
Një shqiptar nga Kosova është arrestuar nën dyshimin se mbrëmjen e djeshme ka vrarë bashkëjetuesen e tij në Ulqin (po ashtu shqiptare), në lagjen Kodra, dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë ku ata jetonin. Mësohet se bëhet fjalë për 46-vjeçar nga Kosova me inicialet B.G.
Sipas policisë, i dyshuari ka pësuar edhe vetë lëndime nga zjarri dhe fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar, e më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, raportoi 'Vijesti'.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 00:30 është njoftuar për një zjarr në një objekt banimi në lagjen Kodra të Ulqinit. Menjëherë pas ndërhyrjes në vendngjarje, policia ka gjetur trupin e pajetë të një gruaje të paidentifikuar fillimisht, e cila më vonë është identifikuar si D.N. (36), shtetase shqiptare.
Po ashtu, në vendngjarje është gjetur dhe ndaluar një person me lëndime nga zjarri, i cili më vonë është identifikuar si B.G. 46-vjeç.
Rasti është raportuar te prokurori shtetëror në Prokurorinë e Lartë Shtetërore në Podgoricë, i cili ka udhëhequr hetimet në bashkëpunim me policinë. Sipas njoftimit, janë ndërmarrë veprime hetimore, janë marrë deklarata nga dëshmitarë, janë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes, të cilat do të ekspertizohen.
Hetimet e deritanishme, sipas autoriteteve, krijojnë dyshimin se B.G. ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, ka ndezur zjarr në shtëpinë ku ndodhi ngjarja dhe më pas është larguar nga vendi.
Lini një Përgjigje