TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Dhjetor 2025, 10:29

Paqja në Ukrainë ose "Mbreti është Lakuriq"

Shkruar nga Pamfleti
Paqja në Ukrainë ose "Mbreti është Lakuriq"
Ukraina /

Kontakte të reja midis amerikanëve dhe ukrainasve janë në horizont. Po ashtu edhe midis amerikanëve dhe rusëve. Por në realitet, gjithçka ka ngrirë që kur Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Bisedimet po vazhdojnë vetëm për të shmangur shpalljen se “Mbreti është lakuriq”…

Negociatat e paqes në Ukrainë vazhdojnë, por vetëm për të shmangur deklarimin e dështimit të tyre. Në realitet, gjithçka ka ngrirë që kur Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Kontakte të reja midis amerikanëve dhe ukrainasve janë në horizont. Po ashtu edhe midis amerikanëve dhe rusëve.

Por tek e fundit, negociatat për luftën në Ukrainë nuk kanë lëvizur asnjë centimetër përpara që kur Trump u bë sërish president në fillim të këtij viti. Rrjedhjet e informacionit vazhdojnë, thekson Maurizio Boni, gjeneral-lejtnant i ushtrisë italiane dhe analist për “Analisi Difesa”, siç ndodhi me planin 28-pikësh të Trump, i cili u zbulua me mjeshtëri nga ata që nuk duan që negociatat të kenë sukses.

Sepse në realitet, diskutimet zhvillohen në mënyrë konfidenciale dhe të bazuara në dokumente zyrtare. Sidomos në një rast si ky, ku çështjet në tryezë janë komplekse dhe kërkojnë kohë për t’u adresuar.

Por në vend të kësaj, shohim dëshirën për të ecur shpejt përpara dhe të njëjtat ide që vazhdojnë të përsëriten, edhe nëse ato janë refuzuar tashmë nga pala tjetër. Duket sikur bisedimet po vazhdojnë vetëm për të shmangur deklarimin zyrtar të dështimit të tyre.

Putin refuzoi që fillim garancitë për territorin dhe sigurinë e Ukrainës, por më pas ukrainasit dhe amerikanët organizuan takime të mëtejshme. A kanë ngecur negociatat apo po ecin përpara?

Mua më duket se që nga Samiti i Gjenevës, nuk është bërë ndonjë përparim i konsiderueshëm. Thashethemet mbi negociatat vazhdojnë të përhapen dhe rusët

po reagojnë. Vetë fakti që informacioni po rrjedh nuk flet shumë për negociatat: konfidencialiteti është thelbësor, veçanërisht në një kohë kaq delikate.

Edhe plani me 28 pika, u bë publik falë rrjedhjeve nga ata që kishin dukshëm interes të sabotonin negociatat dhe t’i bënin ato më të vështira. Ato që duhet të adresohen janë propozimet zyrtare dhe kjo kërkon kohë. Për më tepër, ajo që zbulohet përbëhet shpesh nga përsëritje të përmbajtjes së zbuluar tashmë.

Për shembull, evropianët këmbëngulin në krijimin e një forcë stabilizuese në Ukrainë, të cilën duhet ta udhëheqin ata. Por a nuk është kjo një zgjidhje që Rusia e ka refuzuar vazhdimisht?

Është folur shumë për vendosjen e këtij kontingjenti trupash në një zonë të çmilitarizuar. Por nëse ajo përkon me territoret që ende nuk janë pushtuar nga rusët në Donbas, Moska e ka hedhur poshtë vazhdimisht këtë ide.

Kancelari Merc deklaroi se trupat gjermane mund të marrin pjesë në një koalicion paqeruajtësish, por shtoi se trupave duihet t’u lejohet të kryenin sulme hakmarrëse kundër inkursioneve të rëndësishme ruse, sikur të ishte duke u përgatitur tashmë për t’iu përgjigjur provokimeve ruse. Për më tepër, prania e Gjermanisë do të ngrinte një problem.

Cilin?

Bloomberg ka vënë në dukje se prania e trupave gjermane në ish-territorin sovjetike është një çështje shumë e ndjeshme, duke pasur parasysh mizoritë naziste të kryera në rajon gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër, është e rëndësishme të kuptohet se nga kush do të përbëhet kjo forcë shumëkombëshe: deri më tani, vetëm Franca, Britania dhe Gjermania kanë folur për këtë.

