
Kjo nuk është thjesht një humbje elektorale. Është një provë e qartë se asnjë mbështetje e huaj, sado e fuqishme dhe e koordinuar, qoftë nga Uashingtoni apo nga Moska, nuk mund të zëvendësojë vullnetin e brendshëm të njerëzve kur ata vendosin të ndryshojnë...
Më 12 prill 2026, Viktor Orbán pranoi humbjen pas 16 vjetësh sundimi absolut në Hungari. Partia Tisza e Péter Magyar-it fitoi me diferencë dërrmuese, duke siguruar jo vetëm shumicën, por edhe dy të tretat në parlament, një mandat kushtetues që i lejon të ndryshojë rrënjësisht vendin.
Turnout-i rekord prej gati 79% foli më qartë se çdo fjalim: hungarezët dolën masivisht për të thënë “mjaft”. Por çfarë e bën këtë humbje vërtet të dhimbshme për disa: Orbán nuk ra i vetëm. Ai ra pavarësisht mbështetjes më të fortë, më të hapur dhe më spektakolare që mund të merrte, nga Shtëpia e Bardhë e Donald Trump-it dhe JD Vance-it, por edhe nga Kremlini i Vladimir Putin-it.
Trump e quajti “fantastic man”, “shoku im i vërtetë”, dhe i premtoi “fuqinë e plotë ekonomike të SHBA-së”. Vance shkoi personalisht në Budapest pak ditë para zgjedhjeve, u ngjit në skenë me Orbán-in, foli në miting dhe i dha fjalën Trump-it në altoparlant përpara mijëra mbështetësve. Një përkrahje e koordinuar, e plotë, një operacion politik amerikan për të shpëtuar aleatin më të afërt të Trump-it në Evropë. Por mbështetja nuk mbaronte aty.
Edhe Vladimir Putin e kishte Orbán-in si aleatin më të besueshëm në Bashkimin Evropian. Putin e lavdëroi publikisht si “lider që mbron interesat kombëtare”, që siguroi energji ruse me çmim të ulët pavarësisht sanksioneve evropiane, u takua me ministrat e tij dhe mori oferta të hapura ndihme nga Orbáni. Rusia gjithashtu punoi aktivisht për të ruajtur pushtetin e tij, nga dezinformacioni deri te plane të tjera të raportuara. Të dy superfuqitë, Trumpi dhe Putini, bashkuan forcat për ta mbajtur Orbán-in në pushtet. Por populli hungarez nuk u shit. Ai votoi kundër.
Kjo nuk është thjesht një humbje elektorale. Është një provë e qartë se asnjë mbështetje e huaj, sado e fuqishme dhe e koordinuar, qoftë nga Uashingtoni apo nga Moska, nuk mund të zëvendësojë vullnetin e brendshëm të njerëzve kur ata vendosin të ndryshojnë. Hungarezët nuk votuan kundër Trump-it apo Amerikës, as kundër Putin-it apo Rusisë. Ata votuan kundër korrupsionit, lodhjes pas 16 vjetësh, kontrollit të medias, çmimeve të larta dhe largimit gradual nga Evropa.
Péter Magyar, një ish-insider i sistemit Orbán që u kthye kundër tij, u paraqit si një alternativë e qendrës së djathtë: konservator, por i pastër, pro-evropian pa qenë “globalist”, anti-korrupsion pa qenë majtist. Dhe hungarezët e zgjodhën atë.
Kjo natë në Budapest tregoi diçka të rëndësishme për të gjithë ata që besojnë se populizmi fiton automatikisht kur ka mbështetje të fortë nga jashtë: populli nuk është një turmë që blihet me telefonata, mitingje apo premtime energjie. Ai ka kujtesë, ka lodhje dhe ka instinkt për ndryshim kur sistemi bëhet i rëndë. Edhe në një vend ku Orbáni kishte ndërtuar një makinë shtetërore të fuqishme, vala popullore ishte kthyer.
Për Trump-in dhe për ata që e shihnin Orbán-in si modelin e “Evropës illiberale”, si dhe për Putin-in që e humbi “kalin e Trojes” në BE, kjo është një goditje e fortë. Sepse mesazhi është i thjeshtë dhe i pamohueshëm: në fund vendos populli, jo Trumpi dhe jo Putini.
As vizita e zëvendëspresidentit, as telefonatat entuziaste, as premtimet ekonomike, as energjia ruse nuk mundën të ndalonin dëshirën e hungarezëve për një kapitull të ri. Në bregun e Danubit, mijëra njerëz festuan jo vetëm fitoren e një partie të re, por edhe faktin se demokracia hungareze, edhe pas 16 vjetësh presioni nga jashtë, doli ende e gjallë. Hungaria po kthehet drejt Evropës, jo sepse e detyroi Brukseli, por sepse e zgjodhën vetë hungarezët. Ky është mësimi i kësaj nate: asnjë lider, sado i fortë apo i mbështetur nga superfuqitë më të mëdha të botës, nuk është i pathyeshëm përgjithmonë. Kur populli vendos të ndryshojë, nuk ka çfarë e ndal./Pamfleti
Harruat Vuçiçin që inskenoi një atentat me dinamit në linjat e gazit.
Nuk mund ta permendin, se gjith kta majmunet tane paguhen nga serbia.