TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Korrik 2024, 22:55

Perëndimi duhet të përgatitet për Luftën e Tretë Botërore duke u frymëzuar nga rezistenca e Ukrainës

Shkruar nga Elisabeth Braw

Perëndimi duhet të përgatitet për Luftën e Tretë

A do kemi këtë herë Luftën e Tretë Botërore?

Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë, po tregon se Lufta e Tretë Botërore është tërësisht e mundshme. Ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, njëherazi ish-komandanti i lartë i ushtrisë së vendit të tij, ka deklaruar së fundmi se vendet e tjera mund të përgatiten duke mësuar nga ajo që po ndodh në Ukrainë.

Dhe është e sigurt se ato mund ta bëjnë këtë. Për më tepër, duke përgatitur me shpejtësi shoqëritë e tyre për një luftë si ajo që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë, vendet perëndimore mund të ndihmojnë në parandalimin e një lufte të re botërore.

Sikur institucionet, kompanitë dhe qytetarët ukrainas të mos ishin aq të shkathëta, Ukraina do të përballej jo vetëm me një pushtues brutal rus, por edhe me një shoqëri në kolaps të plotë. A është gati njerëzimi të pranojë me qetësi luftën e ardhshme, për sa i përket shkallës së vuajtjes?

A do kemi këtë herë Luftën e Tretë Botërore?

"Vendet e lira dhe demokratike dhe qeveritë e tyre, duhet të zgjohen nga gjumi dhe një qasje plot vetë-kënaqësi, dhe të nisin seriozisht të mendojnë se si të mbrojnë qytetarët dhe vendet e tyre. Ne si ukrainas jemi të gatshëm të ndajmë me ju të gjitha njohuritë tona”, tha Valery Zaluzhny në Konferencën e Luftës, të mbajtur nga grupi i ekspertëve të thinj-tankut “Royal United Services Institute” (RUSI), në fillim të kësaj jave në Londër.

Natyrisht, Zaluzhny nuk është vetëm ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, por edhe ish-komandanti i saj kryesor. Ai është gjenerali që udhëhoqi përpjekjet e Ukrainës për të zmbrapsur pushtuesit rusë, derisa u shkarkua pas një lufte të ashpër për pushtet në fillim të këtij viti përballë presidentit Volodymyr Zelensky.

Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, ushtritë perëndimore i kishin trajnuar homologët e tyre ukrainas për ta ndihmuar Ukrainën të zmbrapste më mirë Rusinë. Kur nisi pushtimi, Zaluzhny dhe trupat e tij e përdorën mjaft mirë këtë njohuri.

Aq mirë sa që “operacioni special ushtarak” i Rusisë i planifikuar të zgjaste vetëm disa ditë, është ende në vazhdim. Bazuar tek logjika normale, nisja e një lufte agresioni me pasoja katastrofike edhe për vetë pushtuesin, duhet ta bindte presidentin Vladimir Putin se pushtimet e vendeve të tjera sovrane janë një ide e keqe.

Por Putin nuk vepron në bazë të asaj që ne do ta konsideronim si logjikë. Në fakt, ai mund të mendojë se pushtimi i një vendi tjetër, i shërben interesave të tij dhe të Rusisë. Lufta e Tretë Botërore, nuk është më skenari i pamundur që dukej deri disa vite më parë.

Britania e Madhe, duhet të jetë gati për një luftë që mund të nisë brenda 3 vitesh, deklaroi në konferencë gjenerali Roly Ëalker, Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Nuk ka rëndësi se si përfundon lufta në Ukrainë. Unë mendoj se Rusia do të dalë prej saj ndoshta më e dobët. Por ajo do të mbetet ende shumë, shumë e rrezikshme, dhe do të kërkojë një formë ndëshkimi për atë që kemi bërë për ta ndihmuar Ukrainën”, theksoi ai.

Pushtimi brutal rus, u ka dhënë ushtarëve ukrainas ekspertizë të pashembullt të fushës së betejës, për të mos përmendur përvojën në logjistikë ushtarake, artin e dërgimit të ushtarëve dhe pajisjeve në vendin e duhur në kohën e duhur. Siç e theksoi Zaluzhny në fjalimin e tij, sot forcat e armatosura perëndimore mund të nxënë leksione dhe njohuri të rëndësishme nga vetë ushtarët që ata vetë kanë trajnuar dikur.

