Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e një lufte me Venezuelën, në një intervistë ekskluzive telefonike për NBC News, duke rritur ndjeshëm tonet ndaj regjimit të presidentit Nicolás Maduro.
“Jo, nuk e përjashtoj”, u shpreh Trump, i pyetur drejtpërdrejt nëse një konflikt ushtarak me Venezuelën mbetet një opsion për Washington, sipas raportimit të NBC News.
Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi Trump urdhëroi një “bllokadë” të tankerëve të naftës të sanksionuar që hyjnë dhe dalin nga Venezuela, si pjesë e fushatës së administratës së tij për të rritur presionin ekonomik dhe politik ndaj Karakasit.
SHBA ka sekuestruar gjithashtu një cisternë nafte të kapur pranë brigjeve të Venezuelës.
Sipas NBC News, administrata amerikane ka justifikuar veprimet e saj duke pretenduar se të ardhurat nga nafta po përdoren nga regjimi Maduro për të financuar atë që e quan “terrorizëm të drogës”.
Fushata detare e SHBA-ve ka çuar tashmë në 28 goditje ndaj mjeteve detare, me mbi 100 viktima, çështje që po përballet edhe me shqyrtim në Kongres.
Trump refuzoi të japë detaje mbi një afat kohor apo objektiva konkrete, por paralajmëroi se sekuestrime të tjera të tankerëve janë të mundshme. “Nëse janë aq budallenj sa të vazhdojnë të lundrojnë, do të përfundojnë në një nga portet tona”, tha ai.
I pyetur nëse rrëzimi i Nicolás Maduro-s është qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara, Trump u shpreh shkurt: “Ai e di saktësisht çfarë dua. Askush nuk e di më mirë se ai”.
Lini një Përgjigje