NATO nuk duhet që t'i mbyllë të gjitha rrugët e angazhimit jo-ushtarak me Rusinë, përfshirë edhe eksplorimin e një rruge drejt një zgjidhjeje të negociuar të luftës Rusi-Ukrainë. Ajo nuk mund të braktisë përpjekjet e saj për stabilizimin strategjik dhe kontrollin e armëve...
Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, pra më 4 prill 1949, Ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe 10 vendeve të Evropës Perëndimore nënshkruan Traktatin e Uashingtonit, duke krijuar atë që u bë e njohur si Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Traktati angazhoi fuqinë dhe qëllimin e SHBA-së (Kanadasë) në Evropën Perëndimore për të frenuar ambiciet e Bashkimit Sovjetik. Në 4 dekadat që pasuan, NATO luajti një rol jetik në dhënien fund të Luftës së Ftohtë dhe sundimit sovjetik mbi Evropën Qendrore dhe Evropiane.
Aleanca pati ndikim edhe në shembjen e Bashkimit Sovjetik. Sot aleanca ka shpallur një sfidë të re, atë të Rusisë së Vladimir Putinit dhe kërcënimit që vjen nga kufijtë lindorë. Shumë vëzhgues dhe madje disa qeveri perëndimore, thonë se agresioni i Putinit në shekullin XXI-të ishte i pashmangshëm.
Se ai ka synuar gjithmonë që të ri-ndërtojë perandorinë e vjetër ruse (sovjetike) dhe të zgjerojë ndikimin e Moskës drejt Perëndimit, ndoshta edhe përtej Ukrainës. Jo të gjithë do të binin dakord me këtë vlerësim, megjithatë sfida aktuale ndaj Perëndimit është gjithsesi e dukshme, duke filluar që me pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014.
Në shkurtin e vitit 2022, Putin çoi tanket deri në periferitë e Kievit, dhe sot është i vendosur që të mbajë të pushtuara rajonet rusisht-folëse Donetsk, Kherson, Luhansk, Zaporizhzhia si dhe Krimenë. Udhëheqësit e shumë vendeve të NATO-s janë të bindur se, nëse nuk ndalet, Putin do të kërcënojë më pas edhe shtetet baltike, Poloninë por edhe aleatët më të rinj të NATO-s, Finlandën dhe Suedinë.
Historianët do të thonë se është e kotë të rishikosh ngjarjet, dhe të pretendosh se mund të ishte penguar ajo që ndodhi në vitet 2014 dhe 2022. Por është fakt që menjëherë pas Luftës së Ftohtë, pati udhëheqës që u përpoqën ta modifikonin arkitekturën e sigurisë evropiane në një mënyrë që mund të kishte shmangur përplasjen aktuale me Rusinë.
Ndoshta Putin ka pasur gjithnjë ambicie për ta gallabëruar Ukrainën dhe për ta forcuar më tej ndikimin rus në Perëndim. Por është një argument po aq i besueshëm (dhe më bindës do të thosha), sipas të cilit Perëndimi - dhe më vonë Rusia - e humbën përfundimisht mundësinë për të zhvilluar ndryshe “historinë”.
Edhe para rënies së Perdes së Hekurt në vitin 1989, administrata e G. H. W.Bush dhe më vonë administrata Clinton ishin përpara një momenti delikat: Rusia e mundur nuk duhet trajtuar me ashpërsinë që iu referua Gjermanisë në vitin 1919, me të ashtuquajturin faj të luftës të përcaktuar në Traktatin e Versajës.
Ajo klauzolë kërkonte që Gjermania të pranonte përgjegjësinë e plotë për shkaktimin e Luftës së Parë Botërore. Me ardhjen e Hitlerit në pushtet, traktati ishte një propagandë shumë e dobishme për ta përdorur përpara popullit gjerman të demoralizuar dhe të zemëruar.
Kështu Bush shpalli ambicien e një “Evrope të plotë dhe të lirë” dhe në paqe. Kjo do të thoshte të mos e stigmatizonim Rusinë, dhe për aq sa ishte e mundur, t’i jepnim asaj mundësinë të luante një rol serioz në arkitekturën e re të sigurisë që ndërtonte Perëndimi, në vend që të shpërbënte NATO-n.
Kështu NATO fitoi anëtarësimin e Rusisë në Partneritetin për Paqe dhe Këshillin e Partneritetit Euro-Atlantik. Ajo mirëpriti gjithashtu trupat ruse në misionin IFOR pas luftës në Bosnje, bashkëpunimi i parë ushtarak i këtij lloji që kur forcat amerikane dhe sovjetike u takuan në lumin Elba në vitin 1945.
Për shkak se disa vende të Evropës Qendrore mbetën të kujdesshme ndaj një Rusie potencialisht revanshiste, NATO ftoi në aleancë në vitin 1997 Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë. Rusët nuk ishin të kënaqur, por mbyllën njërin sy ndaj anëtarësimit në NATO për dy të parat, sepse Moska druhej se në një moment Gjermania mund të përbënte sërish një kërcënim për të.
