
Gjyqtari Milan Blagojeviç e konsideron të përfunduar mandatin e Milorad Dodik si President i Republika Srpska, pas vendimit që konsiderohet si historik nga gjykata, që e dënoi me 1 vit burg dhe 5 vite ndalim të mbajtjes së funksioneve publike.
Duke folur për TV BN, Blagojeviç, ish-këshilltar i Zeljka Cvijanovic, thekson se, sipas Kodit Penal të BiH, pasojat ligjore të një vendimi hyjnë në fuqi ditën kur ai merr formë të prerë, që është pikërisht dita kur ai miratohet.
Ai shton se meqenëse vendimi nga Gjykata e BiH u dha më 1 gusht, është e qartë se ai është marrë më herët, që do të thotë se që nga ajo ditë, Dodik, nuk mund ta kryejë më funksionin e Presidentit të RS-së.
"Nëse i përmbahemi ligjit, posti i Dodikut pushoi në ditën e vendimit. Në këtë rast, ai nuk ka më bazë ligjore për të emëruar një zëvendës nga radhët e nënkryetarëve, sepse nuk e mban më atë post. Kushtetuta e RS përcakton qartë se vetëm presidenti aktual e ka këtë të drejtë", tha Blagojeviç.
Ai kujtoi gjithashtu situatën e vitit 2007, kur, pas vdekjes së Presidentit të atëhershëm Milan Jeliç, Asambleja Kombëtare emëroi një pasardhës të përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
Një qasje e ngjashme, beson Blagojeviç, mund të zbatohet tani, por me një kufizim: zëvendësimi mund të kryhet vetëm nga njëri prej nënkryetarëve të RS-së, dhe jo nga ndonjë palë e tretë.
Sipas mendimit të tij, Komisioni Qendror Zgjedhor i BiH duhet të veprojë urgjentisht dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme për Presidentin e RS-së, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 90 ditë nga data e shpalljes së tyre.
Nëse do të ndodhte ndonjë pengesë e atij procesi, Blagojeviç paralajmëron se kjo do të përbënte kryerjen e të paktën dy veprave penale: pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve (neni 215 i Kodit Penal të RS) dhe moszbatimin e një vendimi gjyqësor (neni 239 i Kodit Penal të BiH).
Kjo nuk përjashton mundësinë që mund të flitet edhe për një sulm ndaj rendit kushtetues të BiH-së (neni 156 i Kodit Penal të BiH-së).
"Një vendim përfundimtar ka pasoja të drejtpërdrejta dhe çdo injorim i këtyre pasojave sjell përgjegjësi serioze ligjore", përfundoi Blagojević në një deklaratë për televizionin BN.
Lini një Përgjigje