
Publiku brenda sallës së mbushur me 800 vende e përpiu të gjithën, duke shijuar një tjetër kthesë të fortë nga një provokator karizmatik, i cili premton ta rikthejë Francën në lavdinë e saj të vjetër.
Në një mbrëmje, ministri i Brendshëm francez Bruno Retailleau, e nisi një aktivitet fushate me disa shaka politikisht jo korrekte duke krahasuar trupin e tij të hollë me atë të presidentit të Senatit, Gérard Larcher, i cili dukej se e pranoi humorin.
Pastaj, duke kaluar te pikat kryesore të diskutimit konservator, ylli në ngritje dhe kandidati presidencial i partisë së qendrës së djathtë të Francës, Les Républicains, kritikoi mbajtjen e shamive nga besimtaret myslimane si simbole të shtypjes dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së “pushtimeve të mëdha të Perëndimit”.
Publiku brenda sallës së mbushur me 800 vende e përpiu të gjithën, duke shijuar një tjetër kthesë të fortë nga një provokator karizmatik, i cili premton ta rikthejë Francën në lavdinë e saj të vjetër.
“Ajo në të cilën besojmë ndonjëherë çon në polemika - dhe kjo është një gjë e mirë”, u tha Retailleau besnikëve adhurues të partisë.
Takimi në periferinë e pasur të Parisit, Vélizy-Villacoublay, ishte një ndalesë në fushatën zgjedhore të Retailleau për t'u bërë udhëheqësi i ardhshëm i Les Républicains, partisë dikur dominuese të qendrës së djathtë. Pasardhësit e Charles de Gaulle tani ndodhen në purgatorin politik pasi zgjedhja e Emmanuel Macron përmbysi peizazhin politik të Francës.
Vota për të emëruar udhëheqësin e ardhshëm të shtunën është e hapur vetëm për rreth 100,000 anëtarë të Les Républicains që mbajnë kartën e anëtarësisë, por atmosfera elektrike atë natë dhe gjatë takimeve të tjera të fushatës së Retailleau po i inkurajon njerëzit e brendshëm të partisë të guxojnë të shpresojnë se më në fund kanë gjetur dikë që mund ta sfidojë Marine Le Pen të Tubimit Kombëtar, që synon të bëhet politikania më e fuqishme e krahut të djathtë në Francë - dhe, potencialisht, të fitojë presidencën.
“Nuk kemi parë kaq shumë entuziazëm që nga ish-Presidenti Nicolas Sarkozy”, tha një zyrtar i fushatës, të cilit i është ofruar anonimiteti për shkak të protokollit të brendshëm të fushatës.
Me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë më pak se dy vjet larg, Les Républicains po ëndërrojnë një rikthim në pushtet pas një kandidati që bashkon liberalizmin ekonomik me një politikë anti-imigracion që i afrohet asaj të Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë, por pa bagazhin ligjor apo historik të Le Pen .
Për momentin, Retailleau duket të jetë ai njeri, i përgatitur për të përfituar nga zhvendosja e Francës dhe Evropës në të djathtë. Por ai është një figurë enigmatike. 64-vjeçari besimtar katolik qëndroi për vite me radhë në rradhën e dytë të politikanë, por në skenë shfaqet si një luftëtar i zjarrtë i kulturës.
Nuk është çudi që ai ka një eksperiencë në aktrim. Përpara se ta imagjinojmë Retailleau-n mes ambienteve të brendshme të praruara të Elizée-s, duhet të bëjmë një udhëtim prapa në një kështjellë të rrënuar më shumë se 300 kilometra në jugperëndim të Parisit për të kuptuar se si e zhvilloi ai identitetin e tij politik - dhe mësoi një ose dy gjëra rreth arteve të errëta të shfaqjes.
Kur Retailleau ishte vetëm një adoleshent entuziast, ai u ofrua vullnetar për të marrë pjesë në një shfaqje që po vihej në skenë në qytetin e vogël të Les Epesses, disa kilometra larg qytetit të tij të lindjes.
