TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Korrik 2024, 22:10

Problemet e Lindjes së Mesme shtrihen shumë përtej Gazës

Shkruar nga Kim Ghattas

Problemet e Lindjes së Mesme shtrihen shumë përtej Gazës

Njerëzit kishin filluar të kuptonin se fokusimi vetëm tek kjo çështje, në kurriz të gjithçkaje tjetër, po e linte në prapambetje të gjithë rajonin.

Lajmet mbi Lindjen e Mesme, dominohen aktualisht nga të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me palestinezët dhe izraelitët. Nga fjalimi i diskutueshëm i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Kongresin Amerikan, tek vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se vazhdimi i pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli, përbën një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar, kjo është pothuajse e vetmja temë e diskutuar (me një farë interesi të rastësishëm edhe për një pakt potencial midis sauditëve dhe amerikanëve në fushën e mbrojtjes).

Në parim, është e drejtë që lufta shkatërruese 9-mujore në Gaza, e ardhur pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 tetor 2023, të marrë kaq shumë vëmendje. Por ajo është gjithashtu edhe një perde e dobishme për udhëheqësit autoritarë në të gjithë Lindjen e Mesme, të cilët po e përdorin këtë periudhë për të dobësuar me tej liritë dhe të drejtat e njeriut në botën arabe.

Në maj të këtij viti, sundimtari i Kuvajtit e shpërndau për 4 vite parlamentin e vendit të tij të dominuar nga opozita, një gjendje e rrallë kjo në Lindjen e Mesme. Lajmi bëri pak bujë nëpër media. Po atë muaj, policia tuniziane sulmoi dhe arrestoi avokatët dhe bastisi zyrat e shoqatës së avokatëve, pjesë e një goditjeje të vazhdueshme ndaj disidencës.

Edhe kjo ngjarje pati pak vëmendje ndërkombëtare. Ndërkohë këtë muaj, Emiratet e Bashkuara Arabe mbajtën një gjyq të madh mbi rreth 80 disidentë dhe aktivistë politikë , duke dhënë 43 dënime të përjetshme për vepra të dyshuara terroriste. Shumica e detajeve mbi këtë proces u mbajt sekret nga autoritetet.

Ndërkohë në Arabinë Saudite, Abdulaziz Almuzaini, një regjisor i njohur i filmave të animuar, që ka një kontratë 5-vjeçare bashkëpunimi edhe me platformën e njohur Netflix, zbuloi se ishte dënuar me 13 vjet burg, megjithëse mbetet ende i lirë në shtëpi.

Duket se një nga animacionet e tij është keqkuptuar si një mbështetje për Shtetin Islamik, ndaj ai u akuzua për përkrahje të ideologjisë ekstremiste. Ndërkohë këtë javë, Egjipti arrestoi karikaturistin Ashraf Omar, i cili kishte kritikuar ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike në vend.

Atij i lidhën sytë dhe u mor nga shtëpia në orët e para të mëngjesit. Lista është shumë e gjatë, dhe këtu nuk kam përmend ende as Sirinë dhe Sudanin. Ju mund të thoni se kjo është vetëm një ditë tjetër në Lindjen e Mesme. Apo se politika e brendshme dhe shtypja në të gjithë rajonin, nuk kanë të bëjnë fare me Gazën dhe as me çështjen palestineze.

E megjithatë, ato kanë gjithçka të bëjnë me të. Për dekada me radhë, regjimet arabe shtypën disidencën, pezulluan reformat, i indoktrinuan fëmijët dhe zgjeruar buxhetet e tyre të mbrojtjes në kurriz të përparimit shoqëror. Dhe për të gjitha këto, ata thanë se i bënë në emër të Palestinës.

Fjala arabe më popullore për shtërngimin e radhëve në kohë lufte, përkthehet përafërsisht kështu:Asnjë tingull nuk duhet të dëgjohet mbi atë të betejës! Dhe beteja është ajo kundër Izraelit. I popullarizuar së pari nga udhëheqësi i Egjiptit Gamal Abdel Nasser, ky slogan u përdor për t’u mbyllur gojën kritikëve, pas humbjes që pësoi në luftën 6-ditore të vitit 1967 kundër Izraelit.

Disa dekada më vonë, kryengritjet arabe të vitit 2011, ishin kundër kësaj tendence. Miliona njerëz dolën në rrugë duke kërkuar liri, drejtësi dhe standarde më të mira jetese. Ajo lëvizje, nuk ishte një mohim i rëndësisë së çështjes palestineze për arabët.

Njerëzit kishin filluar të kuptonin se fokusimi vetëm tek kjo çështje, në kurriz të gjithçkaje tjetër, po e linte në prapambetje të gjithë rajonin. Kundërrevolucioni i shfarosi të gjitha shpresat e protestuesve nga Egjipti në Siri. Tani, lufta në Gaza e ka kthyer vëmendjen sërish tek Palestina, një plagë e mprehtë dhe një çështje tejet emocionuese, që prek njerëzit nga Kajro në Nju Jork dhe deri në Kuala Lumpur.

Një çështje, që është ende shkak për përplasje midis qeveritë arabe me qytetarët e tyre. Shprehjet publike të mbështetjes për Gazën janë të ndaluara në vendet e Gjirit, ndërsa sundimtarët po përpiqen të ruajnë balancat midis nevojës për stabilitetin e regjimit dhe asaj për forcimin e lidhjeve të tyre me Izraelin.

Jordania është përpjekur të frenojë protestat pro-palestineze të mbushura plot me zemërim, dhe që kërcënojnë të bëhen anti-qeveritare. Presidenti i Egjiptit, lejoi vetëm për pak kohë protestat pro-Gazës, dhe më pas i ndali ato kur dëgjoi disa turma të brohorisnin:”Bukë, Liri, Drejtësi Sociale!”.

Goditja ndaj solidaritetit me popullin e Palestinës është përhapur sigurisht brenda vetë Izraelit, ku qeveria ka vënë në shënjestër si hebrenjtë izraelitë, ashtu edhe qytetarët palestinezë të Izraelit.  Ky konflikt po përdoret gjithashtu në një nga rastet më të këqija të një taktike të pështirë.

Sipas saj, një person i përgjigjet një argumenti ose sulmi, duke e ndryshuar temën për t’u fokusuar sjellja e keqe e dikujt tjetër, duke nënkuptuar se të gjitha kritikat janë të pavlefshme sepse askush në fakt nuk është plotësisht i pafajshëm.

Disa argumentojnë se është e papranueshme të diskutohet për luftën e vazhdueshme të presidentit sirian Bashar Al-Assad kundër popullit të tij, për shkak të qëndrimit të tij tradicional anti-izraelit:”A e keni parë se çfarë po bën Izraeli?”.

Të tjerë argumentojnë të kundërtën: “Izraeli po vret palestinezët? Po ç’mund të themi për qindra mijëra të vrarët nga Bashari?”. Problemet sistematike në Lindjen e Mesme, nuk do të zgjidhen si me magji, nëse dhe kur të krijohet një shtet palestinez.

Por po ashtu, nuk do të ketë ndonjë përparim të qëndrueshëm në rajon, pa adresuar dhe i dhënë fund pushtimit më të gjatë në kohët moderne. Padrejtësia dhe mosndëshkimi, ushqehen me njëra-tjetrën në një unazë të pafundme që shtrihet nga Damasku në Gaza, dhe nga Bejruti në Ramallah./Përshtati "Pamfleti" nga “Financial Times”

Lini një Përgjigje