Libri i Eyck Freymann thekson se një pushtim i Tajvanit mund të shkaktojë tronditje ekonomike më të mëdha se kriza e Hormuzit
Studiuesi i Hoover Institution, Eyck Freymann, i cili shërben gjithashtu si bashkëpunëtor kërkimor jo-rezident në Institutin e Studimeve Detare të Kinës pranë U.S. Naval War College, ka publikuar një libër të ri me titull “Defending Taiwan”. Në të ai paralajmëron se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një plan serioz për një pushtim të mundshëm kinez të ishullit, dhe se mbyllja e fundit e Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve amerikane ndaj Iranit tregon pikërisht këtë lloj mungese imagjinate që e lë SHBA-në të papërgatitur për një skenar të ngjashëm me Tajvanin.
Sipas një analize të botuar në 19FortyFive, Freymann, thekson se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve amerikane ndaj Iranit ilustron se si ngjarje të konsideruara të pamundura mund të ndodhin në praktikë. Ai argumenton se një logjikë e ngjashme është përdorur edhe në vlerësimet për Tajvanin, duke nënvlerësuar rrezikun real të një ndërhyrjeje ushtarake kineze.
Në analizë përfshihet edhe një debat më i gjerë mbi natyrën e konflikteve globale. Disa ekspertë sugjerojnë se bota mund të jetë tashmë në një fazë të hershme të një konflikti të madh ndërkombëtar, ku fuqitë kryesore veprojnë indirekt përmes mbështetjes ndaj palëve të ndryshme, siç është rasti i luftës në Ukrainë.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me pasojat ekonomike të një konflikti për Tajvanin. Ndryshe nga Hormuzi, që është kyç për furnizimin me naftë, Tajvani është qendror për prodhimin global të gjysmëpërçuesve. Freymann thekson se një ndërprerje e këtij zinxhiri furnizimi do të prekte drejtpërdrejt ekonominë digjitale dhe industrinë ushtarake në nivel global.
Tajvani: një sfidë më e madhe se lufta me Iranin?
Në librin e tij të botuar së fundmi, “Defending Taiwan”, Eyck Freymann analizon se si mund të jetë reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj një pushtimi të Republikës së Kinës (Tajvanit) nga Republika Popullore e Kinës.
Siç theksohet në një pjesë të librit: “pyetja se si do të përgjigjeshin Shtetet e Bashkuara ndaj një pushtimi kinez të Tajvanit nuk është teorike. Është thelbësore. Dhe përgjigjja, për momentin, është: askush nuk e di.”
Disa narrativa ndërthuren rreth kësaj çështjeje. Njëra prej tyre është nëse një pushtim i këtij ishulli demokratik, i pretenduar prej kohësh nga Pekini dhe i konsideruar nga Partia Komuniste Kineze si “provincë rebele”, do të ishte prelud i Luftës së Tretë Botërore. Megjithatë, disa ekspertë të mbrojtjes e vënë në dyshim këtë pretendim.

Kërcënimi i luftës për Tajvanin
Një akademik civil në pension i Ushtrisë amerikane shpjegon se Lufta e Dytë Botërore nuk u quajt kështu në fillim. Konfliktet u perceptuan si ngjarje të ndara, “lufta në Kinë”, “lufta polake”, apo “lufta në Finlandë”. Vetëm më vonë u kuptua se ato përbënin një luftë globale.
Sipas tij, një logjikë e ngjashme mund të zbatohet edhe sot: mund të jemi tashmë në një konflikt të gjerë global, ku aktorët kryesorë veprojnë në mënyrë indirekte për të shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë.
Në këtë kuadër, Kina mbështet Rusinë në luftën në Ukrainë përmes furnizimit me komponentë për prodhimin e municioneve, të dhëna inteligjence nga satelitët dhe mbështetje ekonomike përmes blerjes së energjisë dhe mallrave ruse. Në të njëjtën kohë, ajo furnizon edhe Ukrainën me teknologji me përdorim të dyfishtë për prodhimin e dronëve. Eksperti citon se shitja për të dyja palët është një praktikë e njohur në kohë lufte dhe Kina e përdor këtë strategji me efikasitet.
Refuzimi për të nxjerrë mësime
Freymann argumenton se SHBA dhe aleatët e saj nuk po nxjerrin mësimet e duhura nga zhvillimet aktuale, veçanërisht nga lufta me Iranin.
Ai vëren se deri më 27 shkurt, Ngushtica e Hormuzit konsiderohej një nga pikat më të sigurta dhe më të rëndësishme për furnizimin global me energji, ku kalonte rreth një e pesta e naftës botërore çdo ditë. Edhe pse mundësia e mbylljes së saj diskutohej teorikisht, ajo nuk besohej realisht si një skenar i mundshëm.
Sipas tij, i njëjti qëndrim ka ekzistuar edhe për një pushtim të Tajvanit — një rrezik i njohur, por i nënvlerësuar. Ai sjell si shembull edhe pushtimin rus të Ukrainës, i cili u bazua në supozime të gabuara dhe inteligjencë të pasaktë.
Rritja e rrezikut
Freymann thekson se pasojat ekonomike të një konflikti për Tajvanin do të ishin shumë më të mëdha se ndikimet nga ndërprerjet në Hormuz.
Ngushtica e Tajvanit është thelbësore për ekonominë digjitale globale, pasi aty kalon zinxhiri i furnizimit me çipa, të cilët janë të domosdoshëm për sistemet moderne, përfshirë armët e avancuara.
Në rast të një përplasjeje serioze mes SHBA-së dhe Kinës, ndikimi ekonomik mund të fillojë edhe para shpërthimit të konfliktit, për shkak të reagimeve të tregjeve, sigurimeve dhe rrugëve tregtare.
Ndryshe nga nafta, nuk ekzistojnë rezerva emergjente për gjysmëpërçuesit. Kjo e rrit ndjeshëm rrezikun e ndërprerjeve afatgjata.
Freymann paralajmëron gjithashtu për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit, duke përfshirë sulme ndaj objektivave në territorin kontinental, luftë kibernetike, operacione në hapësirë dhe madje përdorimin e armëve bërthamore taktike.
Mungesa e një plani ekonomik
Një raport i vitit 2023 nga një komision i Kongresit amerikan arrin në përfundimin se SHBA nuk kanë një plan për të përballuar pasojat ekonomike dhe financiare të një konflikti me Kinën.
Freymann paralajmëron se një pushtim ose bllokadë e Tajvanit do të shkaktonte ndërprerje të zinxhirëve globalë të furnizimit, mungesa të produkteve kyçe, inflacion dhe humbje të vendeve të punës. Ekonomitë në zhvillim do të preken veçanërisht rëndë, ndërsa rikuperimi i kapaciteteve prodhuese mund të zgjasë me vite.
Freymann përfundon se lufta me Iranin ofron një shembull konkret të mungesës së përgatitjes strategjike. Ai ngre pyetjen nëse Uashingtoni do ta trajtojë këtë si një paralajmërim serioz për krizën potenciale me Tajvanin apo do të vazhdojë ta nënvlerësojë rrezikun. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje