Debati për asetet ruse dhe borxhin e përbashkët ka nxjerrë në pah ndarjet mes Romës dhe Berlinit gjatë samitit të BE-së.
Gjatë orëve intensive të Këshillit Evropian janë shfaqur tensione të dukshme mes Italisë dhe Gjermanisë lidhur me mënyrën se si Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë mbështetjen financiare për Ukrainën në dy vitet e ardhshme. Në qendër të debatit kanë qenë përdorimi i aseteve ruse të ngrira dhe mundësia e marrjes së borxhit të përbashkët evropian.
Sipas burimeve diplomatike italiane, Corrie della Sera shkruan se Berlini po mbështet linjën e ndëshkimit të Rusisë për krimet e luftës duke përdorur një “argument moral”, por pas këtij qëndrimi fshihen, sipas Romës, llogaritje ekonomike dhe politike, veçanërisht refuzimi i Gjermanisë ndaj borxhit të përbashkët evropian për financimin e ndihmës ndaj Kievit.
Diskutimet kryesore u zhvilluan në orët e mbrëmjes dhe pas darkës së liderëve, kur u trajtua çështja e përdorimit të aseteve ruse të ngrira dhe mekanizmat financiarë për mbështetjen e Ukrainës. Vendimi përfundimtar nuk u arrit deri vonë natën, duke reflektuar kompleksitetin e marrëveshjes, e cilësuar nga burime evropiane si një nga më të ndërlikuarat e kësaj legjislature.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shprehur rezerva teknike dhe ligjore për zhbllokimin dhe përdorimin e pasurive ruse, qëndrime që ajo i ka paraqitur edhe në Parlamentin italian përpara samitit. Italia, e mbështetur nga shumica qeverisëse, përfshirë Lidhjen, ka kërkuar kujdes për pasojat juridike dhe financiare të një veprimi të tillë.
Një rol kyç në negociata ka pasur Belgjika, e cila mban rreth 185 miliardë euro asete ruse të ngrira. Sipas burimeve italiane, Gjermania po ushtron presion të fortë në këtë drejtim, ndërsa Belgjika ka kërkuar garanci të mëdha për çdo vendim që lidhet me zhbllokimin e këtyre fondeve.
Italia ka hedhura në tryezë edhe një plan alternativ, të ashtuquajturin “plan B”, që parashikon një kredi evropiane me garanci kombëtare, pa prekur asetet ruse dhe vetëm me pjesëmarrjen e shteteve të interesuara. Ky opsion shihet me interes edhe nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa kërkon miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare. Në këtë kontekst, qëndrimi i Hungarisë mbetet i paqartë, me mundësinë që Budapesti të mos bllokojë vendimin, por as të kontribuojë drejtpërdrejt për Ukrainën.
Në margjinat e Këshillit, sipas agjencisë ANSA, është zhvilluar edhe një takim trepalësh informal mes presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe kryeministres Meloni, megjithëse Palazzo Chigi nuk e ka konfirmuar zyrtarisht.
Italia dhe Gjermania kanë hyrë në këtë Këshill Evropian me pozicione të kundërta edhe për çështje të tjera, përfshirë marrëveshjen Mercosur. Në këtë rast, kërkesa e Italisë për shtyrje ka mbizotëruar, me Komisionin që anuloi përkohësisht disa iniciativa, për të adresuar shqetësimet e sektorit bujqësor italian.
Sa i përket Ukrainës, pavarësisht dallimeve të thella mbi instrumentet financiare, as Roma dhe as Berlini nuk e kanë vënë në dyshim nevojën për të vazhduar mbështetjen ndaj Kievit. Megjithatë, debati mbi mënyrën dhe burimet e kësaj ndihme ka vazhduar deri në orët e vona të natës, duke reflektuar ndarjet e brendshme brenda Bashkimit Evropian.
Lini një Përgjigje