Konferenca vjetore për shtyp e presidentit rus Vladimir Putin, e ndjekur gjerësisht brenda dhe jashtë Rusisë, këtë vit nuk u përqendrua vetëm në luftën në Ukrainë apo çështje politike. Në mes të një atmosfere të ngarkuar ndërkombëtarisht, një moment i papritur e ktheu ngjarjen në një episod emocional dhe, për disa, romantik.
Ndërsa Putini po përgjigjej në mënyrë të ashpër ndaj pyetjeve për Ukrainën, një ndërhyrje e pazakontë ndërpreu rrjedhën e zakonshme të konferencës.
Gazetari Kirill Bazanov, i veshur me papion të kuq dhe me një pankartë në dorë ku shkruhej “Dua të martohem me ty”, i drejtoi një propozim publik të dashurës së tij përmes ekranit, duke befasuar të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe vetë presidentin.
“E di që e dashura ime po ndjek konferencën. Olechka, martohu me mua!”, u shpreh gazetari mes duartrokitjeve në sallë.
Putini, i njohur për tonin e tij serioz, e mori momentin me humor dhe shtoi: “Mund të presësh gjithë jetën… ndaj më mirë mos e shty më shumë”.
Rreth një orë më vonë, moderatorët ndërprenë konferencën për të ndarë lajmin e mirë: Olechka kishte thënë “po”.
Ndërsa presidenti rus nuk pranoi ftesën për të marrë pjesë në dasmë, ai sugjeroi mbledhjen e një fondi për çiftin e ri, duke thënë me shaka: “Kirilli po pyeste për kushtet ekonomike të familjeve të reja, dhe ka të drejtë, burri duhet të jetë shtylla e shtëpisë. Tani, le të hedhim kapelen dhe të mbledhim të paktën për shpenzimet bazë të dasmës”.
Lini një Përgjigje