Mijëra të rinj dhe gra po rekrutohen nga shumë vende përmes bllokut rival të Perëndimit për të punuar në fabrikat ushtarake ruse. Për shkak të varfërisë ato joshen nga premtimet për punë të mirë-paguara dhe me kushte të mira. Por realiteti që gjejnë është skllavërimi, puna sfilitëse dhe rreziku i vdekjes për shkak të sulmeve ajrore të ushtrisë ukrainase...
Për disa nga njerëzit më të varfër në botë, BRICS - fillimisht Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut - po shndërrohet në një “kalë Troje” për makinerinë e luftës që zotëron Moska. Nën flamurin e “bashkëpunimit Jug-Jug”, Rusia e ka shndërruar dëshpërimin ekonomik në një mjet rekrutimi, duke ndërtuar një model që anëtarët e tjerë autoritarë të këtij blloku, mund ta kopjojnë një ditë në shkallë të gjerë.
Vitet e fundit, Rusia ka synuar gratë e varfra dhe të margjinalizuara jashtë vendit për t’i shfrytëzuar si punëtore me kualifikim të ulët për prodhimin e dronëve të projektuar nga Irani. Rekrutuesit i joshin ato me premtime për arsimim ose vende të mira pune, por në fakt i detyrojnë të punojnë në kushte të vështira dhe të rrezikshme në objekte ushtarake, të cilat janë të cenueshme nga sulmet ukrainase.
Shumë prova tregojnë se këto programe përmbushin përkufizimet ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së detyruar, dhe subjektet e lidhura me markën BRICS kanë luajtur një rol kyç në këtë rekrutim.
Në maj të këtij viti, dega e Afrikës së Jugut e Aleancës së Biznesit të Grave të BRICS – faqja e internetit e së cilës, tashmë e pezulluar, lavdëron rolin e aleancës në “mbështetjen e përparimit të grave dhe nxitjen e rritjes ekonomike e inovacionit” - lehtësoi arritjen e një marrëveshje për rekrutimin e më shumë se 5.600 afrikano-jugorëve për dy organizata ruse: Zonën Ekonomike Speciale të Alabugës dhe kompaninë e ndërtimit “Etalonstroi Ural”.
Zona Ekonomike Speciale e Alabugës është aktualisht nën hetim në Afrikën e Jugut dhe gjendet nën sanksionet nga Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe për mbështetjen e blerjes së dronëve nga Rusia.
Ndërkohë, Komisioni Studentor i BRICS nënshkroi një marrëveshje të veçantë në janar për të rekrutuar gra afrikano-jugore për një program të lidhur me Alabugën, të quajtur “Alabuga Start”. Shkalla zyrtare e papunësisë në Afrikën e Jugut është 31.9 për qind.
Për moshat 15-24 vjeç, kjo shifër arrin në 58.5 për qind. Prandaj nuk është çudi, që për shumë njerëz, një punë jashtë vendit duket si e vetmja shpresë për të mbijetuar. Ky është edhe dëshpërimi që shfrytëzon Rusia, dhe BRICS ofron ekosistemin e përsosur për ta bërë këtë.
Me prestigjin politik të një institucioni shumëpalësh, një infrastrukturë financiare në zgjerim dhe një narrativë solidariteti midis vendeve në zhvillim, blloku BRICS rrezikon që të kthehet nga një platformë për zhvillim të ndërsjellë, në një ”fabrikë” për atë që mund të quhet një armë njerëzore e dëshpërimit masiv.
Rusia, Kina dhe Irani, po e shfrytëzojnë tashmë fuqinë punëtore përmes mjeteve të errëta ose shtrënguese. Në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, hetimet tregojnë modele të konfiskimit të pasaportave, skllavërisë për shkak të borxhit dhe rekrutimit përmes mashtrimit të lidhur me projektet kineze në kuadër të nismës “Një Brez, një Rrugë”.
