
Stërvitja do të përfshije 90 mijë ushtarë, teksa do të jetë një lloj simulimi në rast se shkohet te konflikti i armatosur me Moskën...
A ka nisur një tjetër Luftë e Ftohtë? NATO po përgatit një stërvitje të madhe ushtarake, e cila nuk është parë që nga Perdja e Hekurt. Quhet "Steadfast Defender 2024". Stërvitja do të fillojë javën e ardhshme dhe do të zgjasë deri në maj, duke përfshirë rreth 90 mijë ushtarë, si dhe avionë, sisteme të mbikëqyrjes ajrore, dronë, artileri të rëndë, anije dhe nëndetëse.
Është një lloj prove reagimi të shpejtë në rast të një sulmi rus kundër një prej 31 vendeve anëtare (së shpejti 32 me hyrjen e Suedisë). Për këtë rast, mijëra ushtarë që vijnë direkt nga Shtetet e Bashkuara do të zbarkojnë në Evropë.
Nuk është ende e qartë se ku do të zhvillohen saktësisht manovrat, por nga selia e NATO-s në Bruksel thuhet se stërvitja do të shtrihet në një zonë të gjerë që përfshin Gjermaninë, Poloninë, Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë. Sipas burimeve të tjera, simulimet do të fokusohen gjithashtu në të ashtuquajturin "Korridori Suwalki", brezi i territorit përgjatë kufirit midis Polonisë dhe Lituanisë, me sytë nga enklava ruse e Kaliningradit.
Nuk është rastësi që të hënën e kaluar, më 15 janar, gazeta gjermane Bild zbuloi një raport sekret të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, i cili raportonte se si Kremlini po lëvizte trupat në Bjellorusi, në funksion të një sulmi të mundshëm, brenda një viti, pikërisht në «Korridorin Suwalkii». Një hipotezë e hedhur poshtë si "marrëzi", nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Gjenerali amerikan Chris Cavoli, komandanti i Forcave Aleate në Evropë, deklaroi se “Steadfast Defender 2024 do të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të forcuar lëvizjen e burimeve dhe aseteve nga Amerika e Veriut në Evropë” . Admirali holandez Rob Bauer, president i komitetit ushtarak të Aleancës paralajmëroi: "Vendet perëndimore duhet të presin të papriturën. Nëse duam të jemi vërtet efektivë, edhe në të ardhmen, duhet të përgatisim një NATO të gatshme për luftë. Është e nevojshme që subjektet publike dhe private të ndryshojnë mentalitetin e tyre. Ne po kalojmë nga një epokë në të cilën gjithçka ishte e planifikuar, e parashikueshme, e kontrollueshme, në një epokë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo moment”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje