
Matteo Salvini, zv.Kryeministri i Italisë, ka propozuar një projekt-ligj për tërheqjen e Italisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pas urdhrit ekzekutiv të Donald Trump të hënën.
"Unë paraqita këtë mëngjes në Dhomën e Deputetëve, projektligjin e Lidhjes për t'u larguar nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), siç bënë Shtetet e Bashkuara me Donald Trump", tha Salvini, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Liga, në X .
Propozimi i Salvinit vjen ndërsa organizmi botëror po ngrin punësimet dhe po aplikon shkurtime në buxhetet e udhëtimit pas tërheqjes së SHBA-së, e cila kontribuoi me rreth 15 për qind të buxhetit të saj. Buxheti i OBSH-së për 2024-2025 u vendos nga shtetet anëtare në 6.83 miliardë dollarë (6.52 miliardë euro).
“Italia nuk duhet të merret më me një qendër fuqie mbikombëtare – e financuar mjaft nga taksapaguesit italianë – që shkon dorë për dore me kompanitë farmaceutike shumëkombëshe”, tha Salvini, duke shtuar se Italia duhet të përdorë atë që ai e quajti “100 milionë euro” në kontribute për të financuar në vend të kësaj "spitalet dhe mjekët tanë".
Sipas të dhënave të financimit të OBSH-së, Italia ka dhuruar 66 milionë euro për këtë organizëm për periudhën e financimit 2024-2025, nga të cilat 34 milionë euro janë kuotat e anëtarësimit.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një aleate e Trumpit, nuk ka dhënë ende një qëndrim publik mbi propozimin e Salvinit.
Të martën, ministri gjerman i shëndetësisë Karl Lauterbach tha se shpresonte të bindte Presidentin Trump që të mos largohej nga OBSH, duke e quajtur vendimin një "goditje serioze për luftën ndërkombëtare kundër krizave globale shëndetësore", raportoi Reuters .
Në mënyrë të ngjashme, ish-komisionerja e shëndetësisë e BE-së Stella Kyriakides tha të mërkurën se tërheqja e SHBA-së nga OBSH shkakton "shqetësim të madh" dhe shpresoi se "ky vendim do të rishqyrtohet për të mirën e miliona njerëzve në mbarë botën".
Komisioneri aktual i shëndetësisë, Olivér Várhelyi, i cili është i lidhur me partinë Fidesz të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, nuk ka komentuar ende publikisht vendimin e presidentit amerikan për t'u tërhequr.
Lini një Përgjigje