Për më tepër, këto vende kanë një shkëputje të madhe me shoqëritë e tyre përkatëse, të cilat nuk duken të prirura ta përqafojnë këtë lloj nisme. Evropa përsërit sjelljen e saj kokëfortë në lidhje me luftën në Ukrainë, megjithëse mbetet të shihet se çfarë kohezioni fshihet pas këtij qëndrimi. Deklaratat e vetme mbi këto çështje, kanë ardhur vazhdimisht nga britanikët, gjermanët dhe francezët.

Në gazetën “Kyiv Post”, Zelenski, ndërsa shpreh bindjen e tij se Rusia dëshiron të vazhdojë luftën, deklaron se amerikanët vazhdojnë t’i thonë se Putini dëshiron paqe. Cili është qëllimi i këtyre zërave?

Rusët duan paqe, dhe në fakt të gjithëve u intereson. Por një gjë është ta dëshirosh atë kur humbet, dhe një gjë tjetër kur po fiton. Nga ana tjetër, Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e Trump nuk lë vend për dyshime, duke deklaruar se interesi kryesor strategjik i Shteteve të Bashkuara është të çojnë përpara marrëdhënien e saj strategjike me Rusinë.

Edhe pse vetë Trump deklaroi së fundmi, se po përgatiste sanksione të mëtejshme kundër Moskës nëse ajo nuk e pranon marrëveshjen e paqes. E vërteta është se asgjë nuk ka ndryshuar që kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë: narrativa mbetet e njëjtë. Ose Rusia bindet, ose ndaj saj do të vendosen sanksione të ashpra. Por ndërkaq rusët dhe amerikanët po arrijnë marrëveshje strategjike për të ndarë përfitimet e të ardhmes së Ukrainës.

“Ukrainska Pravda”, publikoi së fundmi një sondazh që tregon se 77 për qind e ukrainasve janë në dijeni të hetimeve për korrupsion ndaj bashkëpunëtorëve të Zelenskit dhe 59 për qind e tyre fajësojnë presidentin. SVR, shërbimi i inteligjencës ruse, i tha agjencisë Tass se perëndimorët kanë frikë nga ndikimi i hetimeve dhe ushtarët ukrainas nuk duan të luftojnë për ata që janë të përfshirë në këto çështje korruptive. A është Zelenski ende në shënjestër?

Për një kohë të gjatë, vetë media ndërkombëtare ka theksuar se Zelenski është bërë pengesa kryesore për negociatat. Këtë nuk e thonë rusët por Perëndimi, veçanërisht britanikët. Zelenski është gjithmonë një objektiv. Ne duhet të kuptojmë se edhe sa kohë do të jetë i dobishëm dhe cili do të jetë kufiri i mandatit të tij, i cili nuk do të vendoset nga populli ukrainas por nga ata që e kanë mbajtur gjallë deri më sot.

Pra, çfarë duhet të presim nga takimet e ardhshme të planifikuara midis palëve? Dhe a do të shkëputet përfundimisht Trump nga evropianët, duke pasur parasysh dëshirën e tij për t’u rilidhur me Rusinë?

Është e vështirë të kuptohet se çfarë synojnë amerikanët. Trump pretendon se 90 për qind e marrëveshjes është arritur, por për fat të keq kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Në realitet, kompleksiteti i situatës kërkon kohë për të adresuar të gjitha çështjet, përfshirë ushtrinë, të cilën ukrainasit e duan me 800.000 trupa (4 herë më shumë se në fillim të luftës), ndërsa në bisedimet e Stambollit, rusët kërkuan që ajo të jetë vetëm 85.000 rupa.

Të përballur me peshën e madhe të çështjeve në tryezë, ata duan të veprojnë shpejt, duke dhënë përshtypjen se janë në prag të marrëveshjes, ndaj po e vazhdojnë politikën e deklaratave. Kjo krijon përshtypjen se gjithçka është nën kontroll, kur në fak nuk është kështu.

Pra bisedimet e vazhdueshme duket se synojnë të shmangin shpalljen se “Mbreti është lakuriq”?

Kjo është e vërtetë, sepse në realitet asgjë nuk ka ndryshuar ende. Përveç kësaj, afatet e shkurtra kohore dhe kompleksiteti nuk janë elementë të një ekuacioni të besueshëm./Përgatiti Pamfleti

paqja në ukrainë mbreti është lakuriq

Lini një Përgjigje