Prodhimi u organizua në vitin 1978 nga një 27-vjeçar i quajtur Philippe de Villiers, pasardhës i një prej familjeve aristokratike që i mbijetuan revolucionit francez. I gjatë dhe me një mënyrë të veçantë teatrale të të folurit, de Villiers ishte nëpunës civil në atë kohë për rajonin lindor të Vendée.
Autoritetet atje një vit më parë kishin blerë një kështjellë që po rrënohej në Les Epesses me shpresën për ta shndërruar atë në një muze të vogël.
Por de Villiers ëndërronte për diçka më të madhe.
Ai donte të krijonte një formë argëtimi që kujtonte historinë e ashpër kundërrevolucionare të Vendée-s dhe trashëgiminë e thellë katolike. Ai filloi duke organizuar një spektakël Disney-esk të mbushur me nostalgji mbretërore - të kompletuar me makina mjegulle dhe luftime me shpata - të quajtur "Cinéscénie", dhe pati një sukses të menjëhershëm.
Lajmet lokale të asaj kohe thanë se një turmë prej 30000 personash u dyndën në Les Epesses për të ndjekur shfaqjen e parë. Të rinjtë u regjistruan në masë për të ofruar vullnetarizëm, me qindra pjesëmarrës - përfshirë Retailleau, i cili shërbeu si një nga 20 kalorësit e shfaqjes të veshur me kostume mesjetare.
Cinéscénie pati një sukses kaq të madh saqë deri në vitin 1989 — disa vite para se të hapej Disneyland Paris — de Villiers përuroi një park tematik mesjetar për të shoqëruar shfaqjen, të emëruar sipas kështjellës, Puy du Fou. Tani ai tërheq miliona vizitorë çdo vit dhe renditet ndër parqet tematike më të vizituara në Evropë.
Vullnetarizmi në park ishte një përvojë formuese për Retailleau. De Villiers tregoi një interes të veçantë për ministrin aktual të Brendshëm, i cili ishte më shumë se 10 vjet më i ri se ai, dhe u bë një lloj mentori për të.
Të dy plotësonin mirë njëri-tjetrin. Retailleau kishte një bukuri të thjeshtë dhe të përmbajtur (ose të paktën kështu dukej) që nuk dukej se e tejkalonte de Villiers-in bombastik.
Dyshja do të vazhdonte të krijonte një lidhje profesionale, politike dhe personale prej dekadash, që do t’i çonte ata në disa nga postet më të larta të politikës franceze.
De Villiers e shfrytëzoi suksesin e Cinéscénie për të marrë një rol si zëvendësministri i kulturës së Francës në vitin 1986, dhe Retailleau e ndoqi atë në botën e politikës dy vjet më vonë kur fitoi një vend në këshillin e Vendée. Shtypi në atë kohë e quajti atë "njeriu i Philippe de Villiers".
Një vit më vonë, në vitin 1989, Retailleau u bë kryetar i parkut tematik Puy du Fou.
Duke pritur sinjalin e tij
Për vite me radhë, de Villiers dhe Retailleau punuan mirë së bashku duke drejtuar Lëvizjen për Francën, një parti e vogël por e zëshme që mbështeste sovranitetin kombëtar dhe euroskepticizmin, si dhe nxirrte jashtë ligjit imigracionin dhe martesën e personave të të njëjtit seks gjatë dy kandidimeve të dështuara presidenciale të de Villiers në vitet 1995 dhe 2007.
Megjithatë, ambicia e shkatërroi lidhjen e tyre.
Në vitin 2009, kryeministri i atëhershëm François Fillon, një anëtar i Les Républicains, po e vëzhgonte Retailleau - një senator francez në atë kohë - për një ministri të re. Por de Villiers, i cili mezi kishte marrë 2 përqind të votave në një fushatë presidenciale katastrofike dy vjet më parë, nuk mundi ta duronte suksesin e të mbrojturit të tij. De Villiers e kundërshtoi me forcë emërimin dhe Fillon u tërhoq për të shmangur, sipas fjalëve të tij , një "luftë bërthamore" me një aleat të rëndësishëm politik.
