Në një takim të udhëheqësve evropianë disa ditë pas rizgjedhjes president të Donald Trump nëntorin e vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron e këshilloi kontinentin të ashpërsojë sjelljen përballë një mjedisi ndërkombëtar më të egër.
“Ne priremi të mendojmë, se duhet t’ia delegojmë gjeopolitikën tonë Shteteve të Bashkuara, modelin e rritjes klientëve tanë kinezë, dhe inovacionit tonë teknologjik kompanive të mëdha amerikanë. Për mua është e thjeshtë: Bota përbëhet nga barngrënës dhe mishngrënës. Nëse vendosim të mbetemi barngrënës, atëherë mishngrënësit do të fitojnë, dhe ne do të jemi preja e tyre!”.
Por Macron është vetëm një zë i vetmuar në një kontinenti të përçarë. Po ashtu, ai gjendet në një një pozitë shumë të dobësuar brenda vendit, duke pasur parasysh një valë të madhe populiste që e ka tronditur politikën evropiane. Dhe komentet e tij, vënë në dukje krizën ekonomike të Evropës dhe nevojën urgjente për ndjekjen e një rruge më të pavarur të kontinentit.
Fati i Evropës, përfaqëson ndoshta historinë gjeopolitike më intriguese për t’u parë gjatë mandatit të dytë të Trump. Kjo sepse Uashingtoni do të vendosë tarifa të larta, do zbatojë një strategji të përçarjes së kontinentit, duke zgjedhur më të preferuarit dhe mënjanuar të tjerët, si dhe do të vërë në dyshim angazhimin e SHBA-së jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj sigurisë së Evropës në tërësi.
Por as Evropa nuk do të rrijë duarkryq. Brukseli është i përgatitur të negociojë por edhe të hakmerret ashpër nëse gjërat shkojnë keq. Në varësi të presionit që do të vijë nga Shtëpia e Bardhë, Evropa ka të ngjarë të ndjekë një nga tre rrugët e përgjithshme në përgjigje të një Uashingtoni më “mishngrënës”: së pari pajtimi dhe një përafrim më i madh me Shtetet e Bashkuara; së dyti ndarje dhe paralizë të marrëdhënieve; dhe së treti një autonomi strategjike dhe forcim të konkurrueshmërisë së saj.
Rruga e parë, mund të duket optimale nga këndvështrimi i Uashingtonit, dhe mund të jetë më pak shkatërruese ekonomikisht, nëse në një periudhë afatafërt Evropa ul kokën dhe shmang tarifat e Trump. (Analistët vlerësojnë se një tarifë prej 10 për qind e SHBA-së, mund t’i kushtojë BE-së deri 1 për qind të rritjes së PBB-së).
Por në planin afatgjatë, një autonomi më e madhe strategjike mund të jetë rezultati më i mirë për Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe botën. Sepse një Evropë më e begatë dhe më kompetente, do ta forconte Perëndimin, duke pasur parasysh përputhshmërinë bazë të interesave dhe lidhjeve përtej Atlantikut.
Gjatë mandatit të parë të Trump, shumë njerëz në Evropë e panë atë si një lajthitje të përkohshme, dhe kontinenti doli prej tij i tronditur por përgjithësisht i padëmtuar. BE-ja u përball me sukses nga tarifat më të dëmshme të Uashingtonit, përfshirë ato në sektorin shumë të rëndësishëm të automjeteve.
Trump kërcënoi me tërheqjen nga NATO, por në fund qëndroi, dhe madje i detyroi vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes me 0.27 për qind të PBB-së mesatarisht deri në fund të mandatit të tij të parë. Ndërkohë, ka arsye të forta të besohet se Trump 2.0 do të jetë ndryshe.
Ai ka emëruar më shumë besnikë, dhe ka një axhendë edhe më ambicioze “America First”. Premtimet e tij për një tarifë universale prej 10 për qind, dhe një tarifë 60 për qind ndaj Kinës, janë dukshëm më të larta se mandatin e parë.
