TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Dhjetor 2025, 15:37

Diplomacia në hije, si Meloni fitoi pa folur në Këshillin Europian!

Shkruar nga Pamfleti

 

Diplomacia në hije, si Meloni fitoi pa folur në Këshillin
Foto nga takimi

Meloni dhe 19 orët e negociatave në Bruksel: fitorja e dyfishtë, kujdesi ndaj Merz dhe ‘aleanca’ me Kryeministrin belg

Në orën 04:00 të mëngjesit, pas një maratone 19-orëshe diskutimesh në Bruksel, shumë prej të cilave pa celularë, në tryeza ku liderët vendosnin fatet e politikës europiane, Giorgia Meloni doli para gazetarëve nën “Lanternën” për disa deklarata të shkurtra. Asnjë ton triumfues, asnjë shfaqje e tepruar. Por një buzëqeshje e lehtë tradhtonte kënaqësinë: “ka triumfuar arsyeja”, tha ajo. Ishte një mënyrë e zgjuar për të thënë se kishte fituar, pa e thënë me zë të lartë.

Dhe në fakt, ajo ishte fituesja e heshtur e këtij samiti. Itali – Gjermani: 2 me 0. Meloni arriti të bllokojë dy objektiva të rëndësishme të Berlinit: marrëveshjen tregtare me vendet e Mercosur-it dhe vendimin për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar ndihmën për Ukrainën.

Gjermania, përmes CDU-së së Merz dhe presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen, këmbëngulte që marrëveshja me Amerikën Latine të mos shtyhej dhe që 210 miliardë eurot e pasurive ruse të viheshin në shërbim të Ukrainës. Por ndodhi e kundërta.

Edhe pse e qartë në suksesin e saj diplomatik, linja e Melonit është: kemi fituar, nuk kemi pse ta teprojmë. Asnjë sulm ndaj Berlinit. Deputetët e Fratelli d’Italia lavdëruan qëndrimin italian, por pa përmendur Gjermaninë, që mbetet një partner strategjik në BE. Dy humbje për Berlinin, që në median belge u theksuan qartë, por që Roma zgjodhi t’i kalojë në heshtje, tri ditë para darkës së liderëve në Kancelarinë gjermane.

Meloni ruan Coldiretti-n dhe shmang përplasjen me Legën

Me bllokimin e Mercosur-it, Meloni i doli përpara revoltës së bujqve italianë, të cilët protestuan në Bruksel. Coldiretti mbetet një bërthamë elektorale e rëndësishme për qeverinë italiane, dhe ministri Francesco Lollobrigida e di këtë shumë mirë. Përmes një telefonate me presidentin brazilian Lula, e cila prishi axhendën e nënshkrimit që priste Von der Leyen, Meloni forcoi lidhjen direkte dhe ndaloi narrativat alternative.

Në prapaskenë, u luajt edhe një tjetër kartë diplomatike: një aleancë e pazakontë me kryeministrin belg Bart De Wever, i cili bllokoi përdorimin e pasurive ruse. Meloni e mbështeti atë në këtë linjë, bashkë me disa vende të tjera si Italia, Bullgaria, Malta dhe Çekia, të cilat rezistuan gjatë gjithë natës. Ndërkohë, Orban dhe Fico punuan në prapaskenë për të sabotuar çdo skenar që mund të irritonte Moskën.

Burime diplomatike nga BE deklaruan për “Politico” se Meloni nuk foli fare gjatë pjesës së parë të samitit, një strategji e qëllimshme. Por në fund, marrëveshja u arrit. Ajo nuk foli, por fitoi.

U miratua një kredi prej 90 miliardë eurosh, një kompromis që nuk rrezikon tensione me Legën, pasi vendimi nuk pritet të kalojë në Parlament. Një tjetër arritje “e heshtur” për Melonin, që diti të lundrojë mes interesave europiane dhe llogarive të brendshme. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

 

meloni merz bruksel

Lini një Përgjigje