Ajo që pasoi ishte një përplasje publike. De Villiers e shkarkoi Retailleau nga detyra e kryetarit të Puy du Fou. Retailleau braktisi Lëvizjen për Francën menjëherë pas kësaj, duke përmendur dallime strategjike, dhe iu bashkua Les Républicains në vitin 2011 — duke shërbyer përfundimisht si një lojtar kyç i Fillon në përpjekjen e tij të dështuar për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017.
Për Patrick Louis, një ish-anëtar i Parlamentit Europian dhe sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Francën, i cili i ka mbetur besnik i palëkundur i de Villiers, ndryshimi i partisë nga Retailleau nuk do të thoshte se edhe bindjet e tij kishin ndryshuar.
“Pika më e fortë e Retailleau është se ai udhëhiqet nga një filozofi politike”, tha Louis, duke shtuar “unë ende besoj se ai ndan të njëjtën mendësi me ne - ne mbështesim sipërmarrjen e lirë, por ne jemi konservatorë që mendojmë se shoqëria duhet të qëndrojë e rrënjosur në traditat e saj dhe cilësia kulturore duhet të ruhet.”
Koha do të rezultonte e favorshme. Edhe pse Sarkozi po i afrohej fundit të mandatit të tij të parë, ai i kishte zhvendosur Les Républicains në të djathtë nga koha e Presidentit Jacques Chirac dhe po nxiste atë që më vonë do të përshkruhej si një "e djathtë e pandjeshme".
Megjithatë, Les Républicains në dekadën që pasoi do të humbiste peshën dhe shumë nga votuesit e saj të moderuar u përthithën nga platforma pro-biznes e Macron dhe anëtarët më të djathtë të lëvizjes u “rrëmbyen” nga Le Pen dhe Tubimi Kombëtar.
Retailleau priti me durim, duke u shfaqur rregullisht në media në një përpjekje për të fituar njohje përtej qarqeve politike franceze.
Gjërat filluan të përmirësoheshin papritur verën e kaluar, kur Les Républicains u rikthyen në mënyrë disi të mrekullueshme në qeveri pasi zgjedhjet e parakohshme sollën një parlament të fragmentarizuar. Konservatorët arritën një marrëveshje me kampin e Macron për të formuar një koalicion dhe për të bllokuar fituesin surprizë të votimit, Frontin e Ri Popullor të krahut të majtë, nga marrja e pushtetit.
Macron emëroi negociatorin e Brexit-it dhe doajenin konservator Michel Barnier si kryeministër në shtator, i cili nga ana tjetër emëroi Retailleau si ministër i Brendshëm.
Thirrja e Retailleau për të ndaluar shamitë islamike në atletikë dhe për të rishqyrtuar të drejtën e shtetësisë sipas lindjes, si dhe komentet e tij se "kishte edhe kohë të lumtura" në kolonizimin shekullor të Afrikës nga Franca, kanë bërë që ai të pushtojë titujt kryesor të mediave.
Kjo strategji nuk është pa rreziqe: Retailleau u kritikua pasi u tregua i ngadaltë në reagimin e tij kur një burrë mysliman u godit për vdekje në një xhami në Francë muajin e kaluar, duke marrë kritika edhe nga brenda kampit të tij.
Retailleau pritet gjerësisht të fitojë garën për lidershipin e Les Républicains dhe ta çojë partinë më thellë në territorin e krahut të djathtë kur bëhet fjalë për çështjet e imigracionit dhe luftës kulturore. Megjithatë, Tubimi Kombëtar thotë se nuk e sheh atë si një kërcënim kur të vijë koha për garën për Elizée. /Përshtati Pamfleti nga Politico/
Lini një Përgjigje