TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Maj 2026, 09:04

Tërheqja e trupave amerikane, gjenerali: Pikëpyetja më e madhe është zbatimin e nenit 5 të NATO-s, dy vende rrezikojnë

Shkruar nga Pamfleti
Tërheqja e trupave amerikane, gjenerali: Pikëpyetja më e madhe
Trupat amerikane

Shkurtimi i pranisë ushtarake amerikane në Europë nuk përbën problem për shkak të numrit të trupave, por për shkak të mesazhit politik që dërgon.

Kështu shpehet gjenerali italian Vincenzo Camporini, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes dhe i Forcave Ajrore italiane.

Në një intervistë për mediat italiane, Camporini tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të reduktuar kontingjentin në Europë vë në pikëpyetje edhe vetë zbatimin e nenit 5 të NATO-s, që garanton mbrojtjen kolektive të aleancës.

“Pesë mijë ushtarë më pak në Europë nuk do të ishin problem në vetvete, por domethënia politike e kësaj zgjedhjeje amerikane rëndon shumë mbi kontinentin europian,” deklaroi ai. “Donald Trump e ka thënë hapur se nuk ndihet i detyruar nga parimi i mbrojtjes kolektive. Kjo do të thotë se Europa duhet të mësojë të mbështetet më shumë te vetja.”

Sipas Camporinit, vendimi konfirmon mungesën e interesit të administratës Trump ndaj Europës, ndryshe nga kritikat e mëparshme të presidentëve amerikanë për shpenzimet e ulëta europiane në mbrojtje.

Ai tha se reduktimi i pranisë amerikane mund të jetë gradual, por Europa duhet të fillojë menjëherë riorganizimin për të shmangur boshllëqet në siguri.

Gjenerali theksoi se perceptimi ndaj Rusisë ndryshon brenda vetë Europës. Shtetet pranë kufirit rus, si Polonia, Finlanda, Suedia dhe vendet baltike, e konsiderojnë Moskën një kërcënim serioz, ndërsa vende si Italia e shohin më të largët rrezikun rus.

“Por largësia është relative,” tha ai. “Kufiri ynë është më afër Ukrainës sesa distanca mes Triestes dhe Palermos.”

Camporini përmendi disa pika strategjike që mund të preken nga një tërheqje amerikane, përfshirë bazën e Vicenzës, ku ndodhet brigada amerikane e parashutistëve, bazën ajrore të Avianos dhe veçanërisht Sigonellën në Sicili, qendër e rëndësishme për mbikëqyrjen e Mesdheut.

Ai paralajmëroi se Italia mund të mbetet e pambuluar në kapacitetet antisubmarine, pasi avionët aktualë italianë të patrullimit nuk kanë të njëjtat aftësi si modelet e mëparshme.

Në nivel europian, Camporini shprehu shqetësim për korridorin strategjik të Suwalkit, mes Polonisë dhe Lituanisë, që lidh Bjellorusinë me enklavën ruse të Kaliningradit.

“Kjo është një rrugë furnizimi që Moska mund ta bllokojë pa shumë vështirësi,” tha ai.

Gjenerali vlerësoi se numri i ushtarëve ka rëndësi relative në luftërat moderne, duke përmendur faktin se Rusia nuk arriti objektivat e saj në Ukrainë pavarësisht angazhimit të qindra mijëra trupave.

Sipas tij, dominimi teknologjik dhe kontrolli i telekomunikacionit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm. Ai përmendi ndikimin e kompanive private si Starlink e Elon Musk dhe vuri në dukje se projekti europian satelitor Iris² pritet të nisë vetëm në vitin 2030.

tërheqja e trupave amerikane nga europa zbatimin e nenit 5 të nato-s

Lini një Përgjigje