Hamasi ka thënë se lideri i saj Ismail Haniyeh është vrarë në shtëpinë e tij në Teheran në një bastisje izraelite.
Hamasi ka njoftuar vdekjen e liderit të tij, Ismail Haniyeh pas një sulmi izraelit në rezidencën e tij në Teheran.
Sulmi ndodhi në orën 2:00 të mëngjesit me orën lokale dhe lajmi është konfirmuar nga grupi militant palestinez i Hamasit.
Vdekja e Haniyeh vjen disa orë pasi Izraeli tha se vrau një komandant të lartë të Hezbollahut në një sulm në kryeqytetin libanez Bejrut, shkruan The Guardian.
Sulmet ndaj dy liderëve të lartë militantë të mbështetur nga Irani në hapësirën e 24 orëve kanë ngritur frikën se rajoni së shpejti mund të përfshihet në konflikt të mëtejshëm.
Haniyeh kishte qenë kreu i byrosë politike të Hamasit që nga viti 2017. Ai gjithashtu shërbeu si kryeministër i Autoritetit Kombëtar Palestinez nga 2006 deri në 2007 dhe kreu i administratës së Rripit të Gazës nga viti 2014 në 2017.
"Një akt frikacak dhe një zhvillim i rrezikshëm", e cilësoi presidenti palestinez Abu Mazen, i cili dënoi vrasjen e liderit politik të Hamasit, duke ftuar "popullin palestinez dhe forcat popullore për unitet, durim dhe vendosmëri përballë pushtimit izraelit".
Vrasja e liderit të Hamasit paraqet një përshkallëzim serioz që nuk do të arrijë objektivat e tij, tha zyrtari i fraksionit islamik Sami Abu Zuhri, cituar nga mediat izraelite.
"Vrasja e komandantit Ismail Haniyeh është një akt frikacak dhe nuk do të kalojë pa u vënë re," shtoi Musa Abou Marzouk, një nga udhëheqësit më të lartë të Hamasit në një nga deklaratat e para.
Garda Revolucionare e Iranit tha se ata "po hetojnë incidentin e vdekjes së liderit politik të Hamasit Ismail Haniyeh dhe do të shpallin rezultatet e hetimit më vonë".
Një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë se grupi do t'i përgjigjet vrasjes së Haniyeh, duke e quajtur atë "një akt frikacak që nuk do të mbetet pa u ndëshkuar".
Izraeli është zotuar në mënyrë të përsëritur të "shkatërrojë" figura të larta brenda udhëheqjes së Hamasit, pas sulmit të 7 tetorit .
Lini një Përgjigje