Ndërkohë, Irani dyshohet se është mbështetur tek detyrimi për të rekrutuar të huaj - përfshirë fëmijë - për të luftuar brenda Brigadës së tij “Fatemiyoun” në Siri. BRICS mund t’u ofrojë hapësirë dhe strukturë këtyre vendeve për të shfrytëzuar më tej pikërisht ato popullata që ky bllok diplomatik pretendon se mbron.
Këshillat e grave, aleancat rinore dhe komisionet studentore të grupi, veprojnë përmes një transparence të kufizuar, por gëzojnë peshën e perceptuar të një blloku të madh shumëpalësh. Për më tepër, platformat e tij alternative financiare në zhvillim, si “BRICS Pay”, mund të lejojnë lëvizjen e fondeve në mënyrë të errët dhe përtej juridiksionit të SHBA-së dhe fuqive aleate.
Në këtë kontekst, përpjekja e Rusisë për rekrutim punëtorësh në Afrikën e Jugut, tregon se si mund të evoluojë BRICS: drejt një sistemi ku vendet, qytetarët e të cilëve kanë më shumë nevojë për mbrojtje ndaj rekrutimit grabitqar, janë më pak të pajisura për ta ofruar atë, madje më keq akoma, mund të ndihmojnë në mundësimin e tij.
Për të luftuar ndikimin e huaj keqdashës dhe për të kundërshtuar shfrytëzimin njerëzor të mundësuar nga BRICS, Thesari dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së duhet të lëshojnë një udhëzues të përbashkët që identifikon rreziqet e paraqitura nga disa entitete të lidhura me BRICS dhe të detajojnë sinjalet paralajmëruese për rekrutimin e detyruar.
Kjo do t’i ndihmonte qeveritë dhe grupet e punës të dallonin shenjat paralajmëruese, përpara se programe të ngjashme të zbatohen diku tjetër. Po ashtu, Uashingtoni duhet të ndajë informacione të klasifikuara me vendet, qytetarët e të cilëve janë shënjestruar.
Edhe pse koordinimi është domosdoshmërisht i kufizuar nga gatishmëria e partnerëve. Afrika e Jugut do të përfitonte nga një koordinim më i ngushtë me organet ligjzbatuese të SHBA-së për të gjurmuar paratë që fshihen pas këtyre rrjeteve të rekrutimit.
Por përafrimi në rritje i Pretorias me Moskën, Pekinin dhe Teheranin e ndërlikon çdo partneritet mbi çështje të ndjeshme të inteligjencës. Kur organizatat e lidhura me BRICS ofrojnë mbështetje materiale për subjektet ruse të sanksionuara, Uashingtoni duhet të zbatojë me agresivitet sanksione ekonomike ndaj tyre.
Në disa raste, mund të jetë tashmë i detyruar ta bëjë këtë. Zona Ekonomike Speciale e Alabugës është sanksionuar sipas një urdhri ekzekutiv që nënkupton zbatimin e detyrueshëm të sanksioneve dytësore, duke i vënë në rrezik sanksionesh subjektet si Aleanca e Biznesit të Grave të BRICS.
Megjithatë, adresimi i punës së detyruar brenda dhe përtej BRICS, kërkon më shumë sesa thjesht shënjestrimin e rrjeteve individuale. Nga SHBA-ja kërkohet çmontimi i mjediseve tolerante në të cilat veprojnë këto skema - mjedise që lulëzojnë nën dëshpërimin e përhapur ekonomik, institucionet jo transparente, korrupsionin dhe prestigjin e perceptuar politik.
Shumë nga regjimet autoritare më agresive në botë tashmë kanë motivin, mjetet dhe mundësinë për t’i shndërruar institucionet e BRICS në mjete shfrytëzimi. Nëse Shtetet e Bashkuara shpresojnë të parandalojnë që ky bllok të bëhet një motor për armët njerëzore të dëshpërimit masiv, duhet të fillojnë duke e pranuar natyrën e kërcënimit dhe duke i ndihmuar më të prekshmit në botë që të mbrohen kundër tij./Përshtati: Pamfleti
Shënim: Max Meizlish, bashkëpunëtor në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD). Angela Howard, analiste në këtë fondacion.
Lini një Përgjigje