NATO do të rrisë praninë ushtarake në Detin Baltik, pas aktit të dyshuar të sabotazhit këtë javë, ku u dëmtuan kabllo nënujore elektrike e të telekomunikacionit.
Pas akteve të sabotazhit që dyshohet se fshihet Rusia, Estonia njoftoi nisjen e një operacion te madh detar për të ruajtur një linjë të rëndësishme elektrike në koordinim me aleatët.
Të enjten, Finalnda konfiskoi një anije që transportonte naftë ruse me dyshimin se kishte prerë kabllon nënujore elektrike nënujore që e lidhte me Estoninë, Estlink 2, dhe kishte dëmtuar një sërë fibrash optike.
Ndërsa të premten, Helsinki zyrtar tha se i kishte kërkuar ndihmë aleancës ushtarake transatlantike. Vendet Baltike janë në alarm, pasi një sërë kabllosh elektrike nënujore, lidhje të telekomunikacionet dhe gazsjellësit janë vënë në shënjestër të akteve të sabotazhit që kur Rusia nisi luftën në Ukrainë në vitin 2022.
Për këtë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi në platformën sociale X se NATO do të përforcojë praninë ushtarake në Detin baltik, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Rutte javë më parë ka paralajmëruar se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron “ta zhdukë Ukrainën nga harta” dhe mund t’ua mësyjë pjesëve të tjera të Evropës pastaj.
Për këtë arsye, ai u bëri thirrje evropianëve t’u bëjnë trysni qeverive të veta për t’i rritur shpenzimet në mbrojtje.
“Ka ardhur koha ta kemi një mendësi lufte”, tha Rutte para ekspertëve të sigurisë dhe analistëve në organizatës Carnegie Europe në Bruksel. Ai theksoi se njerëzit duhet të përgatiten për mundësinë që Rusia të përpiqet t’i përdorë “tufa dronësh” në Evropë, siç është duke bërë me ndikim vdekjeprurës në Ukrainë.
Putini “po përpiqet ta prishë lirinë dhe mënyrën e jetesës sonë”, tha Rutte.
Gjatë fjalimit të tij, ish-kryeministri i Holandës i përmendi sulmet e Rusisë në Gjeorgji më 2008, aneksimin e gadishullit ukrainas, Krimea, më 2014, si dhe pushtimin e plotë të Ukrainës që nisi para gati tri vjetëve.
“A kemi nevojë edhe për më shumë paralajmërime të tjera a? Ne duhet të jemi thellësisht të shqetësuar. Unë e di që jam”, tha Rutte.
NATO është mbështetëse e madhe e Ukrainës dhe i ka ndihmuar shumicën e anëtarëve të vet të dërgojnë armë, municione dhe ndihma të tjera në Ukrainë. Por, rikthimi i Trumpit dhe premtimi i tij për t’i dhënë fund luftës shpejt ka ngjallur shqetësime se një armëpushim i pafavorshëm mund t’i imponohet Ukrainës.
Trump ankohet rregullisht se aleatët e SHBA-së në NATO nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.Rutte tha se shpenzimet ushtarake të Rusisë ka të gjasa të arrijnë 7 deri në 8% të GDP-së së saj vitin e ardhshëm – shumë më tepër se çdo aleat i NATO-s – me industrinë e saj të mbrojtjes që prodhon tanke, mjete të blinduara dhe municione.
Përtej rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë, Rutte theksoi se NATO-ja tani ka dhjetëra mijëra trupa në gatishmëri të lartë, në rast se ato nevojiten për ta mbrojtur territorin e aleatëve.
“Me gjithë këtë, mbrojtja jonë është e mirë – tani për tani. Por, ajo që më shqetëson është e nesërmja”, tha ai dhe paralajmëroi se “ne nuk jemi gati për atë që na pret pas katër deri pesë vjetësh. Rreziku po afrohet me shpejtësi të plotë drejt nesh”.
“Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të ndodhë edhe këtu, dhe pavarësisht nga rezultati i kësaj lufte, ne nuk do të jemi të sigurt në të ardhmen nëse nuk jemi të përgatitur për ta përballuar rrezikun”, shtoi Rutte.
Rutte u bëri thirrje qeverive t’ua sigurojnë industrive të mbrojtjes “porositë e mëdha dhe kontratat afatgjata që u nevojiten për të prodhuar shpejt më shumë armë dhe armë më të mira”.
Ai u kërkoi industrive të rrisin prodhimin armëve mbrojtëse kundër dronëve dhe taktikave të tjera të reja luftarake.
Ai shtoi se “liria nuk vjen falas” për rreth 1 miliard njerëz që jetojnë në zonën euro-atlantike./ Pamfleti
Lini një Përgjigje