Ndaj do të ishte mirë që Polonia dhe Republika Çeke ta “rrethonin” Gjermaninë me fuqinë e NATO-s dhe SHBA-së. Së bashku me atë zgjerimin e parë të NATO-s, aleanca negocioi një Akt Themeltar NATO-Rusi, me një mori parimesh të përbashkëta, kufizimesh të vetëshpallura në aktivitetet ushtarake të NATO-s në Evropën Qendrore dhe një listë të gjatë projektesh të përbashkëta.
Më pas, në Uashington erdhën në pushtet zyrtarë të rinj, të cilëve u mungonte perspektiva historike: ata vendosën se Rusia nuk kishte asnjë peshë. Kështu SHBA shfuqizoi Traktatin e Raketave Anti-Balistike të vitit 1972 dhe vendosi raketa anti-balistike në Evropën Qendrore, në kundërshtim me Aktin Themeltar NATO-Rusi.
Nga ana e saj, edhe Rusia ndërmori hapa negativë, duke u larguar nga Traktati i Forcave Konvencionale në Evropë (CFE) dhe duke shkelur Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), çka bëri që SHBA të largohej prej saj. Ndërkohë në vitin 2008 presidenti George W.Bush loboi në NATO për një ftesë për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Ai hap ishte qartazi përtej asaj që mund të pranonte çdo vend i madh dhe shkeli mirëkuptimet e heshtura të vitit 1997 mbi pozicionin e Ukrainës midis Lindjes dhe Perëndimit. Sigurisht, ai veprim gjeopolitik i pamenduar nuk justifikon asnjë nga veprimet brutale të Putin. Por, së bashku me zgjerimet e mëtejshme të NATO-s dhe një grusht shteti të udhëhequr nga SHBA-ja në Kiev në vitin 2014, ai e ka ndihmuar Putinin t’u thotë rusëve se NATO po synon të rrethojë Rusinë.
Sot, NATO e ka bërë të qartë se duhet ta ndihmojë Ukrainën të kundërshtojë agresionin rus, ndërsa duke ndjekur shembullin e presidentit Joe Biden, duhet të mos dërgojë trupat e saj në terren, pasi ky hap mund të çojë në llogaritje të gabuara ose përshkallëzim.
Është e vërtet që Kongresi i SHBA duhet të miratojë sa më parë ndihmën e re ushtarake për Ukrainën edhe pse tani kjo e fundit nuk do të jetë në gjendje të bëjë përparime të rëndësishme kundër forcave ruse. Por, përtej rëndësisë jetike për të ndihmuar Ukrainën dhe për t'i treguar Putinit se ka kufij për ambiciet e tij ushtarake, në lojë është besueshmëria e SHBA-së.
Në të njëjtën kohë, është bërë shumë e lehtë dhe popullore që të shpallet një Luftë e re e Ftohtë me Rusinë. Por kjo qasje do të nënkuptonte rreziqe dhe kosto të mëdha, kufizime politike dhe psikologjike, dhe një frikë të vazhdueshme nga llogaritja e gabuar dhe përshkallëzimi i mundshëm i luftës në Ukrainë, në një konflikt më të gjerë në kontinent. Mos harroni se nga koha kur përplasja SHBA-Bashkimi Sovjetik u stabilizua në nivel strategjik- rreth vitit 1963 - do të kalonte më shumë se një çerek shekulli përpara se të përfundonte Lufta e Ftohtë. Për më tepër, është bërë shumë i lehtë anashkalimi i një realiteti gjeopolitik të pakundërshtueshëm: që Rusia nuk mund të shpërfillet. Sepse në një moment, ajo do të bëhet sërish një fuqi e madhe, ndonëse nuk ka gjasa të jetë një superfuqi siç ishte dikur Bashkimi Sovjetik.
Perëndimi, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara, duhet të përballet me këtë fakt dhe ta bëjë këtë për hir të interesave tona. Dhe kjo qasje kërkon shumë kujdes, sidomos që në samitin e NATO-s këtë verë, për të mos kaluar në një përplasje të përhershme me Rusinë.
NATO nuk duhet që t'i mbyllë të gjitha rrugët e angazhimit jo-ushtarak me Rusinë, përfshirë edhe eksplorimin e një rruge drejt një zgjidhjeje të negociuar të luftës Rusi-Ukrainë. Ajo nuk mund të braktisë përpjekjet e saj për stabilizimin strategjik dhe kontrollin e armëve.
Po ashtu s'duhet të promovojë një ndarje të re të Evropës midis miqve dhe armiqve të përhershëm. Pra duhet te garantojmë mbështetje për Ukrainën në mbrojtjen e saj të guximshme, por duke penguar njëkohësisht alternativat ndaj një Lufte të re të Ftohtë./Përshtati Pamfleti nga “Responsible Statecraft”
Shënim: Robert E. Hunter, ish-ambasador i SHBA-së në NATO gjatë viteve 1993-1998. Ai ka mbajtur poste të larta edhe në Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë gjithë administratës së Jimmy Carter.
Lini një Përgjigje