaltë të rritjes së shpenzimeve nga Londra, po fillon të bëhet i dukshëm).

Nëse i dorëzohemi Putinit tani, ai do të diktojë sigurinë e Evropës për vitet që do të vijnë. Megjithatë, në rast se ka një anë pozitive, kjo është shkalla e bashkimit të tre lojtarëve të mëdhenj të Evropës.

Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë kanë të përbashkët ekonomitë e dobëta që menaxhojnë, një elektorat të zemëruar dhe ekstremistët pro-Kremlinit dhe pro-Trumpit, që kërkojnë të vijnë në pushtet.

Në dallim nga Keir Starmer, me shumicën e tij të madhe parlamentare të fituar vetëm 18 muaj më parë, dhe Emanuel Makron, që gëzonte vullnet të mirë dhe pushtete të mëdha derisa i shpërdoroi ato, Merc nuk kishte që në fillim ndonjë kredit politik.

Dhe sot është ai që po tregon forcën më të madhe. Një nga bashkëpunëtorët e tij thotë për të: “Merc ka guxim. Ai është i paparashikueshëm. Kjo është diçka e jashtëzakonshme për një politikan modern gjerman”. Pra Evropa ka tani një Gjermani të re të fortë. Por a do të mjaftojë kjo?/Përshtati "Pamfleti" nga “The Paper”

gjermania be rusia merz

Lini një Përgjigje