Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko nuk do të jetë i vetmi person në listën e zezë të SHBA-së. Këtë e ka konfirmuar vetë ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela P. Aggeler e cila pohoi se do të ketë edhe emra të tjerë personash të shpallur “non grata” nga Uashingtoni.
Ajo shtoi se procesi i shpalljes të një personi “si i padëshiruar” bëhet me kujdes dhe bazohet në fakte.
“Përcaktime të tilla marrin kohë, dhe shoqërohen me një proces të imtësishëm ligjor verifikimi, pra nuk merren, nuk bëhen shpejt dhe në një moment të caktuar shqyrtohen disa emra pasi zyra jonë ligjore në SHBA dhe zyrat tjera rishikojnë faktet”, u shpreh ajo.
E pyetur se kur pritet të shpallen emrat e tjerë, ambasadorja tha se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk përmend dot afate të qarta.
“Dua vetëm të theksoj se Shtetet e Bashkuara e marrin shumë seriozisht një gjë të tillë”, ishte komenti i saj.
Kujtojmë se Departament Amerikan i Shtetit e shpalli një ditë më parë non grata kryetarin e Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e DASH-it thuhet se Merko ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.
Lini një Përgjigje