TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Dhjetor 2025, 13:45

"Trupat tanë po përparojnë"/ Putin flet për fitore, por nuk është i gatshëm të bëjë lëshime

Shkruar nga Pamfleti

"Trupat tanë po përparojnë"/ Putin flet për

Presidenti rus, Vladimir Putin ka folur me vetëbesim në konferencën e tij vjetore për shtyp, për pozicionin e Rusisë në fushëbetejë në luftën në Ukrainë. Por, ai nuk dha asnjë sinjal nëse Moska është e gatshme të bëjë lëshime thelbësore për hir të paqes.

Konferenca për rezultatet e vitit 2015, e mbajtur më 19 dhjetor përfshin një konferencë për media me pyetje nga qytetarët rusë, por që janë shqyrtuar paraprakisht.

Kjo konferencë u zhvillua në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po shtyn përpara përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar paqen, gati katër vjet pasi Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

“Trupat tanë po përparojnë përgjatë gjithë vijës së kontaktit. Në disa vende me ritëm më të shpejtë, në të tjera më ngadalë. Por, në të gjitha drejtimet armiku po tërhiqet”, tha Putin vetëm pak minuta pas fillimit të paraqitjes së transmetuar nga televizonet në Moskë, që përcillet brenda dhe jashtë Rusisë për mesazhet që jepen mbi qëllimet e Kremlinit.

Kjo ngjarje e orkestruar shpesh zgjat për orë të tëra. Putin vazhdimisht ka deklaruar muajt e fundit se Rusia ka epërsi në luftë dhe do të arrijë qëllimet e saj.

Në deklarimet e tij në këtë ngjarje, nuk pati ndonjë sinjal ndryshimi. Konferenca synon të projektojë vetëbesim te shikuesit në Rusi, Ukrainë, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

“Jam i sigurt se deri në fund të vitit do të shohim suksese të reja në fushëbetejë”, u shpreh Putin, përpara se t’i kthehej çështjeve të tjera.

Forcat ruse kanë përparuar gradualisht, duke goditur mbrojtjen e Ukrainës, e cila është në numër më të vogël dhe shpesh më pak e pajisur, në disa pika përgjatë vijës së frontit prej rreth 1.100 kilometrash.

Putin paraqiti një tablo veçanërisht optimiste të përparimeve të Rusisë, duke pohuar se trupat e Moskës pothuajse kishin marrë qytetin e Kupjanskut, në rajonin e Harkivit, duke rrethuar ushtarët ukrainas.

Ky pretendim është shumë i diskutueshëm. Forcat ukrainase kryen një kundërsulm ndaj forcave ruse muajin e kaluar dhe gjatë kësaj jave, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase deklaroi se Kievi kontrollon pjesën më të madhe të qytetit.

Presidenti Volodymyr Zelensky vizitoi këtë qytet javën e kaluar, me qëllim që të dëshmojë se ky qytet nuk është marrë nga rusët.

Lini një Përgjigje