Kur ngjashmëria me diktaturat e errëta të historisë pushon së qeni rastësi. Nga shkatërrimi i normave te lavdërimi i dhunës, Trump nuk po qeveris më si një politikan tradicional, por si arkitekti i një fashizmi të ri amerikan që kërcënon themelet e lirisë…
Deri vonë, i rezistoja përdorimit të kësaj fjale për ta përshkruar presidentin Trump. Së pari, kishte shumë elemente të fashizmit klasik që nuk dukej se përshtateshin. Së dyti, me këtë term është abuzuar aq shumë sa e ka humbur kuptimin. Së treti, termi është i përcaktuar në mënyrë të mjegullt, madje edhe nga ithtarët e tij.
Që nga fillimi, fashizmi ka qenë një doktrinë jokoherente. Madje edhe sot studiuesit nuk bien dakord për përkufizimin e tij. Versioni origjinal i Italisë ndryshonte nga ai i Gjermanisë, i cili ndryshonte nga ai i Spanjës, i cili ndryshonte nga ai i Japonisë.
E pranova etiketimin që Joe Biden i bëri lëvizjes MAGA si “gjysmë-fashiste”, sepse disa paralele ishin qartësisht të dukshme. Trump ishte padyshim një udhëheqës autoritar dhe patrimonialist.
Një vit më parë, argumentova se regjimi i Trumpit është një version i patrimonializmit, në të cilin shteti trajtohet si pronë personale dhe biznes familjar i liderit. Kjo është ende e vërtetë. Por, siç vura re edhe atëherë, patrimonializmi është një stil qeverisjeje, jo një ideologji apo sistem formal.
Ai mund të shtresohet mbi të gjitha llojet e strukturave organizative, duke përfshirë jo vetëm qeveritë kombëtare, por edhe makineritë politike urbane si Tammany Hall, bandat kriminale si Mafia, madje edhe kultet fetare. Duke qenë se parimi i tij i vetëm i palëkundur është besnikëria personale ndaj shefit, ai nuk ka asnjë axhendë specifike.
Ndërkohë fashizmi është ideologjik, agresiv dhe, të paktën në hapat e tij të hershëm, revolucionar. Ai synon të dominojë politikën, të shtypë rezistencën dhe të rishkruajë kontratën sociale. Por kur faktet ndryshojnë, unë ndryshoj mendje. Ngjarjet e fundit e kanë bërë më të qartë stilin e qeverisjes së Trumpit. “Fashist” është fjala që e përshkruan më së miri, dhe ja cilat janë shkurtimisht arsyet:
Shkatërrimi i normave të etikës
Që nga fillimi i garës së tij të parë presidenciale në vitin 2015, Trump shkeli qëllimisht çdo kufi të mirësjelljes. Ai u tall me heroizmin e senatorit John McCain gjatë luftës në Vietnam, u tall me fytyrën e kandidates tjetër Carly Fiorina, me menstruacionet e moderatores së Fox News, Megyn Kelly, fyeu emigrantët etj.
Sot e bën ende këtë. Së fundmi bëri një gjest të turpshëm ndaj një punëtori fabrike dhe e quajti “dosë” një gazetare vetëm sepse nuk i pëlqeu pyetja e saj. Kjo sjellje është tipike e stilit të qeverisjes fashiste dhe jo një defekt i një individi. Fashistët e dinë se ato që Etërit Themelues amerikanë i quanin “virtyte republikane”, pengojnë axhendën e tyre politike. Prandaj i shkatërrojnë me gëzim parimet liberale si arsyeja, mirësjellja dhe shpirti qytetar, toleranca dhe durimi.
Duke u tallur me mirësinë dhe duke thënë të pathënshmet, ata i hapin rrugën atyre që William Galston i ka quajtur “pasionet e errëta” të frikës, zemërimit dhe veçanërisht dominimit. Ky është lloji i politikës që e zhvendos diskursin publik në një terren ku liberalët nuk mund të konkurrojnë.
