Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Peter Hegseth, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ndërmarrin veprime, në varësi të ecurisë së negociatave me Iranin për programin bërthamor.
Në një reagim në platformën X, Hegseth përdori shprehjen “locked and loaded”, duke lënë të kuptohet se SHBA është “gati për veprim”. Komenti i tij erdhi pas deklaratës së zëvendëspresidentit amerikan JD Vance gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Vance theksoi se Uashingtoni nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që do t’i hapte rrugë Iranit për sigurimin e armëve bërthamore.
“Siç më tha Presidenti Trump, ne jemi gati të veprojmë. Nuk duam të ndjekim atë rrugë, por presidenti është i gatshëm dhe i aftë ta bëjë këtë, nëse është e nevojshme”, u shpreh Vance.
Deklaratat vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të jenë të tensionuara, ndërsa bisedimet për programin bërthamor iranian mbeten ende të paqarta.
Lini një Përgjigje