
“Mbreti” është pazarxhiu më i vështirë...
Java e rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mund të duket si një moment i çuditshëm për të theksuar fuqinë në rritje të fuqive të mesme joperëndimore si India, Brazili, Indonezia, Afrika e Jugut, Nigeria, Arabia Saudite dhe Meksika.
Tek e fundit, Trump deklaroi në fjalimin e tij inaugurues se “Amerika do të rimarrë vendin e saj të merituar si kombi më i madh, më i fuqishëm, më i respektuar në botë, duke frymëzuar frikën dhe admirimin e të gjithë botës”, përpara se të njoftonte se Shtetet e Bashkuara do të “rimarrin” Kanalin e Panamasë.
Por pas 3 javë udhëtime në Azi, ku pata shumë biseda me akademikë, zyrtarë qeveritarë, guida turistike etj, është e qartë se pjesa më e madhe e pjesës tjetër të botës po e decentralizon Amerikën. Sigurisht, shumë nga njerëzit me të cilët fola kanë mendime të forta për SHBA-në
Disa e admirojnë vendin dhe presidentin e saj të ri, të tjerët mezi e fshihnin përbuzjen e tyre. Por në përgjithësi, ata ishin më shumë të shqetësuar se si vendi i tyre do të përshtatet në një botë të ndërlikuar, sesa mbi atë që do të bëjë ose jo Amerika.
Ironikisht, administrata Trump mund të përshpejtojë zhvendosjen drejt një rendi global, në të cilin shumë vende do ndihen më të lira për të treguar muskujt e tyre. Në vizionin që ka Trump për botën, ai dhe liderët e fuqive të tjera të mëdha - të njohura për fuqinë e tyre bërthamore, ushtarake, ekonomike ose strategjike - mund të diktojnë rrjedhën e ngjarjeve të ardhshme duke arritur marrëveshjet mes tyre, pa marrë parasysh opinionet e shteteve fqinje apo rregullat dhe normat ndërkombëtare.
Njëkohësisht, Trump sheh shumë pak vlerë në përfshirjen e SHBA-së në luftërat e popujve të tjerë. Përpara se të ulej të negociojë, ai do të preferonte të fliste me ton kërcënues dhe të vendosë tarifa të larta. Kjo perspektivë tërësisht transaksionale, hedh një dritë tjetër mbi burimet e fuqisë kombëtare në shekullin XXI.
Në një botë pazaresh, ajo që ka më shumë rëndësi është fuqia negociuese, pra aftësia për t’i detyruar vendet e tjera të arrijnë marrëveshje që i shërbejnë interesave tuaja. Dhe në një botë të tillë, del se fuqitë e mesme kanë shumë përparësi, edhe kur ato janë dukshëm më të vogla, më të varfra dhe ushtarakisht më të dobëta se fuqitë e mëdha tradicionale.
Në shekullin XIX dhe fillimin e shekullit XX, kur vendet mund të përdornin forcën pa u ndëshkuar, fuqia ishte një funksion i fuqisë ushtarake dhe ekonomike, e cila nga ana tjetër varej nga territori dhe madhësia e popullsisë, disponueshmëria e burimeve natyrore dhe njerëzore, dhe aftësia për t’i nxjerrë dhe shfrytëzuar ato.
Fuqitë e mëdha i përdorën ushtritë dhe tregjet e tyre për të krijuar sfera ndikimi, ku mund të ndërhynin pothuajse pa kufizime. Por në botën e sotme të “shumë rreshtimeve”, siç e quan India , fuqitë e mesme mund të arrijnë marrëveshje me fuqitë e mëdha dhe me njëra-tjetrën për qëllime të ndryshme”.
Kështu India mund të lidhë marrëveshje me Japoninë, Australinë dhe SHBA-në për më shumë siguri, por edhe me Rusinë për naftën dhe gazin dhe me Singaporin dhe vendet e tjera të ASEAN-it për energjinë e gjelbër. Motoja e Trump “America First” i përshtatet mirë fuqive të mesme, pasi i lejon ato të ndjekin një model të ngjashëm.
Siç ka theksuar ekonomisti i Harvardit, Dani Rodrik, fuqitë e mesme duan që të jenë në gjendje të krijojnë koalicione dinamike. Shumë nga këto vende janë anëtare të BRICS+, një grupim jo zyrtar që filloi me Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.
Që nga ajo kohë ai është zgjeruar me Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezinë, teksa për anëtarësim kanë aplikuar edhe Turqia, Tajlanda dhe Malajzia. Mbi të gjitha, organizata është shumë e përshtatshme për aleancat e përkohshme, ku anëtarët e rritin fuqinë e tyre të negociatave kolektive brenda institucioneve tradicionale të udhëhequra nga perëndimi.
Tregtia midis anëtarëve të BRICS+ po rritet me shpejtësi. Për më tepër, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani dhe Indonezia, si dhe partnerët e rinj të BRICS+ Nigeria dhe Kazakistani, janë që të gjithë prodhues dhe eksportues të mëdhenj ose të mesëm të naftës.
Disa analistë e cilësojnë BRICS+ si ekuivalentin e G77-ës, një koalicion në Kombet e Bashkuara i vendeve të paangazhuara që u krijua në vitin 1964. Por ndërsa të paangazhuarit kërkuan në atë kohë pushtet, sot vendet që luajnë më disa karta, mund të përdorin një gamë të gjerë lidhjesh formale dhe joformale për të rritur fuqinë e tyre individuale ose plurilaterale negociuese me SHBA-në, Kinën Bashkimin Evropian dhe të tjerët.
Aseti më i fuqishëm në çdo negociatë, është aftësia për t’u larguar nga tavolina. Kjo varet nga ajo që ekspertët e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve e quajnë BATNA ose “alternativa më e mirë e palës ndaj një marrëveshjeje të negociuar”. Fuqitë e mesme, po ndërtojnë alternativa ndaj marrëveshjeve të negociuara mbi ato që ata i shohin si kushte perëndimore. Katër vjet më parë, ish-presidenti i SHBA Joe Biden e fokusoi fjalimin e tij inaugurues në rivendosjen dhe forcimin e demokracisë brenda dhe jashtë vendit.
Ai vendosi të ndërtojë një bllok demokratik global për të kundërshtuar forcimin e autokracisë. Edhe pse pastaj e modifikoi pozicionin e tij, për të përfshirë edhe vendet jo demokratike me të cilat SHBA-ja duhej të bënte biznes. Quajeni atë “Demokracia+”.
Trump e ftoi presidentin kinez Xi Jinping në inaugurimin e tij, për të sinjalizuar qasjen e tij ndaj diplomacisë dhe negocimit. Këtë javë, Trump njoftoi qëllimin e tij për të qenë një “paqe-bërës dhe bashkues”, për t’i dhënë fund luftërave dhe parandaluar fillimin e të rejave.
Ai dëshiron mbi të gjitha të “fitojë” dhe të vazhdojë të fitojë, por përmes marrëveshjeve, jo armëve. Nën një mjedis të tillë, “mbreti” është pazarxhiu më i vështirë. Shumë vende do të jenë të interesuara të ulen në tryezë, të përforcuara nga fuqia për t’u larguar nëse nuk u pëlqen pakti i propozuar.
Në vend të një sistemi unipolar apo multipolar, kjo botë nuk i ngjan asgjë më pak dhe asgjë më shumë sesa një pazari të madh.
Shënim: Anne-Marie Slaughter, ish-drejtoreshë e planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, aktualisht drejtuese e institutit ”New America”
Lini një Përgjigje