Lavdërimi i dhunës
Çdo shtet e përdor dhunën për të zbatuar ligjet e tij. Por shtetet liberale e përdorin atë me ngurrim, ndërsa fashizmi e përqafon dhe e shfaq hapur atë. Trump e lavdëron hapur dhunën. Reklamat e tij të rekrutimit për ICE-në paraqesin bastisjet e stilit ushtarak në shtëpi dhe lagje.
Propaganda e tij kënaqet si fëmijë me vrasjen e civilëve; dhe të gjithë kemi parë video të agjentëve duke nxjerrë zvarrë njerëzit nga makinat dhe shtëpitë, pjesërisht sepse qeveria i filmon ata. Ashtu si shkatërrimi i mirësjelljes qytetare, edhe vlerësimi i dhunës nuk është rastësor në fashizëm; përkundrazi, është pjesë integrale e tij.
Forca ka të drejtë
Karakteristikë e fashizmit është edhe ajo që George Orwell e quajti “adhurimi i dhunuesit”. Pra, parimi i Tukididit: “të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet”. Kjo pikëpamje u shfaq në takimin famëkeq të Trumpit në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në të cilin Trump tregoi një përbuzje të hapur për atë që ai e konsideronte si dobësi të Ukrainës.
Por doli edhe më në pah kur Stephen Miller, ndihmësi më i plotfuqishëm i presidentit, deklaroi për CNN: “Ne jetojmë sot në një botë që qeveriset nga forca, që qeveriset nga fuqia, që qeveriset nga pushteti. Këto janë ligjet e hekurta të botës që kanë ekzistuar që nga fillimi i kohës”. Këto fjalë, në parim të huaja për traditat e moralit amerikan dhe të krishterë, mund të kishin dalë nga goja e çdo diktatori fashist.
Zbatim i politizuar i ligjeve
Liberalët respektojnë ligjet edhe nëse nuk u pëlqejnë. Ndërsa fashistët, vetëm kur u pëlqen. Nazizmi paraqiste një “shtet të dyfishtë”, ku në çdo moment mbrojtja e ligjit të zakonshëm mund të pushonte së zbatuari. Trump nuk e fsheh përbuzjen për procesin e rregullt ligjor. Ai ka kërkuar shumë herë burgosjen e kundërshtarëve të tij politikë.
Madje ka sugjeruar “anulimin” e Kushtetutës dhe ka thënë “nuk e di” kur u pyet nëse i kërkohet ta mbrojë atë. Risia e mandatit të dytë është ripërdorimi i zbatimit të ligjit federal për të persekutuar armiqtë e tij (dhe për të mbrojtur miqtë e tij).
Asnjë president i mëparshëm nuk ka prodhuar asgjë si urdhri i drejtpërdrejtë i Trumpit për Departamentin e Drejtësisë për të hetuar dy ish-zyrtarë, ose si ndjekjet e tij penale haptazi hakmarrëse ndaj James Comey dhe Letitia James.
Dehumanizimi
Fashizmi e merr legjitimitetin nga pretendimet e tij për mbrojtjen e popullit nga armiqtë që janë kafshë apo kriminelë. Trump i cilëson kundërshtarët e tij politikë si “vermin” (parazitë) dhe emigrantët si “plehra” që po “helmojnë gjakun e vendit tonë” (gjuhë e kopjuar direkt nga Rajhu i Tretë nazist).
Taktikat e shtetit policer
Trump e ka kthyer ICE-në në një segment paraushtarak që endet nëpër SHBA sipas dëshirës, kontrollon dhe ndalon si emigrantët ashtu edhe amerikanët pa urdhër. Po ashtu e përdor forcën në mënyrë demonstrative, vepron pas maskave, gënjen për aktivitetet e saj dhe i është thënë se gëzon “imunitet absolut”.
Ai e dyfishoi madhësinë e kësaj agjencie në vitin 2025, dhe sot buxheti i saj është më i madh se ai i të gjitha agjencive të tjera federale të zbatimit të ligjit të marra së bashku, dhe më i madh sesa buxhetet ushtarake të dhjetëra vendeve në botë.
Minimi i zgjedhjeve
Deklarata e fundit e Trumpit se nuk duhet të ketë zgjedhje këtë vjeshtë mund të ketë qenë ose jo shaka. Por ai dhe mbështetësit e tij MAGA besojnë se ata nuk humbasin kurrë një palë zgjedhje. Ata bënë përpjekje të mëdha për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.
