Kërcënimi i Donald Trump për vendosjen e një bllokade në Ngushticën e Hormuzit ka rikthyer pasigurinë në tregjet ndërkombëtare. Pyetja kryesore është se si mund të zbatohet në praktikë një masë e tillë dhe cilat do të jenë pasojat për ekonominë globale dhe çmimet e naftës.
Presidenti amerikan deklaroi se SHBA do të nisë procedurat për bllokimin e këtij kalimi detar strategjik, pas dështimit të bisedimeve për armëpushim me Iranin gjatë fundjavës.
Ngushtica është kthyer në “armën” më efektive të Teheranit në përballjen asimetrike me Shtetet e Bashkuara. Që nga 28 shkurti, SHBA dhe Izraeli kanë goditur mijëra objektiva në Iran, duke vrarë dhjetëra zyrtarë të lartë. Si përgjigje, Teherani ka kufizuar ndjeshëm kalimin në Ngushticë, një rrugë jetike përmes së cilës, në kushte normale, kalon rreth 20% e prodhimit global të naftës, duke rritur çmimet dhe shqetësimet për inflacion.

Kjo kërcënim i ri ka tronditur sërish tregjet, të cilat deri në fund të javës së kaluar shfaqnin optimizëm të kujdesshëm se negociatat SHBA–Iran mund të çonin në uljen e tensioneve që kanë prekur ekonominë globale për më shumë se gjashtë javë.
Çfarë njoftoi Trump për bllokadën
Të dielën, presidenti amerikan shkroi në rrjetet sociale: “marina e Shteteve të Bashkuara, më e mira në botë, do të nisë procesin e Bllokadës së çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit”. Ai akuzoi Iranin për “shantazh global” dhe paralajmëroi se çdo sulm ndaj anijeve amerikane do të “asgjësohet”.
Megjithatë, disa orë më vonë, Komanda Qendrore e SHBA (Centcom) sqaroi se masa do të kufizohet te anijet që lëvizin drejt porteve iraniane, duke lejuar kalimin e anijeve drejt porteve të aleatëve të SHBA në Gjirin Persik. Bllokada pritet të hyjë në fuqi në orën 10:00, sipas kohës së Bregut Lindor (14:00 GMT).

Trump deklaroi për Fox News se disa aleatë janë të gatshëm të kontribuojnë, por sipas informacioneve, Mbretëria e Bashkuar nuk do të marrë pjesë, ndërsa Australia nuk ka marrë kërkesë për përfshirje.
Pse kërcënon me bllokadë ndërsa synimi është hapja e Ngushticës
Sipas burimeve, rihapja e Ngushticës ishte një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në negociatat SHBA–Iran. Teherani synon të ruajë kontrollin mbi kalimin edhe pas përfundimit të konfliktit, duke shqyrtuar vendosjen e një tarife deri në 2 milionë dollarë për anije. Kjo ide kundërshtohet nga Uashingtoni dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë si cenim i lirisë së lundrimit. Pavarësisht se Trump pretendon se rihapja nuk është përgjegjësi e tij, ai përballet me presion për të zgjidhur situatën përpara se ndërprerja e zgjatur të dëmtojë më tej ekonominë globale. Nëse strategjia e tij funksionon, ajo mund t’i heqë Iranit një mjet të rëndësishëm negociues dhe të rikthejë rrjedhën tregtare, duke ndikuar në uljen e çmimeve të naftës.

Si mund të zbatohet bllokada
Ushtria amerikane nuk ka dhënë ende detaje të plota për mënyrën e zbatimit: numrin e anijeve, përdorimin e avionëve apo rolin e aleatëve. Ekspertët vlerësojnë se goditjet me raketa janë të pamundura për shkak të rrezikut mjedisor. Skenari më i mundshëm është që Marina amerikane të detyrojë anijet të ndryshojnë kurs përmes kërcënimeve dhe, në rast refuzimi, të kryejë kontrolle të armatosura. Dana Stroul, ish-zyrtare e lartë e Pentagonit, theksoi se bëhet fjalë për një operacion të vështirë për t’u mbajtur në afat të mesëm dhe të gjatë.

Çfarë do të thotë për çmimet e naftës
Ekspertët vlerësojnë se bllokada mund të çojë në rritje të çmimeve, në varësi të shkallës së zbatimit. Kevin Book, drejtues i kërkimeve në ClearView Energy Partners, theksoi se ulja e ofertës zakonisht rrit çmimet. Ai paralajmëroi se reagimi i Iranit ose sulme të mundshme ndaj rrugëve alternative nga aktorë si Houthit mund të rrisin më tej çmimet. Bllokimi i anijeve me naftë iraniane mund të godasë të ardhurat kryesore të regjimit, por njëkohësisht të rrisë çmimet në afat të shkurtër. Rreth 100 cisterna kanë kaluar Ngushticën që nga fillimi i sulmeve SHBA–Izrael, shumica me naftë iraniane drejt Kinës dhe Indisë. Ndërprerja e këtyre flukseve mund të rrisë më tej çmimet. Pas deklaratave të Trump, nafta amerikane u rrit me 8% në 104,24 dollarë për fuçi, ndërsa Brent u rrit me 7% në 102,29 dollarë.

Çfarë do të thotë për armëpushimin SHBA–Iran
Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi se çdo anije luftarake që afrohet për të zbatuar bllokadën do të konsiderohet shkelje e armëpushimit dhe do të përballet me reagim, duke theksuar se kontrolli i zonës mbetet në duart e Teheranit. Ndërkohë, Trump la të hapur mundësinë e rifillimit të sulmeve amerikane brenda Iranit, me objektiva të mundshëm përfshirë objektet e prodhimit të raketave. Sipas Wall Street Journal, administrata amerikane po shqyrton këtë opsion për të dalë nga ngërçi në negociatat e paqes. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje