TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Gusht 2025, 15:48

Nga dialogu me Kosovën te situata në Bosnje, Macron i përcakton ‘vijat e kuqe’ Vuçiçit

Shkruar nga Pamfleti

Nga dialogu me Kosovën te situata në Bosnje, Macron i përcakton

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun serb, Aleksandar Vuçiç, lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, veçanërisht lidhur me zhvillimet në Bosnjë dhe Hercegovinë, pas dënimit të Dodik me 1 vit burg.

Duke zbardhur detaje nga biseda, Presidenti francez tha se kishte diskutuar me Vuçiç lidhur me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe "detajet" e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Macron i konfirmoi Vuçiçit besimin e tij se "e ardhmja evropiane e Serbisë është rruga e saj e vërtetë", si dhe "shpresën e tij se ajo do të përparojë në këtë rrugë reformash dhe anëtarësimi, në frymën e dialogut".

“Diskutuam të gjitha aspektet e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Francës dhe vendosëm të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë”, shkroi Macron në rrjetin social X.

Presidenti francez theksoi se të dy folën në detaje edhe për situatën rajonale. "Theksova rëndësinë që Franca i kushton stabilitetit, unitetit dhe sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe respektit për sundimin e ligjit", tha ai.

Macron i kushtoi vëmendje të veçantë edhe dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se Franca dënon çdo veprim të njëanshëm që mund ta rrezikojë atë:
“Kujtova rëndësinë e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës dhe dënimin tonë të çdo hapi të njëanshëm që do ta kompromentonte atë.”

Lidhur me Ballkanin Perëndimor në tërësi, presidenti francez përfundoi me fjalët: “së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa do ta kuptojë dhe do ta realizojë fatin e saj në frymën e unitetit, solidaritetit dhe përgjegjësisë.”

Ndërkohë në një tjetër njoftim, Vuçic bëri të ditur se gjatë bisedës me Macron kishte theksuar se “Serbia mbetet e përkushtuar ndaj të gjitha proceseve që synojnë ruajtjen e paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit dhe përsërita se zhvillimi i vendit, mirëqenia, si dhe mbrojtja e popullit serb, janë interesat tona kryesore kombëtare”.

“Theksova angazhimin tonë për dialog dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, si dhe gatishmërinë tonë për të kontribuar në stabilitetin afatgjatë të rajonit”, bëri të ditur Vuçiç.

Ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj Macron për angazhimin e tij personal kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ofron Serbisë në rrugën e saj evropiane, dhe e ftoi atë të vizitojë Serbinë.

Lini një Përgjigje