Manipulimi, vjedhja ose anulimi i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve është, natyrisht, detyra e parë për fashistët. Megjithëse Trump ka kufizim mandatesh, s’duhet të presim që ai dhe besnikët e tij në MAGA t’ia dorëzojnë vullnetarisht Shtëpinë e Bardhë një demokrati në vitin 2029, pavarësisht se çfarë thonë votuesit. Dhe kryengritja e dytë do të jetë shumë më mirë e organizuar se e para.
Privatja është publike
Fashizmi klasik e refuzon dallimin themelor liberal midis qeverisë dhe sektorit privat, sipas thënies së Benito Musolinit: “Asnjë individ apo grup jashtë shtetit”. Ndër nismat më të guximshme të Trumpit janë përpjekjet e tij për të komanduar entitete private, duke përfshirë firmat ligjore, universitetet dhe korporatat.
Sulmet ndaj mediave
Pak kohë pas marrjes së detyrës në vitin 2017, Trump i denoncoi mediat si “armike të popullit amerikan”, një frazë e njohur nga diktaturat. Armiqësia e tij nuk u ndal kurrë, por në mandatin e tij të dytë ajo ka arritur kulme të reja. Trump ka kërcënuar licencat e transmetimit, ka abuzuar me autoritetin e tij rregullator, ka manipuluar marrëveshjet e pronësisë dhe ka fyer publikisht gazetarët.
Agresioni territorial dhe ushtarak
Në mandatin e tij të dytë, ai e ka përdorur në mënyrë të shfrenuar forcën ushtarake. Përdorimi haptazi dhe grabitqar i forcës për të marrë naftën e Venezuelës dhe kërcënimi i tij prej gangsteri për t’i marrë Grenlandën Danimarkës “me të mirë” ose ”me të keq”, janë lëvizje autoritare të stilit të viteve 1930. E njëjta gjë vlen edhe për përbuzjen e tij për ligjin ndërkombëtar dhe detyrimet ndaj aleancave.
Nacionalizëm me moton “gjak dhe tokë”
Një regjim është fashist edhe nga këmbëngulja e tij se vendi nuk është thjesht një koleksion individësh, por një popull, një volk: një grup i përcaktuar mistikisht dhe etnikisht i pastër, i lidhur nga gjaku, kultura dhe fati i përbashkët.
Në përputhje me këtë ide, Trump ka hedhur poshtë marrjen e shtetësisë nga lindja. Edhe numri 2, Vance, ka bërë thirrje për “ripërcaktimin e kuptimit të shtetësisë amerikane”, në mënyrë që prioriteti t'u kalojë amerikanëve me lidhje më të gjata historike.
Faktet alternative
Siç kanë theksuar Orwell, Hannah Arendt dhe gati çdo studiues tjetër i autoritarizmit, krijimi i një fushe të shtrembërimit të realitetit është gjëja e parë që do të bëjë një qeveri fashiste, për të çuar përpara narrativën e saj, për të zhytur në konfuzion qytetarët dhe për të demoralizuar kundërshtarët politikë.
Trump i ka bërë “faktet alternative” një shenjë dalluese të stilit të tij të qeverisjes. Pra, ngjashmëritë janë shumë të shumta dhe shumë të forta për t'u mohuar. Amerikanët që e mbështesin demokracinë liberale duhet të pranojnë se me çfarë po përballemi. Trump e ka zbuluar veten dhe ne duhet të emërtojmë siç duhet atë që shohim./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Atlantic”
Shënim: Jonathan Rauch, është opinionist në The Atlantic dhe bashkëpunëtor në Brookings Institution.
Per komunistet cfare nuk i shkon per shtat atyre eshte fashizem. Kur Obama beri te njejten gje ne amerike me emigrantet ilegale asnje rresht nuk shkruajten gazetaret.
eshte e çuditshme nderkohe qe gjithe bota po i kundervihet ketij psikopati diktator shqiptaret po i bene lajka dhe po thehen ne mes nga sevilizmi.un me mir humb karakterin sesa nderin tim