
Europianët tani thirren të veprojnë...
Qeveritë evropiane po përballen me dy mesazhe kontradiktore nga Shtetet e Bashkuara. Ai që, në teori, duhet të jetë më i rëndësishmi është postimi i publikuar të premten pasdite nga Donald Trump në platformën e tij “Truth”. Në thelb, presidenti amerikan shkruan se ka ndërmend ta përfundojë shpejt luftën, por synon t’u lërë vendeve të tjera detyrën për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, rruga detare nga e cila kalon rreth një e pesta e nevojës botërore për naftë. Sinjali tjetër, më shqetësues, ka mbetur për disa ditë në prapaskenë.
Dy javë më parë, Centcom, Komanda Qendrore e forcave të armatosura amerikane me bazë në Tampa të Floridës, i kishte kërkuar në mënyrë konfidenciale Pentagonit financime për të përballuar edhe 100 ditë të tjera lufte. Deri tani, sulmi ndaj ajatollahëve ka kushtuar dy miliardë dollarë në ditë. Lajmi u bë zyrtar të premten e kaluar, kur Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se do t’i kërkojë fonde Kongresit, pasi nevojiten 200 miliardë dollarë, dy miliardë për njëqind ditë, për të eliminuar armiqtë.
Stili i administratës Trump është i njohur. Megjithatë, europianët tani thirren të veprojnë. Së pari, cili është skenari më i mundshëm? Ideja mbizotëruese është ajo më pak e dëmshme për një pjesë të madhe të botës dhe, në këtë pikë, më racionale edhe për vetë Trump: konflikti do të zgjasë edhe disa javë. Shumë mendojnë se edhe Benjamin Netanyahu do të detyrohet të ndalë bombardimet, duke u mjaftuar me rezultatet e arritura. Do të shihet nëse kjo do të ndodhë vërtet. Në çdo rast, partnerëve evropianë dhe aziatikë do t’u takonte të merreshin me Hormuzin.
Është e vërtetë që Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Japonia kanë nënshkruar së fundmi një dokument me të cilin angazhohen të shqyrtojnë një mision të mundshëm në Ngushticë. Në realitet, të gjithë janë të bindur se aktualisht mungojnë kushtet për t’i dhënë një vijim konkret kësaj deklarate qëllimi. Madje, rezulton se ditët e fundit komandat ushtarake evropiane, përfshirë atë italiane, po shqetësohen jo për forcimin, por për reduktimin e kontingjenteve të ushtarëve të vendosur në bazat në Lindjen e Mesme.
Liderët më të kujdesshëm janë Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe Friedrich Merz. Në veçanti, qeveria italiane shpreson për përfshirjen e OKB-së, çka nënkupton mundësinë që Kina dhe Rusia të votojnë pro misionit, ose të paktën të abstenojnë, në Këshillin e Sigurimit. Megjithatë, nga Pekini dhe Moska nuk kanë ardhur sinjale gatishmërie. Kina mbetet shteti më i ekspozuar, pasi 45% e konsumit të saj të naftës kalon nga Hormuzi. Megjithatë, përfaqësuesit e Xi Jinping po negociojnë më shumë me iranianët sesa me evropianët për të siguruar kalimin e tankerëve të tyre. Rezultatet kanë nisur të shfaqen. Prandaj, mbështetja tek bashkëpunimi i Pekinit mund të rezultojë një tjetër iluzion: Kina shquhet për retorikën në favor të multilateralizmit dhe vlerave të OKB-së, por këto shpesh mbeten deklarata, siç është parë edhe në rastin e Ukrainës.
Sërish, problemi kryesor mbetet Donald Trump. Ditët e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është përpjekur të ndërmjetësojë mes presionit të Uashingtonit dhe hezitimit të përhapur në Evropë. Kryeministri britanik Keir Starmer e ka mbështetur këtë përpjekje. Sipas burimeve, Rutte ka qenë i drejtpërdrejtë në bisedat private me liderët evropianë: duhet të bëni diçka, të dërgoni një sinjal hapjeje ndaj Shtëpisë së Bardhë, përndryshe Trump mund t’i lërë evropianët vetëm përballë Rusisë në Ukrainë. Ndërkohë, afrohet samiti i NATO-s, i planifikuar më 7 dhe 8 korrik në Ankara. Rutte druhet se Trump mund ta shndërrojë atë në një spektakël publik për të vënë në siklet aleatët dhe vetë organizatën.
Në përmbledhje, evropianët po përballen me pasojat e një lufte që nuk e kanë dashur dhe që vazhdojnë ta kundërshtojnë. Ata nuk duan të marrin pjesë në një mision ushtarak me rrezik të lartë në Gjirin Persik, në mungesë të një armëpushimi. Gjithashtu, kanë frikë nga reagimi i ashpër i Trump, që mund të ketë pasoja për Ukrainën dhe për vetë NATO-n. A është situata pa dalje? Në fakt, ekziston një mundësi, e brishtë por e dukshme. Ajo lidhet me Turqinë, që aktualisht përfaqëson të vetmen përpjekje ndërmjetësimi. Të premten, më 20 mars, gjatë festimeve për fundin e Ramazanit, presidenti Recep Tayyip Erdogan përdori tone shumë të ashpra ndaj Netanyahut. Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, është në kontakt të vazhdueshëm me homologun iranian, Abbas Araghchi. Për më tepër, në mbledhjet e fundit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ambasadori turk Basat Ozturk ka qenë ndër të paktët që ka kundërshtuar sulmin amerikan ndaj Iranit.
Edhe shtete të tjera po përpiqen të ringjallin dialogun me Teheranin. Në këtë kontekst, evropianët mund të shqyrtojnë mundësinë për të mbështetur përpjekjen e Turqisë, një vend anëtar i NATO-s, ose të nxisin një iniciativë të veçantë, nëse duan të shmangin tensionet me Izraelin. Një dokument i tillë mund të sigurojë mbështetje më të gjerë se sa gjashtë nënshkrime./Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje