
Dislokime të tilla, të cilat shihen si provokim nga ana e Rusisë, mund të rezultojnë fatale në një të ardhme të afërt. Me një udhëheqës si Putin, nisja e një lufte Bërthamore është shumë më e mundur se arritja e paqes.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar SHBA-në se nëse Uashingtoni do të vendosë raketa me rreze të gjatë veprimi në Gjermani nga viti 2026, Rusia do të vendosë raketa të ngjashme brenda distancës goditëse nga perëndimi.
Kërcënimi i hapur i Putinit vjen pas deklaratave të Berlinit dhe Uashingtonit, se SHBA do të fillojë vendosjen e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, në një përpjekje për të demonstruar përkushtimin e saj ndaj NATO-s dhe mbrojtjes evropiane.
“Dislokimet episodike të SHBA-së janë në përgatitje për stacionim afatgjatë të aftësive të tilla që do të përfshijnë raketa lundrimi SM-6 dhe Tomahawk dhe armë zhvillimore hipersonike që kanë një rreze më të madhe se aftësitë aktuale në Evropë”, u tha në deklaratën e Uashingtonit dhe Berlinit.
Në një fjalim të dielën para marinarëve nga Rusia , Kina, Algjeria dhe India për të shënuar ditën e marinës ruse në ish-kryeqytetin perandorak të Shën Petersburgut, Putin i tha SHBA-së se rrezikonte të shkaktonte një krizë raketash të stilit të luftës së ftohtë me këtë lëvizje.
“Koha e fluturimit drejt objektivave në territorin tonë të raketave të tilla, të cilat në të ardhmen mund të pajisen me koka bërthamore, do të jetë rreth 10 minuta. Ne do të marrim masa reciproke për t'u vendosur, duke marrë parasysh veprimet e Shteteve të Bashkuara, satelitëve të saj në Evropë dhe në rajone të tjera të botës”, tha Putin.
Putin tha se SHBA po nxiste tensionet dhe kishte transferuar sistemet e raketave Typhon në Danimarkë dhe Filipine, dhe i krahasoi planet e SHBA me vendimin e NATO-s për vendosjen e raketave Pershing II në Evropën Perëndimore në 1979.
Udhëheqja sovjetike, duke përfshirë sekretarin e përgjithshëm, Yuri Andropov, kishte frikë se dislokimet e Pershing II ishin pjesë e një plani të përpunuar të udhëhequr nga SHBA për të prerë kokat e Bashkimit Sovjetik duke hequr udhëheqjen e tij politike dhe ushtarake.
“Kjo situatë të kujton ngjarjet e Luftës së Ftohtë lidhur me vendosjen e raketave amerikane Pershing me rreze të mesme veprimi në Evropë”, tha Putin.
Presidenti rus përsëriti një paralajmërim të mëparshëm se Moska mund të rifillojë prodhimin e raketave bërthamore me rreze të mesme dhe më të shkurtër dhe më pas të shqyrtojë se ku t'i vendosë ato nëse SHBA-të sjellin raketa të ngjashme në Evropë dhe Azi.
Tensionet mes SHBA-së dhe Rusisë sa vijnë dhe rriten. Dislokime të tilla, që shihen si provokim nga ana e Rusisë, mund të rezultojnë fatale në një të ardhme të afërt. Me një udhëheqës si Putin, nisja e një lufte Bërthamore është më pranë se arritja e një paqeje me Perëndimin./Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje