Vizita e Vladimir Putin në Pekin po interpretohet si një sinjal i fortë politik për Perëndimin dhe veçanërisht për SHBA-në. Megjithatë, sipas analistit italian Giovanni Morandi, marrëdhënia mes Rusisë dhe Kinës mbetet më shumë një bashkëpunim interesi sesa një aleancë e vërtetë strategjike.
Pas takimit Trump-Xi Jinping, vjen edhe samiti Putin–Xi Jinping. Sipas rusëve dhe kinezëve, dy takimet nuk kanë lidhje mes tyre, por kjo është e vështirë të besohet plotësisht. Lidhja ekziston dhe diktohet edhe nga konteksti ndërkombëtar i luftërave dhe krizave ekonomike globale.
Megjithatë, për analistin Giovanni Morandi, ajo mes Rusisë dhe Kinës, edhe pse të dyja palët flasin për një miqësi gjithnjë e më të fortë, nuk është ende një aleancë e mirëfilltë.
Madje, marrëdhënia e tyre nuk mund të prodhojë as një rend të ri botëror.
Më shumë bëhet fjalë për një përputhje interesash mes Moskës dhe Pekinit, e diktuar edhe nga afërsia gjeografike dhe momenti historik. Por raportet mes tyre, sipas Morandit, ka të ngjarë të mbeten si gjithmonë: me ulje-ngritje, shumë të mira në disa periudha dhe shumë më të ftohta në të tjera.
Moska dhe Pekini thonë se vizita e Putinit te Xi Jinping nuk lidhet me atë të Trumpit në Kinë. Në fakt, a synojnë ata t’i dërgojnë një mesazh presidentit amerikan?
Mendoj se në diplomacinë kineze asgjë nuk është rastësi. Historia i ka detyruar kinezët të jenë jo vetëm të rafinuar, por edhe shumë realistë. Unë nuk e besoj që përkimi kohor me vizitën e Trumpit është rastësor, edhe sepse këto takime nuk improvizohen, por përgatiten me kohë.
Flitet për 40 marrëveshje të llojeve të ndryshme: ushtarake, industriale, madje edhe në fushën e mediave. A është sot marrëdhënia Kinë-Rusi një aleancë e vërtetë?
Absolutisht që jo. Kur ndodhi pushtimi i Ukrainës dhe Putini akuzoi Perëndimin, shumëkush mendoi se po ndryshonte rendi ndërkombëtar. Kreu i Kremlinit deklaroi atëherë se Rusia nuk do ta ndiente mungesën e Evropës, sepse do të afrohej me Lindjen dhe veçanërisht me Kinën.
Kjo ndodhi pjesërisht, por askush nuk mund të thotë sot se Rusia dhe Kina janë më të lidhura sesa kanë qenë në të kaluarën.
Pra si mund të përkufizohen marrëdhëniet mes dy vendeve?
Raportet e tyre kanë pasur gjithmonë ulje dhe ngritje dhe bazohen mbi interesa konkrete. Rusia është një vend kufitar në skenarin global dhe nuk mund të bëjë pa Evropën, ashtu siç edhe Evropa nuk mund të bëjë pa Rusinë. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën.
Mund të duket e çuditshme, sepse kemi kaluar luftëra, viktima dhe tronditje të mëdha, por pas gjithë asaj që ka ndodhur në vitet e fundit, mund të thuhet se në thelb nuk ka ndryshuar asgjë. Luftërat vetëm sa konfirmojnë se nuk shërbejnë për asgjë.
Megjithatë thuhet se Rusia dhe Kina do të dalin nga ky samit me një deklaratë politike për krijimin e një rendi të ri botëror. A mbetet ky një objektiv i përbashkët?
Është minimumi që mund të prodhojnë. Deklaratat politike nuk kushtojnë asgjë. Janë fjalë që tingëllojnë të arsyeshme, por mbetet për t’u parë nëse do të mbështeten nga veprimet konkrete.
A mund të bëhet BRICS një instrument për realizimin e këtij rendi të ri?
Kam përshtypjen se marrëdhëniet ekonomike udhëhiqen më shumë nga ekonomia sesa
nga politika. Mund të imagjinohen aleanca dhe grupime të reja, por nëse projektet nuk mbështeten mbi interesa konkrete dhe të realizueshme, ato zgjasin shumë pak.
Fuqia e parasë fiton mbi fuqinë e deklaratave politike. Në këtë rast shoh më shumë dinamika ekonomike sesa politike.
Sipas Financial Times, Xi Jinping i ka thënë Trumpit se Putini mund të pendohet për luftën në Ukrainë. Çfarë ndikimi mund të ketë lidhja Rusi-Kinë mbi konfliktet aktuale?
Nëse Putini pendohet apo jo, këtë gjë nuk do ta dimë kurrë, sepse ai nuk do ta pranojë asnjëherë publikisht. Por parada e fundit për Ditën e Fitores, e organizuar në mënyrë shumë të përmbajtur nga frika e sulmeve ukrainase, tregoi se kjo luftë është bërë e sikletshme edhe për Rusinë.
Në fillim u quajt “operacion special” dhe kush e quante luftë rrezikonte burgun. Sot është një luftë nga e cila Rusia do të dalë, por me një çmim shumë të lartë.
Pra nuk do të jetë një fitore?
Do të jetë një fitore shumë e kushtueshme për diçka që rusët e kishin pasur edhe më parë.
Rusia dhe Kina kanë marrëdhënie të mira edhe me Iranin. A mund të luajnë rol në krizën e Lindjes së Mesme?
Mendoj se po, edhe sepse negociatat mes SHBA-së dhe Iranit nuk duket se po ecin me shpejtësi. Prandaj nuk përjashtohet mundësia që Kina dhe Rusia të luajnë një rol, ndoshta të fshehtë, në prapaskenë, ndërsa barra kryesore politike i mbetet Trumpit.
Në fund, cili mund të jetë objektivi i vërtetë i samitit Putin-Xi Jinping?
Marrëdhëniet do të mbeten ato që kanë qenë gjithmonë. Në disa periudha shumë të mira, në të tjera më të ftohta. Siç thoshte dikur Giulio Andreotti, fqinjët nuk i zgjedhim dot. Kjo vlen edhe për Kinën dhe Rusinë. Nuk duhet të presim rezultate të jashtëzakonshme nga ky samit.
Megjithatë do të diskutohet për gazsjellësin “Power of Siberia 2”. A mund të krijojë ai një lidhje më të fortë energjetike mes dy vendeve?
Unë nuk besoj se Kina mund të kushtëzohet nga një marrëveshje e tillë. Mund të ketë zgjidhje që u interesojnë të dyja vendeve, por kjo nuk do të thotë se do të ridizenjohet sistemi energjetik global.
Është një projekt për të cilin Rusia dhe Kina kanë interesa të përbashkëta, por ai nuk do të shënojë lindjen e një aleance të re. Të dyja vendeve mund t’u leverdisë të jenë mike midis tyre, por nuk i shoh të imponohen bashkë si protagoniste të një rendi të ri botëror./Përshtati "Pamfleti", nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje