
Pavarësisht lidhjeve të ngushta me Karakasin, Pekini është i kujdesshëm që të mos përfshihet në një konflikt të largët. Kina po shmang me kujdes një kurth gjeopolitik, dhe pasiviteti i saj tregon qartë kufijtë e ndikimit kinez në Amerikën Latine. Për shkak të presionit të fortë nga Trump shumica e vendeve të Amerikës Qëndrore dhe Jugore janë tërhequr nga shumica e projekteve kineze....
Ndërsa Venezuela dhe Shtetet e Bashkuara janë në prag të një konflikti të hapur, Kina ka qenë e zëshme në dënimin e veprimeve të Uashingtonit. Sipas Pekinit, përshkallëzimi i fundit, që përfshin sekuestrimin e cisternave të naftës venezueliane, bombardimin e anijeve të dyshuara për trafik droge dhe vendosjen e një bllokade në brigjet e Venezuelës, është një shembull tipik i unilateralizmit amerikan, duke shkelur sovranitetin e një vendi tjetër dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Gjatë një telefonate të zhvilluar më 17 dhjetor me homologun e tij venezuelian, Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, shprehu kundërshtim ndaj “ngacmimit të njëanshëm” të SHBA-së dhe e mbështeti të drejtën e Venezuelës për të mbrojtur sovranitetin dhe dinjitetin e saj kombëtar. Megjithatë, përtej retorikës Pekini nuk i ka ofruar Karakasit asgjë tjetër. Kina po shmang me kujdes një kurth gjeopolitik, dhe pasiviteti i saj tregon qartë kufijtë e ndikimit kinez në Amerikën Latine.
Angazhimi me Amerikën Latine
Për më shumë se 2 dekada, Kina i ka zgjeruar marrëdhëniet ekonomike me vendet e Amerikës Latine, duke u bërë partnerja kryesore tregtare e Amerikës së Jugut dhe partnerja e dytë më e madhe e Meksikës. Ky angazhim nxitet nga shkalla e lartë e plotësueshmërisë midis ekonomive të tyre.
Mallrat bujqësore, veçanërisht soja nga Brazili, Argjentina dhe Uruguai, kanë përmirësuar sigurinë ushqimore të Kinës, sidomos gjatë luftës tregtare me SHBA-në. Ndërkohë, mineralet si karbonati i litiumit nga Kili, Argjentina dhe Bolivia, janë bërë të domosdoshme për industrinë kineze të automjeteve elektrike.
Vitet e fundit, eksportet kineze të makinave elektrike në Amerikën Latine janë rritur me 55 për qind vetëm në vitin 2023. Rajoni jo vetëm që ka lehtësuar problemin e kapacitetit të tepërt të Kinës, por i ka ofruar një treg teknologjisë kineze si rrjeti 5G të kompanisë Huauei, që është refuzuar prej kohësh nga vendet perëndimore.
Aktualisht, pajisjet kineze 5G janë të pranishme në shumicën e vendeve të rajonit. SHBA-ja, që e sheh tradicionalisht Amerikën Latine si “oborrin e saj të pasmë”, kanë qenë dyshuese dhe armiqësore ndaj këtij ndikimi. Në shkurt të këtij viti, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, një kundërshtar i hapur i Kinës, ndërmori një ofensivë diplomatike në të gjithë rajonin.
Duke deklaruar se ishte në një mision për të kundërshtuar ndikimin e Pekinit në Hemisferën Perëndimore, ai u përpoq të bindte disa vende të zvogëlojnë lidhjet me Kinën. Pavarësisht se nuk ofron një model alternativ bindës dhe përdor taktika si tarifat, Uashingtoni e ruan ende epërsinë në rajon.
Për shembull, megjithëse shumica e vendeve mbështesin politikën e “një Kine”, rajoni mbetet bastioni i fundit i Tajvanit. Shtatë vende amerikano-latine që mbajnë marrëdhënie zyrtare me të. Kohët e fundit, SHBA-ja arriti një fitore kur Nasri Asfura fitoi zgjedhjet në Honduras duke premtuar rivendosjen e lidhjeve me Tajvanin.
Nën presionin e SHBA-së, edhe vende të tjera kanë ndryshuar qasje: Panamaja u tërhoq nga nisma “Një Brez, një Rrugë”, ndërsa operatori i Kanalit të Panamasë ia shiti aksionet e tij një konsorciumi amerikan. Në dhjetor, Meksika njoftoi vendosjen e tarifave deri në 50 për qind për mallrat kineze.
Në Venezuelë, presioni i SHBA-së lidhet ngushtë me politikën e brendshme, ku Rubio kërkon të kënaqë elektoratin opozitar venezuelian dhe kubano-amerikan. Megjithatë, një ndryshim i regjimit në Karakas do të dëmtonte interesat e Kinës. Si klientja më e madhe e naftës venezueliane, Kina ka interes në stabilitetin e këtij vendi.
Ndonëse Kina nuk është e varur tërësisht nga ky furnizim, ndërprerja e cisternave nga SHBA-të minon strategjinë kineze për të shmangur varësinë nga një aktor i vetëm energjetik.
Doktrina Monro 2.0 apo një kurth?
Kina e sheh përshkallëzimin e situatës në Venezuelë edhe nga një këndvështrim gjeopolitik. Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (NSS), administrata Trump deklaroi se ditët e SHBA-së si “xhandari i botës” kanë përfunduar, duke ritheksuar parimet e Doktrinës Monro të shekullit XIX-të.
Edhe pse NSS nuk e përcakton drejtpërdrejt Kinën si kërcënimin më të madh, dokumenti thekson se ushtria amerikane do ta mbrojë Tajvanin me mjete ushtarake. Ky dokument dërgon sinjale të përziera. Nga njëra anë, SHBA-ja duket se po përqendrohen tek Hemisfera Perëndimore, ndërsa nga ana tjetër, bazat e tyre në Korenë e Jugut dhe Japoni mbeten plotësisht funksionale.
Pekini ka frikë se Uashingtoni po e josh drejt një ndjenjë të rreme sigurie, prandaj mbetet shumë i kujdesshëm në sjellje. Dokumenti i fundit i Kinës mbi Amerikën Latine, reflekton përpjekjen e saj për të kundërshtuar SHBA-në, por ofron një mbështetje e cila është më shumë simbolike sesa thelbësore.
Përpjekja për të bërë bashkë Jugun Global kundër hegjemonisë amerikane, nuk mjafton përballë fuqisë ushtarake të SHBA-së. Në këtë kontekst, qeveria kineze nuk do të angazhonte burime reale për të mbrojtur Venezuelën. Në rastin e një pushtimi amerikan, Kina ka të ngjarë ta shfrytëzojë ngjarjen për të pozicionuar veten si kampionia e së drejtës ndërkombëtare. Megjithëse do ta konsideronte si zhvillim pozitiv për të një luftë të zgjatur SHBA-Venezuelë, është gati e sigurt se Kina nuk do t’i ofrojë ndihmë ushtarake Venezuelës. Një rrëzim i qeverisë së Karakasit nga SHBA, do të nxirrte në pah kufijtë e fuqisë kineze dhe do t’i nxiste vendet e rajonit të rishqyrtonin lidhjet me Pekinin, në kushtet kur pranë kanë një SHBA agresive. /Përshtatur nga Al Jazeera/
Shënim: Yang Xiaotong, studiues në Qendrën Horizon Insights.
Lini një Përgjigje