
Në aspektin strategjik dhe politik, nuk është në interesin e Izraelit dhe as Iranit që të përfshihen në një luftë të plotë midis tyre.
Lufta në hije midis Izraelit dhe Iranit, vazhdon që të përshkallëzohet dhe zgjerohet, duke paraqitur rreziqe serioze jo vetëm për këto dy vende, por edhe për kombet e tjera në Lindjen e Mesme. Përfaqësuesi i Iranit, Hezbollahu, dhe Izraeli i kanë shtuar kohët e fundit sulmet ndaj njëri-tjetrit.
Këtu përfshihen një seri sulmesh izraelite në territorin libanez mbrëmjen e të shtunës, teksa Tel Avivi e akuzoi grupin militant për kryerjen e një sulmi vdekjeprurës në një fushë futbolli në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli. Teherani ka paralajmëruar se një pushtim izraelit i Libanit, do të shkaktonte një “luftë shfarosëse”.
Misioni i Iranit në OKB, deklaroi muajin e kaluar se Teherani i sheh si një “luftë psikologjike” paralajmërimet e Izraelit për veprime ushtarake në Liban, duke shtuar:”Nëse ai fillon agresionin ushtarak në shkallë të plotë, atëherë do të pasojë një luftë asgjësuese për palën që do të humbasë”.
Edhe përballja midis Izraelit dhe grupimeve të armatosura të mbështetura nga Irani në Irak është përshkallëzuar ndjeshëm, me një rritje të dukshme të sulmeve me raketa. Ky zhvillim, ngre natyrshëm shqetësime në lidhje me potencialin për veprime të shtuara hakmarrëse, si dhe për rrezikun e përshkallëzimit më të gjerë të luftës në rajon.
Përveç kësaj, janë rritur edhe tensionet midis Izraelit dhe rebelëve Houthi në Jemen, duke çuar në një rritje dramatike të aktiviteteve agresive. Huthit kryen javën e kaluar një sulm ndaj Tel Avivit, duke shkaktuar 1 të vdekur dhe të paktën 10 të plagosur. Ky sulm, ishte i pari vdekjeprurës i rebelëve në territorin izraelit.
Në kundërpërgjigje, Izraeli bombardoi disa zona në Jemen, për të cilët pretendon se janë të lidhura me grupin e mbështetur nga Irani. Ndërkaq, këto tensione kanë prekur edhe vende të tjera, pasi huthit i kanë zgjeruar operacionet e tyre sulmuese, që synojnë ndërprerjen e trafikut detar.
Thuhet se që nga nëntori i vitit të kaluar, rebelët kanë kryer më shumë se 60 sulme ndaj anijeve që lundrojnë në Detin e Kuq, dhe kanë bërë kërcënime të qarta kundër anijeve që udhëtojnë drejt Izraelit. Kjo qasje i ka përshkallëzuar tensionet në rajon, dhe ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme për trafikun detar tregtar.
Gjithnjë e më shpesh, anijet nuk janë më në gjendje të marrin garanci nga kompanitë e sigurimit, dhe po detyrohen që të devijojnë rrugëtimin e tyre përreth kontinentit afrikan.
Udhëheqësit iranianë nuk po fshihen më pas përfaqësuesve të tyre, duke e bërë të qartë se çdo zgjerim i sulmeve kundër përfaqësuesve të tyre, do të shoqërohet me një kundërpërgjigje të ashpër.
Udhëheqësit izraelitë, besojnë se prapa këtyre tensioneve fshihet Irani, dhe se ai synon që të rrisë ndikimin e tij tek më shumë vende të rajonit. Kryeministri Benjamin Netanyahu u shpreh kështu para Kongresit Amerikan javën e kaluar:“Teherani po zhvillon ndaj nesh një luftë me 7 fronte:Hamasi, Hezbollahu, Huthit, milicitë në Irak dhe Siri, Bregun Perëndimor dhe ato brenda vetë Iranit”.
Lufta në hije midis Iranit dhe Izraelit, çoi në një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake të kufizuar por shumë domethënëse midis dy vendeve disa muaj më parë. Më 1 prill, Izraeli nisi një sulm të befasishëm ndaj një kompleksi diplomatik iranian në Damask të Sirisë.
