Turqia është angazhuar të transportojë aktivistët e ndaluar nga Izraeli. Lajmi është dhënë nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili saktësoi se qeveria turke do të bëjë të mundur zhvendosjen e aktivistëve turq, por edhe të atyre nga vende të tjera.
Sipas mediave turke, aktivistët e ndaluar po transportohen në jug të Izraelit, në aeroportin Ramon. Izraeli ndaloi të paktën 40 mjete lundruese, pjesë të flotës humanitare “Sumud”, të hënën në ujërat pranë Qipros. Mes tyre është edhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj.
Türkiye is working with all relevant institutions to ensure the safety and secure return of its citizens detained by Israel, Foreign Minister Hakan Fidan said Thursday
— Anadolu English (@anadoluagency) May 21, 2026
???? The move came following the illegal intervention against the Gaza-bound Global Sumud Flotilla… pic.twitter.com/Ph2bweYtX8
Në total kanë qenë të paktën 430 aktivistë nga vende të ndryshme të botës që u ndaluan dhe po mbahen nga forcat e sigurisë së Izraelit, të akuzuar për terrorizëm nga ministri ekstremist Itamar Ben-Gvir.
Një video e shpërndarë në profilin e tij në X të mërkurën shkaktoi indinjatë publike dhe institucionale në të gjithë botën, ndërsa zyrtarë të niveleve më të larta dënuan pamjet e shpërndara, ku dukeshin keqtrajtimet dhe talljet e autoriteteve izraelite ndaj aktivistëve, përfshirë edhe nga vetë ministri Gvir.
Keqtrajtimi i aktivistëve u dënua nga qeveri të ndryshme të botës, ndërsa Spanja ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa formalë për t’i kërkuar BE-së sanksione ndaj ministrit Ben Gvir.
Ambasadorët e Izraelit në vendet e Europës u thirrën pas pamjeve të publikuara nga ministri ku tregonte veten duke u tallur me aktivistët e gjunjëzuar në tokë me duart e lidhura pas shpine.
Veprimet e tij tërhoqën gjithashtu kritika të rralla nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se ato “nuk ishin në përputhje me vlerat e Izraelit”. Një grup i të drejtave që përfaqëson 430 pjesëmarrësit nga më shumë se 40 vende që morën pjesë në Flotiljen Globale Sumud (GSF) kërkoi lirimin e tyre.
Flotilja, e cila mbante një sasi simbolike ndihmash, kishte për qëllim të nxirrte në pah kushtet e vështira për palestinezët në Gazën e shkatërruar nga lufta. Izraeli e hodhi poshtë këtë si një "mashtrim PR në shërbim të Hamasit". Më shumë se 50 anije që merrnin pjesë në flotilje u nisën nga Turqia të enjten e kaluar.
Lini një Përgjigje