Po aq e rëndësishme, Ukraina ka krijuar një ekspertizë të jashtëzakonshme në lidhje me qëndrueshmërinë e një shoqërie në kushte ekstreme. Ndërsa vende si Suedia, Norvegjia dhe Finlanda, kanë agjencitë e tyre të emergjencave civile, që funksionojnë shumë mirë dhe me kompetenca të gjera për planifikimin e veprimeve në raste emergjence, dy vjet e gjysmë më parë Ukraina ra viktimë e një pushtimi pa planin e duhur se si duhej të mbahej në këmbë shoqëria.

Teksa Rusia po bombardonte qytetet dhe marshonte drejt tyre, ukrainasit - institucionet, kompanitë, qytetarët e thjeshtë - duhej që të krijonin metoda për t’u siguruar që të vazhdonte jeta e përditshme. Që nga fillimi i pushtimit të në shkallë të gjerë në vitin 2022, Hekurudhat e Ukrainës kanë kryer një mrekulli, duke mbajtur trenat në shina (dhe madje duke garantuar mbërritjen e tyre në kohë në destinacion), duke siguruar kështu që njerëzit dhe mallrat të vazhdojnë të transportohen në të gjithë vendin.

Shkollat ​​kanë vazhduar të mësojnë fëmijët, duke përfshirë edhe përmes internetit dhe në vende të improvizuara si stacionet e metrosë. Vetëm në Kharkiv, autoritetet lokale kanë ngritur shkolla në 5 stacione metroje.

Qytetarët e thjeshtë janë bashkuar për t’u kujdesur për fqinjët e pambrojtur, për t’u kujdesur për kafshët e lëna pas nga bashkatdhetarët që largohen, dhe për shumë gjëra të tjera. Madje në vend-strehime, ata organizojnë vallëzime popullore, shfaqje teatrale dhe baleti.

Nga ana e tij, sektori privat i Ukrainës, është testuar në mënyra të paimagjinueshme edhe gjatë Covid-19:“Ndërsa konflikti u përshkallëzua, u bënë të qarta dy sfida themelore të luftës: si të drejtohen objektet e prodhimit apo zyrat për të garantuar sigurinë fizike të njerëzve dhe pajisjeve (makinave, kompjuterëve dhe rrjeteve); dhe në të njëjtën kohë si të sigurohen palët e interesuara, dhe veçanërisht furnizuesit, shpërndarësit dhe blerësit ndërkombëtarë, se kompanitë ekzistojnë ende dhe po punojnë si zakonisht”- shpjeguan ekspertët në një raport të botuar shtatorin e vitit të kaluar.

Ata zbuluan se kompanitë ukrainase, ditën sesi të përshtaten shumë shpejt ndaj kushteve ekstreme që sjell një luftë. Po ashtu, zhvilluan takime të vazhdueshme ku informuan mbi menaxhimin në kushtet e reja, e zhvendosën prodhimin në vende më të sigurta, dhe lejuan punën në distancë sa herë që ishte e mundur.

Për pasojë, ekonomia e Ukrainës ka vazhduar të funksionojë. Sikur institucionet, kompanitë dhe qytetarët të mos ishin aq të shkathëta, Ukraina do të përballej jo vetëm me një pushtues brutal rus, por edhe me një shoqëri në kolaps, dhe kjo do ta bënte shumë më të lehtë detyrën e rusëve.

Gjenerali Zaluzhny ka të drejtë:Ukraina ka mësime të paçmuara në fushën e mbrojtjes, që mund t’i ndajë me ne të tjerët. Pasja e një mbrojtjeje të fortë ushtarake dhe civile, nuk do të jetë thjesht e domosdoshme nëse shpërthen Lufta e Tretë Botërore:ajo mund të frenojë edhe kundërshtarët tanë./Përshtati "Pamfleti" nga “The Spectator”

*Shënim:Elisabeth Braw, anëtare e think-tankut “Atlantic Council”, dhe autore e librit “Lamtumirë globalizim”.

Lini një Përgjigje