Ky sulm, shkaktoi vdekjen e disa zyrtarëve të lartë të Gardës Revolucionare Islamike, duke shënuar edhe fillimin e një përshkallëzimi serioz të armiqësive. Në shenjë hakmarrje, Irani dhe përfaqësuesit e tij sekuestruan anijen “MSC Aries” të lidhur me Izraelin, dhe filluan një seri sulmesh brenda territorit izraelit gati 2 javë pas sulmit të Tel Avivit.
Izraeli u përgjigj me veprime të mëtejshme ushtarake, duke shënjestruar disa baza në Iran, përfshirë ato në qytetin Isfahan, si dhe duke kryer sulme shtesë në Siri. Kjo sekuencë ngjarjesh, nxjerr në pah natyrën e brishtë dhe të paqëndrueshme të situatës aktuale, në të cilën veprimet e secilës palë, mund të çojnë lehtësisht në pasoja të paqëllimshme dhe potencialisht katastrofike.
Megjithatë, pas përballjes të kufizuar të drejtpërdrejtë, të dyja vendet e rifilluan luftën e tyre në hije. Por këtë herë në një shkallë shumë më të gjerë dhe më intensive. Ky konflikt ka arritur një nivel të ri, me përfshirje të shtuar të forcave si dhe me një agresion të shtuar, duke e përkeqësuar më tej paqëndrueshmërinë rajonale.
Në aspektin strategjik dhe politik, nuk është në interesin e Izraelit dhe as Iranit që të përfshihen në një luftë të plotë midis tyre. Dhe kjo për disa arsye. Së pari, Izraeli dyshon nëse ka vërtet mbështetjen e plotë të SHBA-së, pasi administrata Biden ia ka bërë të qartë se favorizon uljen e tensioneve.
Uashingtoni e dekurajoi Izraelin që t’i kundërpërgjigjej Iranit, kur ky lëshoi raketa balistike dhe dronë drejt Izraelit. Për më tepër, administrata Biden ka shumë të ngjarë të besojë se përfshirja në një luftë në Lindjen e Mesme, mund të ndikojë negativisht në shanset e demokratëve për të fituar zgjedhjet presidenciale në nëntor.
Nga ana tjetër në Teheran, qeveria po përballet me presionet e brendshme dhe ato ekonomike, përfshirë inflacionin e lartë dhe papunësinë. Pjesëmarrja e ulët e votuesve në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare, tregon qartë pakënaqësinë e publikut me status quo-në.
Për më tepër, duke folur në aspektin ushtarak, Izraeli besohet se posedon qindra armë bërthamore. Dhe në një luftë në shkallë të plotë, mund të konsiderohen të gjitha opsionet, të cilat nuk do të ishin në interesin më të mirë të qeverisë iraniane.
Pra konsideratat strategjike dhe politike aktuale, nuk tregojnë se do të nisë shumë shpejt një luftë e drejtpërdrejtë midis këtyre dy vendeve. Megjithatë, ndërsa të dyja kombet mund të preferojnë një luftë në hije ndaj një konflikti të drejtpërdrejtë, tensionet mund të dalin jashtë kontrollit, duke çuar në fund në një luftë të drejtpërdrejtë.
Sepse jo çdo veprim mund të kontrollohet apo të përfshihen në një konflikt të tillë milicitë, siç e ka treguar historia me konflikte të tjera, që janë përshkallëzuar papritur. Për shembull, Lufta e Vietnamit nisi në fillim si një konflikt i kufizuar, me mbështetjen e SHBA-së për Vietnamin e Jugut.
Por ajo u përshkallëzua në një luftë në shkallë të plotë ku u përfshinë fuqitë e mëdha, duke sjellë pasoja të rëndësishme rajonale dhe globale. Ndërsa një luftë e drejtpërdrejtë në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Iranit duket e pamundur për momentin, kur merren parasysh faktorët strategjikë dhe politikë, ekziston ende një rrezik shumë i lartë që përshkallëzimi i tensioneve mund të çojë në një konflikt më të gjerë.
Një zhvillim i tillë, do të ndikonte negativisht në vendet e tjera të Lindjes së Mesme, dhe do të rrezikonte stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, duke e bërë atë një situatë që duhet shmangur me çdo kusht.
Shënim: Dr.Majid Rafizadeh, është një shkencëtar iraniano-amerikan i diplomuar në Universitetin e Harvardit./ Përshtati "Pamfleti", nga “Eurasia Riview”.
Lini një Përgjigje