Këtë javë, Trump u ankua sërish për madhësinë e deficitit tregtar të SHBA-së me BE-në. Ai mund të rivendosë tarifat mbi çelikut dhe aluminin evropian, të cilat u pezulluan nga ish-presidenti Joe Biden. Po ashtu, Trump ka shumë gjasa të rritë taksat për makinat evropiane.
Dhe ai ka kërcënuar me tarifa të tjera, nëse Evropa nuk blen më shumë gaz natyror të lëngshëm dhe naftë nga SHBA. Si do të reagojë Evropa? Është e qartë se janë gati disa kundërmasa. Evropa do të synojë të qëndrojë e bashkuar dhe të negociojë e bashkuar në nivelin e BE-së.
Nëse Uashingtoni vendos tarifa për industritë strategjike si makinat, do të pritet një kundërpërgjigje me tarifa mbi mallrat amerikane me ndjeshmëri politike të lartë. Por BE-ja është gjithashtu e përgatitur të ofrojë disa “karota” për mbrojtjen, energjinë dhe tregtinë.
Ajo ndodhet në një situatë shumë të ndryshme nga viti 2016, kur ishte shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse. Gjithsesi, Brukseli do të përpiqet në fillim të negociojë një marrëveshje. Veç blerjes së më shumë energjie prej saj, SHBA-ja do të nxitë rritjen e mëtejshme të shpenzimeve në mbrojtje nga aleatët.
Në këtë skenar, Trump qetësohet dhe vëmendja e tij përqendrohet diku tjetër. Megjithatë bashkëjetesa me Trump do të jetë i pamundur pa një përputhje më të madhe ideologjike. Prioritetet e BE-së për klimën dhe teknologjinë - përfshirë zbatimin e Aktit të Shërbimeve Dixhitale dhe Aktit të Tregjeve Dixhitale kundër kompanive të teknologjisë së madhe amerikane dhe platformave të mediave sociale si X e Elon Musk - duhen lënë për një kohë të dytë për të shmangur përplasjet.
Preferencat ideologjike të Trump, do t’i shtyjnë në qendër të vëmendjes liderët e krahut të djathtë. Në këtë skenar, bashkëbiseduesit kryesorë të BE-së - nga Giorgia Meloni i Italisë, tek Andrzej Duda në Poloni dhe Viktor Orban në Hungari - do t’i japin unionit një shije të qartë Trumpiane.
Rezultati do të ishte një kontinent evropian i lidhur më ngushtë me Shtetet e Bashkuara politikisht, ekonomikisht dhe ideologjikisht. Pra një Evropë e farkëtuar sipas imazhit të Trump. Skenari alternativ i shkëputjes nga aleanca me SHBA-në, do të shihte një ecje përpara në disa drejtime, si reagim ndaj bullizmit të Uashingtonit dhe një konfirmim të prioriteteve ekonomike, teknologjike dhe tregtare të Evropës nga komisioni dhe shtetet anëtare me ndikim si Franca dhe Gjermania.
Në mesin e një kakofonie zërash konkurrues, vendet anëtare të BE-së do të fokusohen në mbrojtjen e interesave të tyre, duke u shkëputur nga qasjet e përbashkëta të BE-së dhe duke iu rikthyer marrëveshjeve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti rus Vladimir Putin, do të përfitonte nga ky fragmentim. Përçarja e Perëndimit ka qenë prej kohësh një objektiv strategjik, dhe ai madje mund të testojë shkallën e indiferencës së SHBA-së ndaj Evropës, përmes masave aktive më të guximshme në Evropë apo sjelljeve aventureske në Ballkan dhe Baltik.
Përfitues do të ishte edhe Pekini, pasi ai synon të arrijë marrëveshje dypalëshe ekonomike me shtetet anëtare mike. Në këtë skenar, Evropa do të bëhej një lojtare globale më pak e rëndësishme dhe vendet e shënjestruara nga tarifat e Trump, do të përballen me probleme ekonomike të mëtejshme./Pamfleti nga “Foreign Policy”
Lini një Përgjigje