Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve në Hungari, duke uruar liderin e opozitës, Péter Magyar, për fitoren.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social “X”, Macron theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes demokratike dhe orientimit europian të Hungarisë.
“Sapo fola me Péter Magyar për ta përgëzuar për fitoren e tij në Hungari! Franca mirëpret fitoren e pjesëmarrjes demokratike, angazhimin e popullit hungarez ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe angazhimin e Hungarisë ndaj Evropës. Le të ecim përpara së bashku drejt një Evrope më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, konkurrueshmërinë tonë dhe demokracinë tonë”, shkroi Macron.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh për një bashkëpunim të ardhshëm me liderin e ri hungarez.
“Populli hungarez ka vendosur. Urimet e mia të përzemërta për suksesin tuaj zgjedhor. Pres me padurim të punoj me ju. Le të bashkojmë forcat për një Evropë të fortë, të sigurt dhe, mbi të gjitha, të bashkuar”, deklaroi ai.
Të dy liderët europianë vlerësuan rezultatin e zgjedhjeve si një shprehje të vullnetit demokratik dhe shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me Hungarinë nën drejtimin e ri politik.
Lini një Përgjigje